Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Koha për ta rivlerësuar qasjen e BE-së karshi Serbisë

Original article.

Sulmi i fundit në Banjskë vë në dritë prova të qarta të përfshirjes dhe mbështetjes së drejtpërdrejtë të Beogradit. Pavarësisht fakteve të këtilla, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, refuzoi të merrte përgjegjësi.

Parlamenti Europian miratoi një rezolutë që dënonte sulmin dhe i kërkonte Serbisë të bashkëpunonte lidhur me hetimet. Megjithëkëtë, kjo rezolutë duhet të shoqërohet me sanksione, ashtu që Serbia të mbahet përgjegjëse për veprimet e saj. Më e rëndësishmja në këtë mes, ky incident nënvizon urgjencën e rivlerësimit të qasjes së BE-së karshi Serbisë.

Sulmi në Banjskë shpërfaq përfshirjen e drejtpërdrejtë të Beogradit

Sulmi në Banjskë më 24 shtator, i kryer nga një grup i armatosur rëndë i serbëve, rezultoi me vdekjen e një polici të Kosovës dhe plagosjen e një tjetri.

Provat tregojnë që grupi ishte i koordinuar dhe i pajisur me armë të sofistikuara të nivelit ushtarak. Një sulm i përmasave të tilla s’do të kishte qenë i mundur pa mbështetjen dhe dijeninë e Serbisë.

Sipas provave të konfiskuara, paraushtarakët ishin trajnuar në Pasulianske Livade, një nga bazat kyçe të ushtrisë serbe, vetëm katër ditë para sulmit. Për më tepër, pamjet me dron treguan se sulmi u udhëhoq nga Milan Radoiçiq, që gjendet në listën e zezë të ShBA-së për aktivitete kriminale.

Radoiçiq, ish-nënkryetari i partisë politike Lista Serbe, ka pranuar se ka udhëhequr sulmin terrorist në veri të Kosovës. Ai u arrestua në Serbi, por u lirua një ditë më vonë. Në vend të paraburgimit njëmujor, dënimi i vetëm që mori ishte paraqitja në stacionin policor çdo dy javë dhe ndalimi për të shkuar në Kosovë.

Pas sulmit u gjetën sasi të konsiderueshme armësh dhe municionesh, përfshirë disa që kalonin nëpër qendrat e mirëmbajtjes shtetërore serbe. Po ashtu, u gjetën edhe armë ushtarake të vitit 2021 – furnizime nga ushtria serbe.

Prova është më se e qartë dhe e prekshme, dhe si e tillë nuk mund të mohohet. Megjithëkëtë, Vuçiqi refuzoi të marrë përgjegjësi dhe në vend të kësaj shpalli një ditë zie për sulmuesit e vdekur.

Cili ishte reagimi i BE-së?

Reagimi i BE-së ishte i shpejtë, duke dënuar sulmin si terrorist dhe duke bërë thirrje që të gjithë autorët e tij të sillen përpara drejtësisë.

Parlamenti i BE-së (PE) së fundmi miratoi një rezolutë të përbashkët, e cila e njeh dhe dënon sulmin terrorist të kryer nga paraushtarakët serbë në veri të Kosovës dhe po ashtu i bën thirrje Serbisë të bashkëpunojë pa asnjë rezervë në lidhje me hetimet, si dhe të përmbahet nga çdo përshkallëzim i mëtejshëm, i cili do të minonte rendin kushtetues të Kosovës.

Për më tepër, dokumenti i kërkon BE-së të propozojë një qasje të re, inovative dhe të balancuar për ndërmjetësimin midis palëve, ashtu që të rikthehet besimi në proces.

Rezoluta e PE-së paraqet një hap të rëndësishëm, të sigurt dhe të drejtpërdrejtë. Ai pranon peshën e asaj se çfarë në të vërtetë ngjau. Megjithëkëtë, rezoluta duhet të shoqërohet edhe me sanksione. Sjellja luftarake e Serbisë duhet të ndëshkohet.

Nuk duhet lejuar të mendojmë që qetësia që po duket se po mbizotëron pas sulmit të 24 shtatorit nënkupton se çdo gjë është në rregull. Sulmi i fundit terrorist dhe përfshirja e qartë e Beogradit shënjojnë përshkallëzimit më të rëndë në Kosovë në dekadën e fundit. Po ashtu, ajo është reminishencë e dukshme e skenarëve që Serbia ka përdorur për fillimin e luftërave në vitet 1990.

Çfarë duhet të bëjë BE-ja?

Sulmi në veri të Kosovës është një përkujtues se si paqja në rajon është ende e brishtë. BE-ja duhet ta rishqyrtojë seriozisht qëndrimin e saj karshi Serbisë dhe të veprojë me vendosmëri.

BE-ja duhet të ndalë kanalizimin e fondeve drejt Beogradit për aq kohë sa vendi nuk tregon angazhim konstruktiv dhe respektim për marrëveshjen e normalizimit, të arritur në mars 2023.

Për më tepër, rezoluta e PE-së duhet të miratohet dhe mbështetet nga Këshilli i Bashkimit Europian dhe Komisioni i BE-së. Kjo do t’i dërgonte një sinjal të fortë Vuçiqit se cilado përpjekje destabilizuese dhe agresive do të ndëshkohet.

Ndërkohë që rezoluta e fundit e PE-së është një shenjë pozitive, prapë se prapë ajo nuk mjafton kur vihet përballë peshës dhe seriozitetit të asaj që ngjau më 24 shtator. Një sulm i tillë terrorist nuk mund të tolerohet. Prandaj, BE-ja duhet t’i shqyrtojë sanksionet karshi Serbisë.

Për më tepër, Brukseli duhet ta rishqyrtojë formatin e procesit të dialogut, sepse formati aktual nuk po funksionon. Brukseli duhet ta rikëndellë kredibilitetin e vet, duke u bërë presion pesë vendeve anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën që ta ndryshojnë qëndrimin e tyre dhe përfundimisht ta njohin Kosovën si vend të pavarur. Kjo do t’ia bënte më të kollajtë BE-së që ta lehtësonte rrugën drejt një zgjidhjeje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.