Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Keqkuptimet me sistemin demokratik të Kosovës

Kosova kaloi muajin e tretë pas zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, pa një qeveri të re. Vështirësitë për të krijuar një koalicion qeverisës, pavarësisht joshjes së madhe që të jep pushteti në vetvete, janë një dëshmi e mbizotërimit të mentalitetit dhe klimës konfliktuale mes shqiptarëve që e bën të vështirë arritjen e një kompromisi. Edhe pse ka fituar një shumicë shumë të zbehtë prej 26.27% me një diferencë prej rreth 1% prej partisë së dytë, po heziton që të arrijë një ujdi për qeverisjen. Partia që e ka ndezur dhe acaruar më shumë këtë konfliktualitet i cili e bën të pamundur arritjen e një marrëveshje për bashkëqeverisje është pikërisht Lëvizja Vetëvendosje. Për një kohë të gjatë LVV ka promovuar idenë e ndryshimeve radikale, përmbysjes së sistemit dhe anatemimin e klasës ekzistuese politike, mirëpo tani që ka dalë partia e parë i duhet që ta ndajë pushtetin me partinë më të vjetër kosovare. Si pasojë e keqkuptimeve të demokracisë, sot kjo parti është në njëfarë mënyre viktimë e suksesit të saj për sa i përket demonizimit të kundërshtarëve politikë dhe krijimit të pritshmërive të skajshme moraliste për mënyrën se si duhet të veprojnë partitë.

Prandaj një ndër shkaktaret e kësaj situate është padyshim keqkuptimi i sistemit demokratik të Kosovës dhe kultivimi i një klime politike konfliktuale e toksike për vite me radhë që e bën të vështirë dialogun dhe marrëveshjen. LVV me fushatën e saj konstante negative ia ka dalë që të bindë një pjesë të mirë të elektoratit të Kosovës që ka deficit patriotik se lufta politike në Kosovë ndërmjet shqiptarëve në kushtet e demokracisë është një lloj si lufta çlirimtare kundër regjimit të Milosheviqit. Për rrjedhojë qenë të shumtë ata që rendën që të bashkoheshin në frontin e LVV kundër partive rivale shqiptare me shpresën se në këtë mënyrë, ata dhe familjet e tyre, barazoheshin me veteranët e UÇK-së për sa i përket kontributit ndaj atdheut. Fatkeqësisht të njëjtën retorikë, agresivitet e ndonjëherë edhe mjete subversive që u përdorën kundër okupatorëve më parë, filluan ti përdornin edhe kundër kundërshtarëve politikë.

Carl von Clausewitz dikur ka thënë se “lufta ishte vazhdimi i politikës me mjete të tjera” mirëpo duhet kuptuar se politika nuk është vazhdimi i luftës, por është ne fakt alternativa që kemi përkundrejt luftës. Mirëpo në demokraci pra në sistemin politik të Kosovës, përdorimi i fjalës “lufta politike” duhet parë thjesht si metaforë por kurrsesi jo si një barazim. Në luftën prej vërteti siç qe ajo çlirimtare, kundërshtari duhet asgjësuar apo shkatërruar ndërsa në luftën politike rivali mposhtet në garë zgjedhore, bëhet ujdi ose bindet. Ne faktikisht kujdesemi për politikën e sistemit demokratik të bazuar tek pluralizmi, dialogu e kompromisi pikërisht sepse politika na ruan nga më e keqja. Ose më saktë pa këtë lloj politike katandisemi në luftë. Prandaj në politikë kundërshtarët nuk duhen parë si armiq të përjetshëm të papajtueshëm por si rivalë rrethanorë që herët a vonë mund të shndërrohen edhe në aleatë të përkohshëm ose bashkëpunëtorë të pashmangshëm. E njëjta gjë vlen edhe për kompromisin politik, i cili nuk duhet konsideruar në mënyrë të rëndë si tradhëti ndaj atdheut por si një instrument i domosdoshëm për të siguruar bashkëjetesën në paqe mes njerëzve që kanë përkatësi, ide, bindje e shije të ndryshme.

Jo vetëm që sistemi demokratik në vetvete e ka pjesë thelbësore negocimin, konsesusin e marrëveshjeve, por sistemi politik i Kosovës është veçanërisht konsensual dhe gjithëpërfshirës. Sistemi elektoral i Kosovës në veçanti dhe arkitektura e institucioneve politike në Kosovë në përgjithësi është ndërtuar në një mënyrë që shmang përqendrimin e pushtetit në një dorë të vetme dhe jep mundësi të gjerë për përfshirje në qeverisje. Proporcionali kombëtar, në mungesë të bonuseve për shumicën sikurse i ka Greqia, sjell një sistem partiak të copëzuar ku është shumë e vështirë që një parti të marrë 50+1% të parlamentit. Për rrjedhojë partisë së parë i duhet medoemos që të hyjë në ujdi me parti kundërshtare për të siguruar shumicë. Kjo gjë padyshim që është shumë e vështirë por e nevojshme përndryshe duhet shkuar në zgjedhje të reja për të shpresuar në një konjukturë të re të rezultateve. Nga kjo gjë vuajnë të gjitha vendet që kanë sistem të ngjashëm. Për shembull sivjet Spanja ka hyrë dy herë në zgjedhje elektorale sepse ka qenë e pamundur arritja e një koalicioni midis Partisë Socialiste të Spanjës dhe Podemos në prill u desh që të organizoheshin zgjedhje të reja në nëntor e mandej këto dy parti u morën vesh dhe formuan qeveri. Në Izrael sapo kanë vendosur që të futen në zgjedhjet e treta parlamentare radhazi sepse Benjamin Netanjahu nuk ia doli që të krijojë një mazhorancë parlamentare me parti të tjera.

