Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

Masat e BE-së u hoqën, por dëmi është bërë

Ilustrimi nga Big Eye.

Më 17 dhjetor, presidentja Vjosa Osmani njoftoi se është marrë vendimi për heqjen e masave ndëshkimore të BE-së ndaj Kosovës, si dhe për lirimin e së paku 181 milionë eurove që kishin qenë të bllokuara.

Heqja e masave përbën një lajm të mirë për Kosovën, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik. Megjithatë, bëhet fjalë për një lajm të vonuar, pasi vendet e tjera të rajonit tashmë kanë përfituar nga fondet europiane, ndërkohë që Kosova ka qenë e ballafaquar me bllokadë financiare, pikërisht në një periudhë krize dhe inflacioni, kur kostoja e jetesës është bërë e papërballueshme për një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve.

Merita kryesore për këtë zhvillim pozitiv mund t’i atribuohet presidentes së vendit, e cila ka qenë e vetmja përfaqësuese institucionale që e ka trajtuar seriozisht dhe në mënyrë të vazhdueshme çështjen e heqjes së masave.

Ndërkohë, Qeveria Kurti ka qenë e angazhuar kryesisht në beteja të brendshme politike dhe në prodhimin e bllokadave institucionale, në vend që të përqendrohej në adresimin e problemeve reale me të cilat përballen qytetarët dhe në menaxhimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë.

Që nga fillimi, masat e BE-së mund të ishin shmangur sikur qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti të kishte vepruar në mënyrë strategjike dhe të koordinuar në implementimin e politikave në veri të vendit.

Po të kishte pasur një bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, dhe po të ishte investuar kohë dhe energji për t’i bindur ata mbi domosdoshmërinë e veprimeve në veri, këto politika do të kishin gjetur mbështetje, edhe nëse implementimi i tyre do të kërkonte më shumë kohë.

Mbi të gjitha, do të ishte shmangur një situatë ku Kosova u ngarkua e vetme me përgjegjësinë për dështimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe për përkeqësimin e raporteve ndëretnike.

Veprimet e Qeverisë Kurti në veri krijuan një optikë të presionit politik dhe ekonomik ndaj komunitetit serb, me vendime të njëpasnjëshme për të treguar muskujt. Përderisa Kurti e fitonte betejën me elektoratin, nëpër botë Kosova shfaqej si një vend që po degradonte drejt autoritarizmit.

Pra, masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës jo domosdoshmërisht kanë qenë të gabuara, pasi në thelb kanë pasur për qëllim shtrirjen e sovranitetit dhe ligjshmërisë në veriun e vendit, por janë ekzekutuar në mënyrë aq të gabuar dhe kanë krijuar një situatë shumë të keqe duke mos lënë hapësirë për bashkëpunim me aleatët perëndimorë.

Mungesa e koordinimit me partnerët ndërkombëtarë ka prodhuar një situatë të frustrimit me politikat e kryeministrit Kurti. Edhe pse masat tashmë janë larguar, dëmi që Qeveria Kurti i ka shkaktuar vendit është shumëdimensional.

Aleatët tradicionalë të Kosovës tashmë kanë filluar t’i kthejnë shpinën vendit dhe të përqendrohen në çështje të tjera, më prioritare për agjendat e tyre. Fakti që Kosova arriti t’i zhgënjejë partnerët e saj deri në atë masë sa të arrihej unanimitet brenda BE-së për vendosjen e sanksioneve është tejet shqetësues.

Për më tepër, ky zhgënjim ka kaluar edhe përtej Atlantikut. SHBA-ja ka pezulluar dialogun strategjik me Kosovën, duke e bërë të qartë se vendi nuk perceptohet më si një partner i besueshëm në qarqet perëndimore.

Përtej dëmit politik, dëmi financiar ka qenë i madh. Masat e BE-së kanë pezulluar ose vonuar projekte me vlerë rreth 613.4 milionë euro, duke ndikuar sektorë kyçë, si mjedisi (350.7 milionë euro), energjia (114.4 milionë euro), digjitalizimi (rreth 57 milionë euro) dhe kultura (15 milionë euro).

Kjo ka rezultuar në humbje direkte prej 7.1 milionë eurosh për shkak të afateve të kaluara, si dhe rritje kostosh, ndërprerje në shërbime publike dhe pengesa në zhvillimin ekonomik, veçanërisht në një periudhë inflacioni dhe varësie nga ndihma e jashtme. Për më tepër, mbi 218 milionë euro nga IPA II dhe III, plus 395.5 milionë euro nga WBIF, kanë mbetur të bllokuara, duke thelluar pabarazitë rajonale dhe duke dobësuar integrimin e Kosovës në BE.

Asnjë qeveri e Kosovës nuk do të duhej t’i konsideronte si të mirëqena marrëdhëniet me aleatët perëndimorë.

Vendimet që kanë potencial të përshkallëzojnë tensionet ndëretnike, apo të ndikojnë negativisht procesin e normalizimit me Serbinë, duhet domosdoshmërisht të koordinohen paraprakisht me vendimmarrësit perëndimorë. Në rast mospajtimi, rruga e vetme është diplomacia aktive, lobimi dhe bindja, dhe jo veprimet e njëanshme.

Zgjedhjet e reja të 28 dhjetorit ofrojnë një mundësi të re. Institucionet që do të dalin nga këto zgjedhje duhet të kenë si prioritet absolut rikthimin e besimit dhe sanimin e marrëdhënieve të dëmtuara me partnerët ndërkombëtarë.

Kosova nuk e ka luksin të jetë një shtet ndaj të cilit vendosen sanksione dhe pezullohen dialogë strategjikë. Koha e humbur ka qenë e konsiderueshme dhe institucionet e reja duhet të fokusohen seriozisht në politikën e jashtme, për të korrigjuar gabimet e pesë vjetëve të fundit.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.