Rrjetet sociale janë bërë gjithnjë e më të rëndësishme për informim dhe këshilla për shëndetin mendor. Së fundmi, në platformën TikTok, është popullarizuar hashtag-u #mentalhealthtips, me ç’rast shumë njohës të fushës dhe persona të tjerë ofrojnë këshilla për shëndetin mendor.
Por, sa janë të besueshme këto këshilla dhe sugjerime që merren nga ky rrjet social dhe sa profesionale është përmbajtja e tyre?
Mediumi britanik The Guardian analizoi 100 video të publikuara në TikTok, me hashtag-un #mentalhealthtips, dhe i ndau ato me njohës të fushës si psikologët dhe profesorët, të cilët vlerësuan saktësinë e këtyre këshillave.
Studimi identifikoi se më shumë se gjysma e videove përmbanin këshilla joprofesionale dhe propozonin marrjen e suplementeve të dyshimta. Më saktësisht, nga 100 videot e shikuara, 52 jepnin këshilla për probleme si trauma, ankthi, depresioni dhe çrregullime të tjera mendore, por shumë prej tyre përmbanin informacione të pasakta dhe përhapnin dezinformata në publik.
Tutje, këshillat e ofruara bazoheshin kryesisht në përvoja personale apo evidencë anekdotike, nga “influencers” të rrjeteve sociale. Në shumicën e rasteve, këta persona propozonin rezultate “të shpejta” për trajtim.
Përdoruesit e TikTok-ut që ekspozohen ndaj përmbajtjeve të tilla rrezikojnë shëndetin e tyre dhe mund të përfundojnë me pasoja të pariparueshme. Prandaj, nevojitet kujdes i shtuar për identifikimin e këshillave të pabazuara në evidenca shkencore.
Është e domosdoshme që përdoruesit e rrjeteve sociale të kontrollojnë burimin e informacionit, të kërkojnë referenca të bazuara në të dhëna shkencore dhe të jenë skeptikë ndaj premtimeve për “zgjidhje dhe rezultate të shpejta” për probleme të shëndetit mendor. Po ashtu, këshillat që promovojnë produkte pa aprovim profesional duhet të trajtohen me dyshim.
Megjithatë, edhe në rastet kur këto këshilla ofrohen nga njohës të fushës, duhet analizuar konteksti, sepse problemet mendore dallojnë nga individi në individ. Secili individ është unik dhe përjeton vështirësitë mendore në mënyra të ndryshme, të ndikuara nga një sërë faktorësh si historia personale, përkrahja sociale, predispozitat biologjike apo konteksti kulturor. Prandaj, ajo që mund të funksionojë për një person, nuk është domosdoshmërisht e përshtatshme për një tjetër.
Gjithashtu, duhet të hulumtohet nëse personi në fjalë është profesionist i licencuar dhe nëse ofron këshilla bazuar në referenca shkencore, apo thjesht shpreh opinion personal në një platformë që shpesh favorizon përmbajtjen virale mbi cilësinë.
Por, përgjegjësia mbi këtë problematikë nuk mund t’u lihet vetëm njerëzve që kanë nevojë për ndihmë. Një kontribut të rëndësishëm mund të luajnë profesionistet e shëndetit mendor, të cilët mund të ndërmarrin hapa më aktivë, të shkruajnë artikuj profesionalë, të udhëheqin fushata vetëdijesimi, të bashkëpunojnë me shkolla dhe media për edukimin e duhur rreth problemeve të shëndetit mendor.
Roli i mediave, në veçanti, është shumë i rëndësishëm për të rritur nivelin e vetëdijesimit për shëndetin mendor. Fundamentale është që programet e ndryshme që transmetohen në TV, radio, por edhe në platforma të tjera, të kenë prezentë vetëm profesionistë të shëndetit mendor, në mënyrë që informatat e dhëna të jenë profesionale dhe në dobi të qytetareve.
Shteti dhe institucionet duhet të marrin rol udhëheqës për të monitoruar përmbajtjet e rrezikshme, të investojnë në edukim digjital dhe të mbështesin qasjen në kujdes shëndetësor të mirëfilltë.
Edukimi cilësor duhet të fillojë që në shkollë fillore, duke përfshirë në kurrikulën mësimore tema mbi shëndetin mendor dhe edukimin medial. Kjo do t’u mundësonte fëmijëve njohuri të rëndësishme për mirëqenien mendore dhe aftësi digjitale për të dalluar burimet e besueshme nga informacionet joprofesionale.




























