Historia e shkurtër e demokracisë së Kosovës e dëshmon më së miri nevojën e partive për të arritur një ujdi me kundërshtarët politikë. Kështu për shembull në zgjedhjet parlamentare të vitit 2004 Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi 45.42% të votave duke siguruar 47% deputetë e megjithatë ia la postin e kryeministrit AAK-së që mori vetëm 8.39% të votave apo 9 deputetë. Për rrjedhojë Kosova pati radhazi tre kryeministra të AAK-së, Ramush Haradinajn, Bajram Kosumin dhe Agim Çekun. Nga ana tjetër Partia Demokratike e Kosovës kur doli fitimtare me 37 deputetë nga zgjedhjet e vitit 2007 u detyrua që t’i jepte LDK-së pozitën e presidentit për të siguruar formimin koalicionit qeverisës. Kuptohet që këto nuk ishin martesa me dashuri por për leverdi. Përpos kësaj ajo që e shton nevojën për bashkëpunim e i detyron partitë kosovare që të jenë më të rezervuara në sulme ndaj njëra tjetrës, është qeverisja vendore e cila ka goxha pushtet. Sistemi politik në Kosovë i detyron të njëjtat parti që janë në koalicion qeverisje vendore që të jenë kundërshtare në qeverisje lokale dhe anasjelltas.

Një ndër gabimet tipike që bëhen shpesh edhe përkundrejt Shqipërisë e vendeve të tjera të tranzicionit, është fakti që sistemi politik i Kosovës më shumë bazohet në demokracinë bashkëvepruese apo të ashtuquajturën konsocionale sesa në demokracinë konkurruese apo mazhoritare. Termi demokraci konsocionale e ka origjinën tek studimet e Arend Lijphart bën analizën e sistemeve politike të vendeve të Skandinavisë dhe të Beneluksit. Thelbi i kësaj demokracie nuk është vetëm gara dhe qeverisja e shumicës por bashkëpunimi dhe vendim-marrja e bërë me maksimumin e konsenusit duke përfshirë të gjitha segmentet e ndryshme të shoqërisë. Pra kompensimi i rrezikut të tiranisë së shumicës që ka demokracia, me instrumente institucionalë që përfshijnë edhe pakicat në vendimmarrje. Këtu bëhet fjalë për një organizim politik që shmang jo vetëm konfliktin ndëretnik por edhe intraetnik , duke i detyruar palët që të merren vesh. Me sa duket këtë gjë mbështetësit e Vetëvendosjes e kanë të paqartë, të cilët po kundërshtojnë që LVV-ja të bëjë lëshime në pozita për LDK-në.

Ky sistem i demokracisë konsocionale i bashkëndarjes apo bashkëpërfshirjes së pushtetit politik ka katër tipare kryesore dalluese. Së pari është tendenca për të pasur qeveri të koalicioneve të gjera me përfshirje të shumë partive nga segmente të shumta të shoqërisë (sikurse është nevoja aktuale e Kosovës). Së dyti ka të bëjë me autonominë relative në aspektin kulturor të grupimeve të ndryshme ku në rastin e Kosovës ka të bëjë me akomodimin kulturor të serbëve dhe pakicave të tjera (elektorale). Së treti ka të bëjë me proporcionalitetin qoftë në sistemin elektoral dhe qoftë në marrjen e përgjegjësive dhe pozitave politike apo në punësimin në sektorin publik. Së fundmi ka të bëjë me veton e pakicave, ku vendime të rëndësishme nuk mund të merren thjesht nga shumica por kërkojnë edhe miratimin e pakicave (sikurse ka qenë debati për ligjet e formimit të ushtrisë). Përderisa nuk ka ndonjë reformë kushtetuese në horizont që do ta ndryshonte rrënjësisht sistemin politik këto ngelen rregullat e lojës së demokracisë kosovare. Për rrjedhojë, ashtu sikurse ka rishikuar e ripërpunuar qëndrimet e saj përkundrejt shumë zhvillimeve në Kosovë (si për shembull njohja e shtetit me simbolet e saja, hyrja në zgjedhje demokratike e heqja dorë nga portretizimi i SHBA-ve e aleatëve të tjerë si armiq imperialistë) duhet që LVV të vetëdijësohet e të kuptojë siç duhet sistemin e demokracisë kosovare pra edhe nevojën për kompromis e ndarje pushteti me parti të tjera.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.