Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Tekstet Shkollore: I trashi s’din as s’bon

Ilustrimi nga: BigEye

“Ishin dy shokë: njëri i hollë e tjetri i trashë. I holli hante pak, kurse i trashi hante shumë. I holli vraponte shpejt, por i trashi mezi ecte ngadalë. I holli kishte një zë të bukur, kurse i trashi kishte një zë të shëmtuar, prandaj ata nuk mund të këndonin bashkë. Kur loznin shah, i holli fitonte më shpesh, kurse i trashi më rrallë” – detyrë në Librin e Leximit për nxënësit në klasën e pestë në mësimin për antonime, faqe 75. Kjo ishte një detyrë shtëpie e dhënë për nxënësit përmes E-mësimit me datën 26 prill, 5022 – Gjuhë amtare – Sinonimet dhe antonimet – një anë pozitive e mësimit në distancë po bëhet dalja në pah e këtyre teksteve. Nga kjo detyrë, nxënësit kuptojnë se kushdo që është i/e trashë han shumë, nuk mundet të ecë, ka zë të shëmtuar, ka mungesë në inteligjencë, ose thënë troç, mund të bëhet objekt talljeje për shkak të peshës që e ka.

Unë nuk jam psikologe, por nuk më duhet ekspertizë të paramendoj situatën e krijuar për nxënësit që mund të paragjykohen nga shoqëria si ‘të trashë’. Vetëm imagjinojeni këtë situatë. Të gjithë nxënësit janë në klasë dhe e lexojnë me zë këtë detyrë. Fëmija juaj, nipi/mbesa juaj, motra/vëllau juaj konsiderohen nga klasa si mbipeshë dhe si ‘i trashi’ në këtë detyrë. Nxënësit përreth fillojnë të tallen ngaqë këtë të drejtë po e marrin nga libri shkollor; për nxënësit libri shkollor mund të konsiderohet si libër i pakontestueshëm që nuk ka asgjë gabim. Për më tepër, nxënësit marrin informacionin që njerëzit e trashë janë gjysmakë në shoqëri dhe gjithmonë janë antonim i fjalëve pozitive. E çka të thuhet për viktimat e bulizmit në këtë rast që ndihen të sulmuar, të pambrojtur, të paragjykuar, e gjysmakë në këtë shoqëri? Unë ndihem e turpëruar dhe ndjej dhembshuri për këta fëmijë që me shumë gjasë do të zhvillojnë personalitetin në bazë të këtyre paragjykimeve. E si shoqëri, s’di nga t’ia filloj përveç se të kërkojmë falje në emër të papërgjegjësisë dhe mungesës së empatisë shoqërore të autorëve, miratuesve dhe publikuesve të këtyre shkrimeve. Të kërkojmë falje që me datën 26 prill u paragjykuan nga një shoqëri e tërë në televizion e të shpresojmë që ky mesazh të eliminohet me këtë datë.

Në artikullin “Si u bë Borëbardha Kësulkuqe” kam përshkruar procedurat për miratimin e një teksti shkollor. Më gjerësisht, janë një sërë standardesh për miratimin e një teksti shkollor, dhe ky tekst, e them me plot besim, i shkel shumicën e standardeve të parashtruara. Këto janë disa nga standardet e shkelura:

1.1. “Teksti shkollor përputhet ngusht me parimet dhe qëllimet e përgjithshme të kurrikulit shkollor të Kosovës.” – shkel rëndë kompetencat e të nxënit të parapara në Kornizën e Kurrikulës për nxënësit duke përfshirë kompetencën e kontribuesit efektiv, individit të shëndoshë dhe qytetarit të përgjegjshëm.
E për këto tjerat, nuk po besoj që do shpjegim.

4.1. Shkrimet në tekstin shkollor kanë përmbajtje me cilësi të lartë, ato kanë një vlerë të lartë arsimore dhe edukative dhe janë në përputhje me kërkesat e shoqërisë së sotme e të së nesërmes.

4.2. Nga pikëpamja shkencore, shkrimet, fushat dhe aspektet e zgjedhura në tekstin shkollor janë korrekte, relevante (thelbësore) dhe me vlerë shembullore për temën a për nëntemat e trajtuara.

Dhe gjithashtu, shkel në tërësi standardin 9 që ka për qëllim “t’i shmanget çdo njëanshmërie dhe, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, të përkrahë dhe të nxisë tolerancën, mirëkuptimin e ndërsjellë dhe kompetencën ndërkulturore.”

Shumë shkelje që i kanë ikë autorëve, ekspertëve vlerësues të këtyre teksteve, e të gjithë spekrit të përfshirë në arsim. Dhe e di që kjo detyrë nuk është e vetmja shkelje. Mendoj që politikëbërësit në arsim duhet që urgjentisht të krijojnë mekanizma të rishikojnë të gjitha tekstet dhe të eliminojnë secilin tekst që nuk është në përputhje me Kornizën e Kurrikulës së Kosovës, duke përfshirë secilin tekst seksist, paragjykues dhe i pabazuar në shkencë. Dhe mësimdhënësit, edhepse të stërngarkuar, të shtojnë edhe këtë detyrë në listën e tyre; refuzimin e dhënies së detyrave që kanë ndikim negative në shoqëri dhe ngritja e zërit kundër tyre.

Kam parë shumë ankesa nga mësimdhënësit për gabime në mësimet e transmetuara gjatë kohës së pandemisë. Shqetësimi kryesor i mësimdhënësve është sesi tre ekspertë që i korrigjojnë dhe i miratojnë këto mësime nuk i kanë përmirësuar gabimet e transmetuara. Por unë kam edhe një brengë shtesë. Si asnjëri nga këta ekspertë dhe korrigjues, asnjëri nga autorët, asnjëri nga trupa miratuese nuk e panë dhe ndaluan këtë tekst që i jep krahë bulizmit në shkolla. A do të thotë kjo që jemi një shoqëri indiferente ndaj bulizmit? Apo një shoqëri e tërë paragjykuese që mendojmë që i trashi s’din e s’bon?

 

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.