Më 23 prill, Kosova miratoi projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit të tregut.
Ky ligj përcakton çmimet tavan për produktet si buka, mielli, orizi, vajrat ushqimorë, vezët dhe produktet e higjienës personale, mes të tjerash, për të parandaluar rritjen e çmimeve për produktet themelore.
Projektligji ishte kritikuar për mospërputhjen ndërmjet detyrimit për rishikim mujor të masave dhe funksionimit të bordit.
Ligji obligon bordin të takohet çdo tre muaj, ndërsa rishikimi i masave duhet të realizohet një herë në muaj. Pra, një kontradiktë në vetvete sepse rishikimi duhet të bëhet më shpesh sesa që bordi ka për obligim të takohet.
Problem tjetër është fakti se bordi zgjidhet me shumicë të thjeshtë parlamentare të Kuvendit të Kosovës, të cilën tashmë e zotëron partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, dhe i krijon hapësirë pushtetit ta kontrollojë bordin përmes emërimeve politike.
Në aktgjykimin e lëshuar më 24 nëntor 2023, në tentimin e parë për projektligjin për çmimet tavan, Gjykata Kushtetuese kishte lënë hapësirë që Kosova të ketë një ligj të tillë, por vetëm duke pasur një bord të pavarur dhe profesional i cili do të aktivizohej vetëm në raste krizash.
Pos kësaj, ligji ka lejuar hapësirë terminologjike për interpretim, duke mos qartësuar nocione si i “përkohshëm” dhe “destabilizim i tregut”, duke i mundësuar kësisoj Qeverisë që të aktivizojë bordin për përcaktimin e çmimeve me ose pa nevojë, e duke interpretuar një situatë si krizë pa qenë realisht e tillë.
Në përgjithësi, ligji përmban paqartësi ligjore dhe dilema në zbatim praktik, si dhe rrezikon mosarritjen e qëllimeve për frenimin e abuzimeve me çmime nga tregtarët.
Për më tepër, ai mund të ndikojë negativisht në importet në Kosovë, duke i lënë konsumatorët me më pak alternativa për blerjen e produkteve cilësore, siç ka paralajmëruar edhe Oda Ekonomike e Kosovës.
Meqenëse Ligji është i destinuar të zbatohej vetëm në situata krize, siç mund të jenë konfliktet me ndikim ndërkombëtar (për shembull lufta në Iran), Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që i është përgjigjur kësaj krize vetëm përmes kontrollit të çmimeve. Kosova ka vendosur kufizime mbi marzhën tregtare për çmimet e karburanteve nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).
Ndërkaq, vendet e rajonit kanë ndërmarrë politika praktike që t’i përgjigjen krizës.
Shqipëria ka ulur akcizën për 5 ditë, ndërsa Serbia ka liruar akcizën për 25%, si dhe ka lëshuar disa rezerva të karburanteve. Tutje, Bosnjë-Hercegovina ka ulur përkohësisht akcizën dhe Maqedonia e Veriut ka ulur akcizën dhe TVSH-në për karburante. Ndërsa, Mali i Zi ka ulur akcizën për 50%.
Kosova kishte në dispozicion mundësinë që përkohësisht të zvogëlonte akcizën dhe TVSH-në për karburantet, si një masë për të lehtësuar barrën mbi qytetarët dhe bizneset gjatë rritjes së çmimeve. Megjithatë, Qeveria e Kosovës refuzoi ta ndërmarrë një hap të tillë dhe u mjaftua vetëm me kontrollimin e çmimeve.
Tashmë, kjo qasje po zgjerohet edhe te produktet themelore, ndonëse ekonomistët paralajmërojnë se masa të tilla mund të shkaktojnë shtrembërim të konkurrencës, ulje të furnizimit për shkak të mungesës së interesit të importuesve, nxitje të tregut informal, si dhe rënie të cilësisë së produkteve për shkak të presionit mbi marzhat e fitimit.
Mosulja e akcizës në raste krizash nënkupton që “shteti përfiton nga kriza”, teksa qytetarët dobësohen financiarisht.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), më 2026 inflacioni ka arritur vlerën prej 6.7%, krahasuar me shtetet fqinje si Shqipëria me normën e inflacionit 2.6%, Serbia 2.8%, Mali i Zi 3.1%, Bosnjë-Hercegovina 3.4% dhe Maqedonia e Veriut 4.9%.
Ndërsa, Qeveria vazhdon të insistojë që zgjidhje është kontrollimi i çmimeve, jo politikat konkrete ekonomike përballë krizave.
Në planin afatgjatë, zgjerimi i rolit të shtetit drejt kontrollit të drejtpërdrejtë të çmimeve rrezikon ta bëjë ekonominë e Kosovës më pak konkurruese, më pak atraktive për investime dhe më të varur nga ndërhyrjet administrative.
Politikat që fokusohen vetëm në kufizimin e çmimeve, pa adresuar barrën fiskale dhe shkaqet reale të inflacionit, krijojnë pasoja zinxhirore, si dekurajim të importuesve, tkurrje të ofertës në treg, rritje të ekonomisë informale dhe ulje të cilësisë së produkteve.





























































