Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Shfaqja e Edi Ramës në Athinë: monolog me diasporën në vend të përfaqësimit

Louisa Gouliamaki (Reuters)

Më 12 maj, kryeministri Edi Rama mbajti një takim në Athinë me pjesëtarë të diasporës dhe pakicës shqiptare në Greqi,  i shoqëruar nga një delegacion prej 100 ministrash e deputetësh si dhe 50 gazetarë. Policia greke mori masa të rrepta sigurie, duke angazhuar rreth 1000 efektivë, duke qenë se vizita e kryeministrit Rama ngjalli paraprakisht debate në politikën dhe mediat greke. Zgjedhja e Ramës për ta vizituar Greqinë pikërisht më 12 maj çka përkon me arrestimin e kryebashkiakut të Himarës Fredi Bejleri një vit më parë është perceptuar si provokim nga pala greke. 

Autoritetet greke vunë në pikëpyetje mundësinë e lejimit të kryeministrit të Shqipërisë për ta vizituar Athinën. Megjithatë, Edi Rama reagoi duke u shprehur se “Greqia është një vend demokratik, që s’mund të ndalojë një udhëheqës të kryejë një vizitë private dhe të takohet me bashkëatdhetarët e tij.” Përmes një deklarate me tone të forta në platformën “X”, në të cilën nuk mungonte ironizimi i opozitës greke, Rama theksoi se vizita e tij kishte për qëllim vetëm angazhimin me komunitetin shqiptar në mërgim dhe s’kishte të bënte me çështje të tjera. 

Në retrospektivë

Arrestimi i Fredi Bejlerit dy ditë përpara zgjedhjeve lokale në Shqipëri, në maj 2023, u krye me pretendimin për shkaqe korrupsioni dhe blerje vote. Bejleri është një politikan i djathtë shqiptar me nënshtetësi të dyfishtë, përfaqësues i organizatës Omonia të pakicës greke në Shqipëri dhe një individ me të shkuar të dyshimtë, vazhdimisht nën shënjestrën e autoriteteve për përfshirje në krime të ndryshme, si për shembull, në të ashtuquajturën “Masakra e Pëshkëpisë” në Shqipëri në 1994. 

Qeveria greke e ka konsideruar “politik” arrestimin e Bejlerit, reagim që është shoqëruar me kërcënimin e kryeministrit Kiriakos Mitsotakis për bllokimin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ndër të tjera, një vit më herët, kryebashkiaku i Athinës Kostas Bakojanis, së bashku me kryebashkiakun e Selanikut Kostandinos Zervas, udhëtuan drejt Himarës ku protestuan për lirimin e Bejlerit, gjest ndaj të cilit kryeministri Rama pati reaguar duke u shprehur se “nuk ka rast tjetërkund që përfaqësuesit e votuar të një shteti demokratik, të organizojnë një protestë në një tjetër shtet demokratik, kundër autoriteteve vendase”. 

Megjithatë, çështja Bejleri, që ka ndikuar në marrëdhënien diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë, më tepër se një “mosmarrëveshje politike”, lidhet me pretendimet për interesat e ngushtë dhe përfitimin potencial ekonomik të një grushti oligarkësh dhe qeverisë shqiptare apo asaj greke në rivierën shqiptare. Pala greke në mbështetje të Bejlerit pretendon se pronat në vijën bregdetare të Himarës, të cilat sipas saj i përkasin pakicës greke në Shqipëri dhe që u sekuestruan nga regjimi komunist shqiptar, nuk iu kthyen më pronarëve fillestarë gjatë periudhës së tranzicionit. Përkundrazi, sipas palës greke, qeveria shqiptare nën udhëheqjen e Edi Ramës është duke lejuar transferime të paligjshme pronash karshi qytetarëve etnikë shqiptarë. Më konkretisht, sipas një hulumtimi të hollësishëm të BIRN-it, referenca nënkupton një investim turistik në këtë zonë, ku dyshohet se është përfshirë sipërmarrësi Artan Gaci, bashkëshorti i ish-ministres së jashtme të Shqipërisë Olta Xhaçka.

Pretendimi i Bejlerit, i legjitimuar më tej nga qeveria greke, është se ish-kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro ka shpërdoruar të drejtën e pronësisë. Pavarësisht të qenit pas hekurave, Bejleri ka bërë kallëzim në SPAK, ndaj ish-ministres Xhaçka, sipërmarrësit dhe bashkëshortit të saj Artan Gaci dhe ish-kryebashkiakut Goro. Përgjatë gjithë këtij procesi, Bejleri është mbështetur plotësisht nga autoritetet greke, pavarësisht profilit ultranacionalist dhe të shkuarës së tij kriminale. 

