Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Mbulimi medial i tragjedive

Ilustrimi: Big Eye

Dje, në orën e pasdites, një i ri gjeti vdekjen derisa ndodhej në karantinën 14 ditore, masë kjo që ishte vendosur nga Qeveria e Kosovës kundër përhapjes së pandemisë, COVID-19. Lajmin e mësuam nga mediat online. U bë e ditur me emër dhe mbiemër për kë bëhej fjalë, u publikua fotografia e tij, madje u kuptua edhe diagnoza e tij shëndetësore. Nuk pati privatësi as për familjen e të ndjerit. Mungesa e ndjeshmërisë për ‘publicitetin’ e këtij lajmi, gjatë kësaj kohe izolimi, vetëm çka i kontribuon më shumë rritjes së shqetësimit. Dhe sikur kjo nuk mjaftoi, dhe ky rast u fut edhe në mullirin e luftës politike, ndërkohë që akuzat po sillen poshtë e lart.

Është me rëndësi të theksohet se ‘vetëvrasja’ si çdo fenomen tjetër shoqëror, është tejet kompleks dhe shumëdimenional, rrjedhimisht nuk mund të gjykohet vetëm nga një kënd si tërësi. Faktorë të shumtë e të ndryshëm mund t’i çojnë njerëzit drejtë fatalitetit. Me vetëvrasjen si fenomen janë marrë shumë disiplina të shkencave shoqërore dhe ka qenë preokupim edhe i filozofëve, që nga Platoni e deri te Kamyja dhe vazhdon edhe sot të jetë një ndër temat më enigmatike dhe njëkohësisht edhe më sfidueset për shoqëritë në botë. Sipas një numri të konsiderueshëm shkollarësh të mediave, psikologëve e sociologëve, publiciteti i ‘vetëvrasjeve’ ndikon negativisht në gjendjen emocionale të njerëzve, dhe bëhet edhe më i rrezikshëm sidomos për grupet që janë më të cenueshme. Në sociologji, ky fenomen njihet si “Werther Effect”, ose efekti i ngjitjes (suicide contagion). Ndërlidhja shkakësore e mediave me fenomenin e vetëvrasjeve nuk është shpikje e re. Kjo hipotezë daton qysh në shekullin e 18-të, me publikimin e veprës “Vuajtjet e djaloshit Verter” (Die Leiden des jungen Werthers), të shkrimtarit gjerman, Johan Wolfgang von Goethe, në vitin 1774. Ky libër i shkruar në formë letërkëmbimesh, pati jehonë të madhe në publik dhe do të njihet më vonë edhe si njëri ndër librat më të spikatur të letërsisë gjermane të shekullit 18-të. Njëkohësisht do të mbahet mend edhe si një libër i ndaluar.

Libri në fjalë flet për një histori të pafat dashurie, në të cilin ndodhej personazhi i quajtur Werther, i cili, duke mos mundur të bëhet bashkë me vajzën që e do, Charlotten, e cila ishte e fejuar për një tjetër, përfundon duke kryer vetëvrasje. Libri do të arrinte majat e suksesit, por edhe do të prodhonte kundërefektin, duke rritur kështu numrin e vetëvrasjeve menjëherë pas publikimit. Sipas të dhënave të mbledhura nga autoritetet e kohës, tregon sociologu David P. Philips, shumë njerëz në momentet fatale të tyre u gjetën me fragmente të shkëputura të librit në xhep, ose edhe të veshur njëjtë si personazhi Werther, xhaketë blu, pantallona jeshile dhe këmishë të hapur. I ndjerë në faj dhe njëkohësisht i shokuar rreth këtyre ngjarjeve, vetë Goethe do të shkruante:  “Sapo iu gëzova arritjes sime për të shndërruar realitetin në poezi, miqtë e mi e keqkuptuan duke menduar që të shndërrojnë poezinë në realitet, duke u pajtuar me  veprën, duke e luajtur atë dhe duke i dhënë fund jetës”. Botimi i kësaj vepre do të ndalohej më vonë në Danimarkë, Itali dhe Gjermani.

