Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

Shumë banesa në Kosovë, por për kë?

Foto nga Ehsan Haque, Pexels.

Kosova është mbushur me objekte të larta banimi, të cilat krijojnë përshtypjen se numri i popullsisë në Kosovë është në rritje. Megjithatë, mbi 180 mijë banesa janë të zbrazura, apo të papërdorura.

Sipas raportit të vitit 2024 të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në Kosovë janë rreth 590 mijë banesa, apo shtëpi të banueshme. Kur marrim parasysh se 180 mijë janë zbrazura, kjo i bie se rreth 35% të banesave janë të pabanuara.

Paradoksalisht, përkundër se ka shumë banesa, çmimet e tyre sa shkojnë e rriten. Në Prishtinë, një banesë shkon nga 1200 në 2500 euro për metër katror. Mesatarja është rreth 1850 euro për metër katror.

Çmimi i lartë i banesave nuk korrespondon me të ardhurat e qytetarëve. Sipas ASK-së, paga mesatare në Kosovë është 639 euro. Kjo e bën të vështirë banimin me qira 250-300 euro, por edhe më të vështirë blerjen e banesave. Përveç pagave të ulëta, normat e interesit për kredi bankare konsiderohen si shumë të larta. 

Numri i lartë i banesave të zbrazura dhe çmimi i lartë i tyre e bën përbën një sfidë serioze, e cila duhet të trajtohet nga shteti.

Investimet e diasporës në patundshmëri

Diaspora përbën një ndër arsyet kryesore pse çmimi i banesave është shumë i lartë në Kosovë. Diaspora blen një pjesë të konsiderueshme të banesave, të cilat qëndrojnë të pa pabanuara shumicën e kohës. 

Vetëm në vitin 2024, rreth 580 milionë euro kanë shkuar në blerjen e banesave nga mbi 800 milionë euro investime direkte të huaja. 

Kjo praktikë nuk i shërben zhvillimit ekonomik, sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, i cili thotë se mbi 80% e remitancave të diasporës shkojnë në patundshmëri.

Në mënyrë zinxhirore, kjo ndikon në vëllim të ndërtimeve dhe numër të madh të banesave të zbrazura, duke bërë që çmimet në treg për blerje dhe qira të mbesin shumë të larta. 

Ky fenomen e rëndon edhe më shumë situatën për qytetarët e Kosovës, të cilët dëshirojnë të blejnë banesa, por nuk kanë mundësi për ta bërë një gjë të tillë si rezultat i tregut të pabalancuar.

Një arsye tjetër ka të bëjë me dyshimet për pastrim të parash që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale. Në Shqipëri, për shembull, Televizioni A2 CNN kishte treguar një skemë që përdoret në sektorin e ndërtimtarisë për pastrimin e parave. Ky fenomen ekziston edhe në Kosovë, ku sipas të dhënave të Gjykatës Themelore në Prishtinë janë mbi 30 raste të dyshuara për pastrim parash përmes ndërtimit.

Si mund të zgjidhet problemi i banesave të zbrazura?

Meqenëse sektori i ndërtimtarisë vazhdon të zhvillohet, numri i banesave të zbrazura do të rritet edhe më shumë. Prandaj, është e domosdoshme që shteti të konsiderojë zhvillimin e disa politikave për ta menaxhuar situatën.

Kosova duhet të marrë shembull disa qytete perëndimore, siç është qyteti Vancouver në Kanada, që ka vendosur nga viti 2017 një taksë prej 3% të vlerës së pronës për shtëpitë që janë të zbrazura gjatë gjithë vitit. 

Nëse Kosova ndërmerr një hap të tillë, kjo do të shtynte pronarët e banesave që t’i japin me qira, t’i shesin, apo të banojnë vetë në banesat e tyre. Ky proces do të stimulonte një ekonomi më aktive në vend.  

Për të stimuluar çiftet e reja dhe të rinjtë që duan të jetojnë vetëm, shteti do të mund të subvenciononte rreth 20 për qind të qirasë. Një politikë që do t’i stimulonte njerëzit të marrin banesa me qira, si dhe pronarët të banesave që do t’i lëshonin ato me qira. Në të njëjtën kohë, shteti do të përfitonte nga një ekonomi më aktive.

Por, qeveria e drejtuar nga Albin Kurti kishte preferuar një tjetër politikë, ndërtimin e banesave për çifte të reja, gjë që ka nisur në fund të mandatit. Ky projekt përfshin 4 mijë njësite të banesave dhe nuk mjafton për nevojat e të rinjve kosovarë, si dhe nuk justifikon shumën e projektit 200 milionë euro.

Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet ta marrë seriozisht këtë problem socio-ekonomik dhe ta mendojë një strategji të re për ta zgjidhur këtë problem. Përndryshe, problemi rrezikon të dalë nga kontrolli dhe t’i ngufasë edhe më tepër qytetarët e vendit.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.