Diplomaci ballkanse

Teksa çështja Bejleri dhe për pasojë polemika ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë mbeten ende të pazgjidhura, kryeministri Rama është paraqitur në mjediset e stadiumit olimpik “Galatsi” në Athinë, në një organizim ku ka mbizotëruar fryma populiste, nacionalizmi si dhe gjuha arrogante e provokuese

Në një fjalim të gjatë më shumë se një orë, Rama ka prekur çështje të ndryshme, përfshirë mungesën e shfuqizimit të ligjit të luftës në Greqi (1940), problemet e pakicës greke në Shqipëri, që i ka konsideruar “jo ndryshe nga hallet dhe problemet e të gjithë qytetarëve shqiptarë”; nevojën për reciprocitet në trajtimin e pakicës shqiptare në Greqi; thirrjen për të lënë pas “nacionalizmin e shekujve të vjetër” përkarshi deklaratave mbi “krenarinë shqiptare” , “shqiptarinë”, dikotominë “ne” dhe “ata”, ironizimin e politikanëve dhe politikës greke etj. 

Ftesa e Edi Ramës për “dialog me diasporën” i përngjau më shumë një “monologu me diasporën”, në të cilin kryeministri nuk u kursye të radhiste diskriminimin, padrejtësinë, si dhe mungesën e trajtimit të barabartë dhe me dinjtet të bashkëkombasve tanë në Greqi, fakte që kanë shoqëruar e vazhdojnë të shoqërojnë emigrantët shqiptarë, jo vetëm në Greqi por tjetërkund në Europë gjithashtu. 

Ky viktimizim i shqiptarëve të diasporës, buçitur prej Ramës në podium, veçse i kontribuoi më tej spektaklit të radhës me diasporën. Madje, fare mirë, ky organizim i fundit, mund të konsiderohet një episod i shtuar i këtij spektakli. Kujtojmë këtu samitet e diasporës të organizuara me buxhete të majme në Tiranë prej 2016, nga të cilat nuk është arritur ende asgjë përveç valëvitjes së flamujve dhe rrahjes së gjoksit. Shqiptarët e diasporës, jo vetëm në Greqi por kudo tjetër në botë janë të braktisur nga shteti shqiptar, që diasporën e shfrytëzon për populizëm të lirë dhe kontributin ekonomik që ajo derdh në vend. Diaspora shqiptare ende nuk gëzon të drejta, përfshirë të drejtën e votës në Shqipëri apo përfaqësim të njëmendtë politik. 

Nga ana tjetër, shqiptarët, të huaj në dheun e tyre po aq as jashtë tij, janë detyruar të marrin rrugët, të vënë në rrezik jetën e tyre dhe të familjeve, për t’i shpëtuar dhunës strukturore të shtetit tonë, ku një kontribut masiv ka dhënë dhe vazhdon të japë qeveria, partia dhe dhe pushteti që Rama përfaqëson. 400 mijë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria vetëm në dekadën e fundit. Sipas statistikave britanike, në 2022 numri i imigrantëve shqiptarë që kaluan kanalin britanik në mënyrë ilegale u rrit 1409%, krahasimisht me një vit më parë.

Ftesa e Edi Ramës për një one-man-show me diasporën meriton bojkot, jo brohoritje. Me të drejtë, shumëkush mund të kërkojë të mësojë sesi i  kontribuar veçanërisht qeveria Rama përmirësimit të kushteve për pakicën shqiptare në Greqi dhe diasporën shqiptare në përgjigjësi, nga viti 2013 e deri më tash? A janë ndërtuar marrëdhëniet dypalëshe të Shqipërisë me fqinjët duke pasur në vëmendje mirëqenien e përgjithshme të shqiptarëve apo legjitimimin e mëtejshëm të pushtetit të Ramës, jo vetëm përsa i përket marrëdhënies me Greqinë por edhe asaj me Serbinë apo Italinë etj.?

Qeveria shqiptare, përfshirë të trija qeveritë Rama, nuk ka qenë e pranishme për diasporën, teksa shqiptarët ende rropaten në migrim dhe përballen me ksenofobinë, dhunën shoviniste e shtypjen e qeverive të huaja. Qeveria shqiptare nuk është e pranishme as sot, pavarësisht ahengut nacionalist dhe simulimeve politike prej “burri të fortë” që Edi Rama performoi në Athinë. 

Si kryeministër i Shqipërisë është përgjegjësi e Edi Ramës që të përkrahë me nisma konkrete dhe ta përfaqësojë diasporën shqiptare, po aq sa edhe të ushqejë marrëdhënie diplomatike serioze, të udhëhequra nga parimi i reciprocitetit dhe maturia politike, në vend të deklaratave ironike infantile ndaj udhëheqësve apo opozitës (këtu) të Greqisë, që kanë gjasë ta përkeqsojnë situatën, jo domosdoshmërisht më tej në raportin e Tiranës me Athinën, por duke vënë në rrezik pjesëtarë të diasporës apo pakicës shqiptare në Greqi, të cilët diskriminohen ende nga qeveria greke dhe mbeten nën shënjestrën e grupeve fashiste apo të ekstremit të djathtë grek.

Një qeveri që ia do të mirën popullit të vet, angazhohet me dhe për këtë të fundit duke prioritizuar sigurinë, mirëqenien dhe garantimin e të drejtave të tij të pakompromis, në vend të shfrytëzimit të sentimenteve e plagëve të migracionit, për qëllime personale e jo më pak regresive.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.