Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

Tkurrja e popullsisë së Kosovës: qeveria e ardhshme duhet të ndërmarrë një mori hapash për ta frenuar këtë fenomen

Ilustrimi nga BigEye.

Gjatë viteve të fundit, Kosova është ballafaquar me tkurrje serioze të popullsisë. Problemet si pagat e ulëta, keqtrajtimet në punë, kushtet e vështira të jetesës, çështja e banimit të papërballueshëm, e shumë probleme të tjera, kanë shtyrë mijëra qytetarë të largohen nga vendi.

Megjithatë, qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti pretendon se ekonomia po rritet bashkë me pagat. Por, kosovarët vazhdojnë ta lëshojnë Kosovën. Raportet vendore dhe ndërkombëtare tregojnë që Kosova po ballafaqohet me ulje serioze të popullsisë.

Më 2011, Kosova kishte 1.739,825 banorë rezidentë, ndërkaq në vitin 2024 vetëm 1.585,566. Kjo nënkupton një reduktim të popullsisë me mbi 154 mijë banorë, apo rreth 8%.

Ndërsa, sipas raportit të Bankës Botërore rreth rritjes së popullsisë për vitin 2024, Kosova përballet me tkurrjen më të lartë të popullsisë në nivel botëror, me një ulje prej -9.7%.

Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet ta trajtojë me urgjencë këtë problem dhe të marrë një sërë masash për të frenuar këtë rrezik për vendin.

Tre faktorët kryesorë të uljes së popullsisë: nataliteti, plakja e popullsisë dhe emigrimi

Kosova vazhdimisht po shënon ulje të natalitetit, gjë që po rezulton në zvogëlimin e numrit të fëmijëve dhe plakjes së popullsisë. Të dyja këto faktohen në regjistrimin e popullsisë të vitit 2024.

Në vitin 2011, Kosova kishte rreth 179 mijë fëmijë nën moshën 6 vjeç, e në vitin 2024 ka vetëm 153 mijë. Ndërsa, numri i popullsisë mbi moshën 75-vjeçare është rritur në rreth 59 mijë banorë më 2014, krahasuar me vitin 2011 kur ky numër ishte 40 mijë.

Por, problemin më të madh Kosova e ka me emigrimin e qytetarëve.

Sipas Institutit GAP, vetëm gjatë vitit 2024, mbi 37 mijë banorë u larguan nga vendi. Ndërsa, në vitin 2023 u larguan 21,244 qytetarë.

Arsyet kryesore të emigrimit janë socio-ekonomike. Një anketë e realizuar nga Instituti për Kërkime Ekonomike në vitin 2018 konstatoi se 36% e qytetarëve nuk do ta lëshonin Kosovën nëse do të merrnin një pagë mujore 600-800 euro. Megjithatë, edhe gjashtë vjet pas realizimit të kësaj ankete, ky nivel i pagave nuk është arritur. Sipas ASK-së, paga mesatare neto për vitin 2024 ishte 552 euro.

Në të njëjtën kohë, qytetarët janë ballafaquar me inflacion, shtrenjtim të produkteve dhe shërbimeve, dhe shtrenjtim të energjisë elektrike, gjë që rëndoi edhe më tepër jetën e tyre.

Këto statistika janë shqetësuese për një vend si Kosova, me një numër të vogël të popullsisë.

Për më tepër, zvogëlimi i popullsisë zbeh mbushjen e arkës së shtetit për shkak të uljes së tatimpaguesve dhe ndikon në zbehjen e investimeve kapitale. Më pas ulet konsumi, që rezulton me më pak të hyra për bizneset e për pasojë edhe më pak paga për punëtorët.

Si mund të frenohet depopullimi?

Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet ta adresojë këtë çështje me seriozitet të lartë. Përtej transformimit energjetik, luftimit të korrupsionit, investimeve të reja, forcimit të sundimit të ligjit, të cilat janë të domosdoshme, por kërkojnë më shumë kohë dhe përkushtim, qeveria e ardhshme duhet të ndërmarrë një sërë vendimesh në rrafshin afatshkurtër.

Fillimisht, paga minimale duhet të rritet nga 350 në 450 euro, për të ndikuar në rritjen e pagës mesatare. Në rastin e Kosovës, rritja e pagës minimale nuk ndikon në rritjen e papunësisë, sepse bizneset në Kosovë kanë raportuar për mungesë të fuqisë punëtore. Rritja e pagës minimale do të ndikonte në mirëqenien qytetare.

Një tjetër problem është banimi i papërballueshëm. Në Kosovë ka shumë ndërtime e banesa, por një pjesë e konsiderueshme e tyre janë të zbrazura. Komunat duhet të vendosin taksa më të larta për banesat e pabanuara, në mënyrë që të stimulojnë shitjen e tyre, apo dhënien me qira. Kjo do të ndikonte në uljen e çmimeve në treg dhe do të ofronte banim më të përballueshëm për familjet e reja.

Tutje, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) mund nxjerrë rregullore për transparencën e plotë të normave të interesit, të kufizojë tarifat e fshehura që shpesh e rrisin artificialisht interesin real, si dhe të vendosë standard minimal për kreditë hipotekare dhe konsumatore, që parandalon shfrytëzimin e konsumatorëve.

Gjithashtu, Autoriteti i Konkurrencës i Republikës së Kosovës (AKRK) duhet ta monitorojë më shumë tregun për ndëshkimin e manipulimeve të çmimeve, pasi inflacioni nuk është vetëm rezultat i ndryshimeve në tregun botëror, por edhe i shfrytëzimit të situatës në treg nga tregtarët. Një monitorim më rigoroz do t’i ndëshkonte ata, rrjedhimisht duke e luftuar këtë dukuri.

Qeveria e ardhshme duhet të hartojë politika më progresive sociale, si për shembull fondin e papunësisë që mbështet të paktën për tre muaj çdokënd që e humb vendin e punës, duke ofruar një siguri financiare deri në gjetjen e punës së re.

Këto politika nuk mund ta zgjidhin problemin në tërësi, por mund ta frenojnë problemin e tkurrjes së popullsisë, i cili mund të bëhet një ndër problemet më të mëdha për vendin në dekadën e ardhshme.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.