Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

Protestat historike në Serbi: a po hyn në fazën përfundimtare regjimi i Vuçiqit?

Ilustrimi nga BigEye.

Protestat e vazhdueshme pas tragjedisë në Novi Sad dhe dorëheqja e kryeministrit Vuçeviq e kanë çuar Serbinë zyrtarisht drejt një periudhe të jostabilitetit politik. Dorëheqja e kryeministrit Vuçeviq nuk ia doli t’i shuajë protestat, apo t’i sjellë në tavolinën e bisedimeve studentët, të cilët kanë qenë forca kryesore e protestave.

Në fakt, dorëheqja e tij pati efekt të kundërt, duke u dhënë edhe më shumë kurajë protestuesve. Më 28 janar 2025, ditën kur Vuçeviqi shpalli dorëheqjen e tij, studentët e Novi Sadit shpallën një protestë të madhe, duke planifikuar që më 1 dhe 2 shkurt t’i bllokojnë të gjitha urat e qytetit. Ata ftuan t’u bashkoheshin studentët e Beogradit, të cilët jo vetëm pranuan, por u zotuan se në shenjë solidariteti do të ecnin 80 km deri në Novi Sad. 

Më 31 janar, grupi me 400 studentë nga Beogradi filloi udhëtimin e tyre. Përgjatë rrugës, vendësit i mirëpritën studentët me ushqim e mbështetje, duke krijuar një imazh të fuqishëm të unitetit. Megjithatë, në Indjija, qytezë në veri të Beogradit, kryetari refuzoi t’u ofronte strehim dhe i detyroi studentët që, në acar, të flinin jashtë në një fushë të futbollit. Fotografitë duke i rezistuar të ftohtit, me banorët vendas që u sillnin batanije, shpërfaqën qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë e tyre, duke simbolizuar kësisoj luftën e tyre të palëkundshme për drejtësi dhe ndryshim. 

Më 1 shkurt, në Novi Sad u mblodhën më shumë se 200,000 njerëz, duke shënuar protestën më të madhe në historinë e Serbisë. Qytetarët, për më shumë se 24 orë, bllokuan gjysmën e rrugëve të qytetit dhe tri urat kryesore – Varadinski, Zezelj dhe Liria.  

Kjo do të mbetet në histori si protesta më e madhe qytetare që ka ndodhur ndonjëherë në Novi Sad, duke e tejkaluar Revolucionin Anti-Burokratik (1989), Çlirimin e Qytetit në Luftën e Dytë Botërore (1944), si dhe bashkimin e Vojvodinës me Serbinë (1918). 

Protesta në Novi Sad shënoi ndryshim sizmik në politikën e Serbisë. Studentët serbë mund të nxisin një lëvizje mjaftueshëm të fuqishme për ta shkundur elitën politike të vendit. 

Është e dukshme se presidenti Vuçiq dhe partia në pushtet (SNS) kanë pësuar dëme të pariparueshme. Që nga 1 nëntori 2024, protestat janë përhapur me shpejtësi – në 163 njësi vetëqeverisëse (qytete dhe komuna), nga 168 sosh, janë organizuar demonstrata. 

Për ta zbutur dëmin, Vuçiqi nisi një turne në dy qytete të vogla në Serbinë qendrore, Çiçevac dhe Varvarin, por ky turne nuk shkoi siç qe planifikuar. 

Gjatë takimeve, shumë nga banorët kritikuan hapur atë dhe bashkëpartiakët e tij. Kjo u transmetua drejtpërdrejt në një televizion kombëtar, ndoshta sepse Vuçiqi nuk e priste të përballej me pyetje të vështira. Një moment i veçantë ishte kur një qytetar me aftësi të kufizuara polemizoi me të për çështjet e pensionit, duke e zbehur edhe më shumë pozicionin e Vuçiqit. 

SNS-ja dhe Vuçiqi po duken çdo ditë e më të dobët dhe secila lëvizje e tyre vetëm se po i fuqizon protestuesit. Megjithatë, studentët udhëheqës të lëvizjes nuk janë politikanë, as nuk synojnë të organizohen si parti politike, apo të marrin pjesë në zgjedhje. 

Teksa mbështetja publike është qartazi në favor të studentëve, momentumi i krijuar nga protestat duhet të kanalizohet politikisht. Sidoqoftë, ekziston një mosbesim i thellë midis studentëve dhe udhëheqësve të opozitës. 

Është vendimtare që energjia e akumuluar nga protestuesit të kanalizohet në veprim konkret. Mund të jetë e nevojshme ndonjë mënyrë e bashkëpunimit me partitë opozitare, përndryshe Vuçiqi mund t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe të sigurojë fitoren tjetër. Skenari i tillë, sipas të gjitha gjasave, do ta rikthente legjitimitetin e tij ndërkombëtar dhe do t’i shtypte protestat. Nuk ka vend për hapa të gabuar strategjikë në këtë pikë kyçe.  

Partitë opozitare tashmë u kanë zgjatur dorën e bashkëpunimit studentëve. Proglas, platforma politike që bashkon parti të ndryshme opozitare dhe figura të njohura publike, ka propozuar krijimin e një qeverie të përkohshme tranzitore, me dy objektiva kryesorë: plotësimin e të gjitha kërkesave të studentëve dhe përgatitjen për zgjedhje të lira dhe fer. 

Megjithatë, studentët – me gjasë për shkak të mungesës së besimit – akoma nuk janë përgjigjur rreth këtij propozimi. Protesta e fundit e organizuar nga studentët në Karagujevc në Ditën e Shtetësisë mblodhi më shumë se 200,000 njerëz, duke shenjuar fillimin e fundit të regjimit të Vuçiqit.   

Hapat e ardhshëm që do t’i ndërmarrin studentët do të përcaktojnë nëse ndryshimi i qeverisë do të ndodhë kaq herët në vitin 2025, apo nëse rënia e Vuçiqit do të shtyhet deri në vitin 2027, kur edhe do të mbahen zgjedhjet presidenciale.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.