Që nga ajo kohë, do të kalonin plot 200 vite, kur kjo temë do të rikthehej edhe njëherë më fuqishëm në spektrin akademik në vitin 1974. Sociologu, David P.Phillips do të sfidonte gjetjet e Emil Durkhemit, sipas të cilit lidhja e publicitetit të këtyre rasteve në media nuk ishte aq shqetësues në nivel nacional. Phillips do të paraqiste të dhëna empirike që do të mbështetnin edhe më fuqishëm shkakshmërinë që mund të prodhojë publiciteti i madh i këtyre rasteve në rritjen e vetëvrasjeve. Sipas gjetjeve të tij, sa më shumë i bëhet publicitet këtyre lajmeve, aq më shumë rritet shkalla e vetëvrasjeve. Si shembull, ai analizoi raportimin e faqeve të para të gazetave të rastit të Daniel Burros, liderit të Ku Klux Klan, i cili kreu vetëvrasje në vitin 1965.  Pas vetëm 1 muaji të raportimit të këtij lajmi, numri i vetëvrasjeve do të rritej për 1710 raste. Shumë shembuj të tjerë më vonë përgjatë historisë, e sidomos pas vetëvrasjeve të njerëzve të famshëm, do të përforconin edhe më shumë hipotezën e tij.

Pas kësaj, institucione dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare në shtete të ndryshme të botës do të hartonin politika e ligje, udhëzues e rekomandime për mediat sesi të raportohet për këto raste. Udhëzuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i publikuar në vitin 2008 dhe i përditësuar në vitin 2017, u rekomandon mediave që të evitojnë përdorimin e emërimit ‘vetëvrasje’ në titujt e gazetave, të mos përshkruhet metoda sesi është kryer akti, të mos publikohen fotografi apo video nga vend i ngjarjes e një mori rekomandimesh të tjera. Rastet e tilla, ku janë të nevojshme për raportim dhe informim të publikut,  rekomandohet të përcillen me kujdes të shtuar, pa dhënë shumë detaje rreth ngjarjes dhe me përshkrimi sa më sipërfaqësor. Një kampanjë e suksesshme për mediat, e inicuar nga Asosacioni Austriak për Parandalimin e Vetëvrasjeve (ÖVSKK) në vitit 1987 në Austri, do të jepte rezultate të jashtëzakonshme duke shënuar uljen e shkallës së vetëvrasjeve për 80%, vetëm pas përdorimit të udhëzuesve nga ana e mediave rreth mos raportimit të këtyre rasteve.

Përgjatë viteve, në Kosovë me dhjetëra raste të tilla përcillen nga mediat në mënyrë shumë eksplicite, duke mos i marrë parasysh fare rekomandimet e Organizatë Botërore të Shëndetësisë. Ella Arensman, ish kryetare e Asosacionit Ndërkombëtar për Parandalimin e Vetëvrasjeve (IASP), i sheh mediat si faktorët kyç që mund të kontribuojnë në parandalimin e vetëvrasjeve, andaj edhe roli i tyre është jashtëzakonisht i rëndësishëm.  Më shumë se kurrë sot kemi nevojë për mbështetjen e mediave.

Heronj janë ata që i kontribuojnë sot çdo tentative për të zbutur gjendjen, e cila është krijuar si rezultat i pandemisë. Fenomeni i vetëvrasjeve mbetet sfidë për shumë vende edhe më të zhvilluara se Kosova, por bëhet edhe më sfidë në këtë kohë kur njerëzit janë të izoluar dhe mundësitë e tyre të lëvizjes janë ende të kufizuara. Kur është puna te shëndeti mendor dhe jeta e njerëzve, duhet të hiqet dorë nga ngarendja për shikueshmëri dhe informimi sa më eksplicit të audiencës.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.