Siç edhe pritej, konflikti në Iran ndikoi në rritjen e çmimeve të derivateve të naftës në tregun e Kosovës, i cili shënoi rritje për 20 centë për litër, nga 1.17 euro për litër në 1.37 euro për litër.
Pra, rritja e çmimit të naftës u rrit për 17%, edhe pse Dogana e Kosovës deklaroi se çmimi për importin e naftës është rritur për vetëm 1.5 cent për litër.
Kosova ka një udhëzim administrativ, që rregullon çmimet e naftës në raste të tilla, duke caktuar marzhë fitimi 12 centë për litër për shitjen me pakicë dhe 2 centë për shitjen me shumicë.
Me gjithë rikonfirmimin rreth zbatimit të kësaj baze ligjore nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, marzha e fitimit që më 10 mars 2026 nënkuptonte të arrinte deri në 1.55 cent për litër, në realitet çmimi shkoi deri në 1.60 cent.
Por, pse është çmimi i naftës kaq i rëndësishëm?
Indikatorët ekonomikë tregojnë se çmimet e derivateve në mënyrë zinxhirore mund të ndikojnë në hovin e rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore në Kosovë, të cilat nuk kanë të ndalur që nga viti 2021.
Kjo gjë konfirmohet edhe nga të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK). Në muajin shkurt 2026, inflacioni është 6% krahasuar me shkurtin e vitit 2025, që jepte normën 1.7% të inflacionit të çmimeve të konsumit.
Inflacioni standard i menaxhueshëm konsiderohet 2%, ndërsa norma 6% për Kosovën është rritje e ndjeshme e çmimeve dhe ulje e fuqisë blerëse.
Ndërkaq, Qeveria e Kosovës, në mungesë të strategjisë, vazhdon të mos ndërhyjë me veprime konkrete, duke e hedhur fajin te mungesa e një ligji për vendosjen e çmimeve tavan.
Në tetor të vitit 2022, me iniciativë të Qeverisë Kurti, Kuvendi i Kosovës pati miratuar Ligjin për vendosjen e çmimeve tavan për produktet themelore, si: drithërat, buka, mielli, orizi, vajrat ushqimorë, vezët dhe produktet e higjienës personale.
Por, ky ligj u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me ç’rast Gjykata, në nëntor të vitit 2023, vendosi se ligji ishte antikushtetues.
Pas këtij vendimi, qeveria e Albin Kurtit filloi ta përdorte këtë aktgjykim si arsyetim se nuk mund të ndërhynte në frenimin e inflacionit dhe, që nga atëherë, ishte pothuajse krejtësisht pasive karshi problemit të inflacionit.
Megjithatë, edhe në mungesë të një ligji i cili përcakton vendosjen e çmimeve tavan për produkte specifike, Kosova ka infrastrukturë ligjore për luftimin e abuzimeve në treg dhe mbrojtjen e konsumatorit.
Një ndër mekanizmat kryesorë është Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit, i cili garanton transparencë në treg dhe obligon bizneset të paraqesin qartë çmimet, duke ndaluar praktikat mashtruese apo të padrejta ndaj konsumatorëve.
Një mekanizëm tjetër i rëndësishëm është Ligji për Mbrojtjen e Konkurrencës, i cili synon të ruajë funksionimin e një tregu të lirë, duke ndaluar marrëveshjet e fshehta ndërmjet kompanive për rritjen e çmimeve dhe duke sanksionuar abuzimin me pozitën dominuese në treg.
Në nivel institucional, Autoriteti i Konkurrencës ka rol në hetimin dhe ndëshkimin e praktikave antikonkurruese që mund të çojnë në rritje artificiale të çmimeve.
Gjithashtu, Inspektorati i Tregut brenda Ministrisë së Tregtisë monitoron zbatimin e rregullave në terren dhe mund të shqiptojë masa ndaj bizneseve që nuk respektojnë transparencën e çmimeve.
Në fund, sistemi gjyqësor ofron mbrojtje juridike dhe mundësi për dëmshpërblim në rast të shkeljeve të të drejtave konsumatore.
Prandaj, në vend të ankesave dhe arsyetimeve, Qeveria Kurti duhet të marrë përgjegjësi për inflacionin e lartë në vend.
Kosova ka në dispozicion mekanizma ligjorë dhe institucionalë për ta luftuar këtë dukuri, por problemi kryesor është se kësaj qeverie po i mungon vullneti për t’u përballur me problemet reale të qytetarëve, duke e larguar përgjegjësinë nga supet e tyre për të drejtuar gishtin te të tjerët.




























































