Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Slaktivizmi si nevojë për shfryrje

Ilustrimi: BigEye

Në teoritë e politikës, presioni nga qytetarët dhe lëvizjet vjen si rezultat i mos-kompatibilitetit të kërkesave nga qytetarët për qeverinë dhe nga mungesa e ofertës nga qeveria për qytetarët. Në mos-kompatibilitetin e tillë  ka dy çështje shumë me rëndësi që edhe qeveria edhe opozita si përfaqësuese të qytetarëve duhet ta kenë ndër mend. Valvulet e presionit të grumbulluar nga qytetarët duhet liruar në mënyrë që sistemi të mbahet.

Presioni i mungesës së zgjidhjes së problemeve që qytetari i Kosovës po përballet duhet parë edhe si një lloj slaktivizmi i qytetarëve që përkthehet në aktivizëm pasiv apo thënë troç: nënshkrues të peticionit online dhe në letër pa planin për të marrë qëndrim fizik për ta mbrojtur atë nënshkrim. Slaktivizmi është bashkim i dy fjalëve në një që ka kuptimin e „përkrahës të një kauze me aksione të thjeshta dhe që nuk angazhohen në të vërtetë apo nuk janë të dedikuar për ndryshim të vërtetë.“ Kjo formë e aktivizmit është quajtur edhe si „hashtag aktivizëm“ apo edhe “clicktivizëm.”

Disa lloje të aktivizmit në Kosovë karakterizohen si aktivizëm. Nga aktivizmi tradicional që përfshinë takimet, pjesëmarrjen në protesta, vullnetarizmin dhe pjesëmarrja në distribuimin e fletushkave ndërsa në aktivizmin online përfshihet distribuimi dhe re-distribuimi i përmbajtjes së materialeve, pjesëmarrja në grupe e diskutime. Aktivizmi pasiv është përkrahje pasive që përfshinë marrjen e emailave, bashkim në grupe online apo edhe postimi i shenjave. Slaktivizmi ndërkohë është pothuajse e kundërta pasi është përkrahje që nuk manifestohet në asnjë përkrahje tjetër të lartshënuar. Përfshinë kinse përkrahjen por nuk përfshinë pozicionimin e mbrojtjes së asaj përkrahje dhe se bëhen për arsye të ndryshme duke përfshirë ato të të presionit të shoqërisë dhe rrethit dhe presione tjera.

Dy llojet e aktivizmave të parë janë të karakterizuara me pjesëmarrje të lartë reale të aktivistëve ku e para nuk përfshinë shumë përdorim të teknologjisë ndërsa dy grupet e fundit karakterizohen me pjesëmarrje të ulët në aktivitete dhe me përdorim të lartë të teknologjisë informative. Ndërlidhja me teknologjinë informative vjen në pah se për dallim nga aktivistët e dy grupeve të para që janë aktiv dhe konsiderojnë të marrin pjesë në manifestime në mënyre fizike, dy grupet e fundit konsiderojnë se kanë përfunduar punën duke bërë pëlqime, shpërndarje apo komentuar për kauzën që ata besojnë.

Në fushatat ndërkombëtare shpesh çështjet e ndryshme bëhen ‘viral’ në kuptimin e shpërndarjeve dhe shikueshmërisë por kjo nuk do të thotë se këto fushata janë në interes të përgjithshëm apo për qëlim të mirë. Shpesh janë pa sukses dhe pa shumë fonde të mbledhura në krahasim me përkrahjen që marrin. Madje, UNICEF në Suedi ndërmori një fushatë sensibilizuese  kundër fenomenit të ‘pëlqimeve’ online duke krijuar sloganin se ‘pëlqimet nuk shpëtojnë jetë’ që reflektonte donatorët online në disproporcion të madh me pëlqimet. Mjetet e komunikimit ndikojnë në pjesëmarrje në aktivizëm por edhe kanë anën negative që mundësojnë një aktivizëm ‘fallso’ apo përkrahje jo-reale për çështjet e caktuara.

Lëvizjet sociale shpesh flasin për përkrahjen masive të masave të qytetarëve dhe bazohen në deklarime të tilla slaktivizmi. Shembulli i mirë i slaktivizmit është edhe deklarimi i rreth 96% të popullatës së Kosovës si myslimane si dhe nënshkrimin e peticionit të fundit kundër Bashkësisë së Komunave dhe kundër demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Në këtë aspekt, peticionet dhe përkrahja në media sociale nuk mund të përkthehet në përkrahje reale por pjesa militante e përkrahësve dëshiron të arrijë qëllimin e shumicës së përkrahjes online të slaktivistave dhe protestat devijojnë nga qëllimi. Protestat masive nuk kanë nevojë të jenë të dhunshme sepse e arrijnë qëllimin edhe pa pasë nevojë të hudhin gurë, djegin vetura apo shkatërrojnë pronë shtetërore e private.

Të kthehemi tek presioni dhe slaktivizmi. Kosova ka një traditë të gjatë të slaktivizmit. Vitet e 90ta janë përplot slaktivista që kanë pretenduar se po punojnë përdersa “shteti 3% ekzistues” ka pretenduar se i paguan. Tani që mekanizmat funksional të shtetit janë aktiv dhe të mundshëm, ky slaktivizëm është përkthyer në mediat sociale ku qindra e madje edhe mijëra njerëz nënshkruajnë peticione, konfirmojnë pjesëmarrjen në organizime dhe pëlqejnë e shpërndajnë fotografi e tekste të ndryshme. Problemi qëndron se përkrahja online e aktivistëve në shumicën e rasteve është slaktiviste dhe nuk mund të përkthehet në aktivizëm të vërtetë. Afërsisht njëjtë ka pasur slaktivizëm edhe në luftën e fundit në Kosovë dhe kjo u mendua si përkrahje nga ish-luftëtarët e UÇK-së të cilët fituan zgjedhjet vetëm tetë vite pas mbarimit të luftës kur edhe e morën vesh se përkrahja në sy e faqe nuk kthehet në vota dhe se qytetarët që deklarohen për përkrahje nuk e manifestojnë këtë përkrahje në vota gjithmonë.

Slaktivizmi përdoret në shumicën e shfryrjes së presionit në Kosovë dhe atë më së shumti në mediat sociale. Rasti i një të riu kur kërcënoj kryeministrin është gjithashtu i ngjashëm me përkrahjen për protesta, kundërshtimin e demarkacionit, kundërshtimin e Bashkësisë së Komunave si dhe me aktivizëm tjetër. Duhet ditur se baza e politikëbërjes në Kosovë është vota dhe programet institucionale e jo slaktivizmi. Partitë politike duhet të kthejnë debatin në Kuvendin e Kosovës dhe institucionet qeveritare duke peshuar votat dhe programet qeverisëse.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.