Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Mosanëtarësimi në Këshillin e Europës: dështimi i radhës i Qeverisë Kurti

Ilustrimi nga: BigEye

Më 17 maj 2024, u mbajt takimi i ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të Këshillit të Europës (KiE). Në këtë takim, shpresat e Qeverisë ishin që Kosova të futej në agjendë dhe të votohej për anëtarësim në KiE.

Megjithatë, shpresat e Kosovës u shuan kur Qeveria e vendit, në kundërshtim edhe me Raportin e raportueses për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, Dora Bakoyannis, nuk ndërmori hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (AKS). 

Kosovës iu kërkua dërgimi për shqyrtim i draft-statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese. Ky hap konkret do të mjaftonte që Kosova të futej në agjendë dhe, falë përkrahjes së madhe që mori në Asamblenë Parlamentare, me siguri që do të bëhej shteti i 47-të i KiE-së. 

Megjithatë, leximi i gabuar i situatës dhe i raportit të Dora Bakoyannis-it bëri që Kosova ta humbiste edhe këtë shansë.

Specifikisht, Pika 11 e këtij raporti kërkonte që Kosova pa vonesë të ndërmerrte hapa drejt krijimit të Asociacionit. Leximi që po i bëhej në Kosovë kësaj ishte se, në këtë fazë, Kosova do të mund ta shtynte akoma më shumë formimin e Asociacionit – konkretisht, deri pas anëtarësimit. 

Ky interpretim, përpos që i gabuar, tregon edhe një herë jokompetencën e Qeverisë Kurti në politikën e jashtme. Qeveria nuk ka ditur që në mënyrë strategjike të lobojë te partnerët e vet që kjo çështje të mos bëhet pengesë për futjen në agjendë. Kjo do të mund të bëhej duke dhënë zotime për afatet e sakta kohore për hapat që Kosova do t’i ndërmarrë drejt themelimit të Asociacionit.

Ne vend që të jetë konstruktiv dhe t’i marrë seriozisht obligimet dhe zotimet politike, Kurti vendosi ta luajë viktimën, duke thënë se nuk e kishte pritur një gjë të tillë nga shtetet aleate të Kosovës.

Kjo situatë, në realitet, ishte një situatë e pamundur për t’u kapërdirë për Qeverinë Kurti, e cila në vazhdimësi e ka përdorur këtë temë për nevoja populizmi, duke e shndërruar Asociacion në një ‘gogol’ dhe duke e paraqitur atë si rrezik për ‘bosnjëzimin’ e Kosovës. Këtë temë e ka kthyer në kauzë politike, duke organizuar protesta e demonstrata, duke shkatërruar pronën publike e duke gjuajtur edhe gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Në këtë situatë dëshpërimi, cilido veprim i Qeverisë në raport me KiE-në do të përbënte një sukses dhe një dështim. Mirëpo, se kjo qeveri do ta sakrifikonte Asociacionin për anëtarësim në KiE, nuk kishte dyshim. Thënë thjesht, Kurti nuk dëshironte që ai të ishte personi i cili e dërgon draftin për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese, apo e themelon atë. Mirëpo, s’do ta pengonte këdo tjetër ta bënte këtë gjë.

Kjo është lehtësisht e kuptueshme kur një ditë para mbledhjes, në një përpjekje të fundit për një sukses dëshpërimisht të nevojshëm, kryediplomatja Donika Gërvalla-Schwarz e shpërfaqi edhe haptazi amatorizmin e saj. Në një letër drejtuar presidentit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, Gërvalla-Schwarz u mundua që të mashtrojë se Kosova ka ndërmarrë veprime drejt dërgimit në Kushtetuese të draftit të përpiluar nga Fondacioni Friedrich Ebert. Problemi, në fakt, qëndron te ajo se Kosova nuk kishte ndërmarrë veprime konkrete dhe, për më tepër, Qeveria e kishte anashkaluar draftin europian, duke ngjallur kështu edhe reagime nga presidenti francez Macron, kancelari gjerman Scholz dhe kryeministrja italiane Meloni.

Ishte e qartë që përpjekjet e fundit të Kosovës për anëtarësim këtë vit ishin të vonshme dhe jokonstruktive. Megjithatë, në vend se kjo situatë të shërbente si mësim, Gërvalla-Schwarz, në mënyrë qesharake, bëri të ditur se oferta për ta dërguar draftin në Gjykatën Kushtetuese nuk vlente më, pasi Kosova nuk ishte futur në agjendë. 

Problemi me këtë qasje është se Kosova përsëri do të duhet të trokasë në dyert e KiE-së dhe përsëri kushtet për anëtarësim do të jenë të njëjta – në mos me ndonjë kusht shtesë. Dhe, përsëri, Kosova mund të mos futet në agjendë, nëse në ndërkohë, deri në mbledhjen e radhës, nuk ndërmerr hapat konkretë për themelimin e Asociacionit, i cili derivon nga një marrëveshje ndërkombëtare, e ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës dhe e obliguar për zbatim nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Megjithatë, deri më tani, akoma askush nuk ka dhënë përgjegjësi për dështimin në KiE dhe nuk ka ndodhur asnjë dorëheqje apo shkarkim. Dëmi i shkaktuar vendit në politikën e jashtme nga veprimet amatoreske të kësaj qeverie do të ketë pasoja për një kohë të gjatë. Prandaj, është e domosdoshme që papërgjegjësia dhe mungesa e llogaridhënies të ndëshkohen, në mos nga ata që janë të veshur me pushtet, atëherë nga qytetarët e vendit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.