Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Rruga sfiduese e Kosovës drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare

Ilustrimi nga: BigEye

Lufta në Ukrainë prodhoi një dridhje të fortë të themeleve të rendit botëror, duke i detyruar shtetet që t’i rimendojnë pozicionet e tyre, përfshirë këtu edhe shtetet të cilat profilizohen si neutrale në politikë të jashtme.

Në prani të agresionit rus, shtetet kanë filluar të ngarendin për anëtarësime në organizata të ndryshme të sigurisë kolektive, siç është edhe rasti i fundit me kërkesën e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO.

Marrëdhëniet ndërkombëtare janë shumë komplekse, sepse secili shtet ka interesa dhe objektiva specifikë. Prandaj, për ta lehtësuar bashkëpunimin, komunikimin dhe funksionimin e marrëdhënieve diplomatike, shtetet kanë krijuar organizata të ndryshme ndërkombëtare në fusha të ndryshme.

Shtetet e vogla si Kosova e kanë jetike pjesëmarrjen në organizata multilaterale për të arritur stabilitet dhe një lloj peshe politike në marrëdhënie ndërkombëtare. Andaj, integrimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare nuk është vetëm çështje dëshire por – mbi të gjitha – është domosdoshmëri.

Por, Kosova si një shtet akoma jo-plotësisht i njohur ndërkombëtarisht, e ka edhe një sfidë tjetër që vendet e tjera të rajonit nuk e kanë: faktin që disa vende thjesht ia kontestojnë ekzistencën dhe këtu anëtarësimi në çfarëdo organizate ndërkombëtare bëhet më i komplikuar.

Anëtarësimi në secilën prej tyre e kërkon një mund të madh: përmbushje të kritereve, fushatë intensive lobimi, koordinim të ngushtë me aleatë dhe në fund, në rastin më të mirë, bëhet anëtarësimi. Deri më tani, Kosova është anëtare e disa organizatave të rëndësishme, si: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Organizata Botërore e Doganave, Marrëveshja për Tregti të Lirë e Evropës Qendrore (CEFTA) etj.

Deri më tani anëtarësimi i Kosovës në organizata e mekanizma ndërkombëtarë ka rezultuar falë mbështetjes së aleatëve të saj perëndimorë. Thënë ndryshe, përveç plotësimit të domosdoshëm të kritereve, përkrahja dhe lobimi i aleatëve ka qenë vendimtar për të mundësuar anëtarësimin e Kosovës si anëtare e plotë në ato organizata.

Por, Kosova ende nuk është pjesë e disa organizatave të rëndësishme ndërkombëtare, më e rëndësishmja prej të cilave është Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB). E anëtarësimi në OKB do ta bënte Kosovën të barabartë në mesin e shteteve sovrane. Anëtarësimi në OKB Kosovës do t’i hapte rrugën edhe për anëtarësim në shumë agjenci të specializuara të cilat funksionojnë në kuadër të OKB-së. Andaj, edhe lobimi nga ana e Serbisë dhe aleatëve të saj është veçanërisht i madh për ta bllokuar çfarëdo lloj anëtarësimi të Kosovës në këtë organizatë.

Pavarësisht kësaj, Kosova deri më tani nuk është dekurajuar, por ka vazhduar të aplikojë nëpër të gjitha ato organizata ku i është mundësuar. Përgjatë viteve të fundit, për fat të keq, Kosova ka dështuar të anëtarësohet në Interpol dhe UNESCO, në disa tentime.

Së fundmi, Qeveria e Kosovës e bëri të ditur edhe paraqitjen e kërkesës për aplikim në Këshillin e Evropës (KiE). Me seli në Strasburg, KiE është organizatë në të cilën bëjnë pjesë 46 shtete dhe e cila merret me të drejtat e njeriut, demokracinë, zbatimin e ligjit, etj. Për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, pas paraqitjes së kërkesës për anëtarësim te Sekretari i Përgjithshëm, kërkesa duhet të shqyrtohet nga Komiteti i Ministrave dhe, në fund, kërkesa për anëtarësim duhet të miratohet me 2/3 e votave të Asamblesë Parlamentare të KiE-së.

Por ama një gjë që zakonisht nuk funksionon në diplomaci në përgjithësi, jo vetëm në rastin e Kosovës, është vënia e shteteve të tjera para aktit të kryer. Po të funksiononte si teknikë, pse do të nevojitej diplomacia?

Para çdo aplikimi, pra, nevojitet që institucionet e vendit fillimisht të dakordohen për procedurën e aplikimit me aleatët tanë, të cilat më pas kanë mundësi për ta shtyrë para Kosovën nëpër agjendat e organizatave ku Kosova synon anëtarësim.

Dhe në rastin e dorëzimit të aplikimit për anëtarësim në KiE, nuk duket të jetë bërë një gjë e tillë, pasi pati disa deklarime kontradiktore nga ana e ambasadave të Francës në Prishtinë e Beograd, por akoma më shqetësues është fakti që aplikimi i Kosovës nuk është përmendur fare si pjesë e agjendës së takimit të radhës të Komitetit të Ministrave të KiE-së, që u mbajt në Torino të Italisë më 20 maj. Kjo nënkupton që gjasat e Kosovës për anëtarësim me procedurë të përshpejtuar sivjet janë venitur.

Kosova nuk e ka luksin të bëjë tentativa të dështuara për anëtarësime në organizata ndërkombëtare. Secili dështim i Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare është fitore diplomatike për Serbinë. Kjo për faktin se pas çdo aplikimi të Kosovës pason një fushatë intensive e Serbisë, e cila ka një rrjet më të madh ambasadash dhe fonde më të mëdha për lobim, e rrjedhimisht mundësi më shumë për t’i dëmtuar ambiciet e Kosovës për anëtarësime.

Prandaj, është e nevojshme që Ministria jonë e Punëve të Jashtme të jetë e angazhuar në lobim aktiv e efektiv – qoftë edhe të heshtur – për të siguruar mbështetje dhe garanci nga aleatët për aplikimet e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Në të kundërtën, është më mirë është të mos aplikohet fare, sesa të përfundohet me ‘auto-gol’.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.