Roblox (lexo: Robloks) është një video-lojë virtuale, e cila po fiton popullaritet anembanë botës. Aktualisht, Roblox numëron mbi 110 milionë përdorues aktivë ditorë, me një trend të lartë të rritjes. 64% e përdoruesve janë grupmosha 13 vjeç e lart.
Kjo video-lojë është një platformë online, ku tinejxherët dhe të rriturit mund të luajnë shumë lojëra që i krijojnë vetë përdoruesit. Ajo funksionon si një botë virtuale e hapur për të luajtur dhe eksploruar ambiente të ndryshme sipas imagjinatës së tyre.
Për shembull, një përdorues mund të krijojë një qytet virtual me rrugë dhe dyqane, ku lojtarët e tjerë hyjnë të bëjnë gara me makina, ose të kryejnë disa detyra të thjeshta.
Roblox është një lojë me një botë shumë të gjerë mundësish, aktivitete të pafundme dhe mekanizma shpërblimi, që e bëjnë tepër tërheqëse për fëmijët. Kështu, mundësia për të kaluar orë të tëra pa u mërzitur e rrit edhe rrezikun e varësisë.
Edhe pse ekziston një perceptim negativ për video-lojërat, përdorimi i tyre nuk është domosdoshmërisht i dëmshëm. Në fakt, evidenca shkencore tregon se ekzistojnë disa përfitime të rëndësishme nga video-lojërat.
Përdorimi i tyre mund të ulë nivelin e stresit, mund të ndihmojë në ndërtimin e motivimit përmes shpërblimeve të vogla dhe progresit të arritur, por edhe të krijojë hapësira sociale ku fëmijët lidhen me njëri-tjetrin, bashkëpunojnë dhe krijojnë miqësi.
Megjithatë, përdorimi i shpeshtë i tyre, pa kufij dhe pa mbikëqyrje nga ana e prindërve, mund të ketë efekte serioze për zhvillimin e fëmijëve. Varësia nga lojërat online stimulon dopaminën, një lloj “kimie e lumturisë”, dhe fëmija dëshiron ta përjetojë atë ndjesi vazhdimisht.
Kjo ndjenjë krijon varësi dhe shumë fëmijë që përfshihen aq shumë sa kalojnë orë të tëra duke luajtur, e kanë të vështirë të ndalen edhe kur u kërkohet, dhe fillojnë të neglizhojnë detyrat, gjumin, ose aktivitetet jashtë shtëpisë. Kur nuk mund ta përdorin, disa bëhen nervozë, të paduruar ose të mërzitur, gjë që tregon se loja po bëhet më shumë se argëtim dhe po ndikon në rutinën dhe mirëqenien e tyre.
Me kalimin e kohës, kjo mund të kthehet në një shqetësim, ku fëmija luan në mënyrë të vazhdueshme, qoftë online apo off-line. Është thelbësore që prindërit të jenë të vetëdijshëm për shenjat e varësisë nga lojërat, në mënyrë që të ndërhyjnë herët dhe të vendosin kufij të shëndetshëm për kohën që fëmijët kalojnë para ekranit.
Përndryshe, ekzistojnë pasoja konkrete për zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve.
Fillimisht, ekziston rreziku që me kalimin e kohës të ulet ndjeshmëria ndaj dhunës në jetën reale, sepse fëmija mësohet ta shohë konfliktin apo “lëndimin” e tjetrit në video-lojëra si diçka normale dhe pa pasoja.
Normalizimi i dhunës mund të shoqërohet me rritje të impulsit për reagim agresiv, veçanërisht te fëmijët që kanë vështirësi me vetëkontrollin, ose që tashmë kanë stres të lartë në mjedisin e përditshëm.
Një tjetër efekt negativ lidhet me rrezikun e ngacmimit dhe manipulimit nga të rriturit. Roblox është platformë ku, krahas fëmijëve, kanë qasje edhe personat e rritur. Kjo krijon mundësi për kontakt të papërshtatshëm, presion social, ose tentativa për të kërkuar nga fëmijët informacione personale.
Për fëmijët, sidomos për grupmoshat më e reja, është e vështirë të dallojnë “miqësinë” online nga manipulimi, sepse u mungon përvoja dhe zhvillimi i nevojshëm për të bërë diferencat.
Po ashtu, mundësia për ekspozim ndaj përmbajtjes së papërshtatshme është reale: shpeshherë normalizohen gjuha fyese, dhuna e tepruar, skenat frikësuese, apo sjellje të rrezikshme. Kjo mund të sjellë pasoja psikologjike, si: ankth, frikë, shqetësime të gjumit, imitime sjelljesh të papërshtatshme dhe shtim të tensionit emocional, sidomos kur fëmija nuk ka hapësirë ta përpunojë atë që i është ekspozuar.
Një aspekt që shpesh nënvlerësohet është se te fëmijët mund të vështirësohet menaxhimi i emocioneve. Lojërat online janë të dizajnuara të jenë shumë stimuluse, me ritëm të shpejtë, konkurrencë dhe shpërblime të menjëhershme.
Kjo e bën fëmijën të mësohet me “emocione të forta” dhe me kënaqësi të shpejtë dhe kur del nga loja, jeta reale mund t’i duket e mërzitshme. Rrjedhimisht, fëmija bëhet më i prirë të humbë shpejt durimin dhe të jetë vazhdimisht i frustruar.
Është e rëndësishme të theksohet se ndikimi i video-lojërave nuk është i njëjtë për çdo fëmijë. Varet nga mosha, karakteri i fëmijës, lloji i lojërave brenda Roblox (sepse aty ka përmbajtje të ndryshme), koha e kaluar dhe niveli i mbikëqyrjes prindërore.
Por, nuk do mend se përdorimi i pakontrolluar dhe i zgjatur rrit rreziqet nga zbehja e ndjeshmërisë ndaj dhunës, e deri tek ekspozimi ndaj personave të panjohur dhe përmbajtjeve të papërshtatshme, si dhe vështirësitë në vetëkontroll dhe rregullimin emocional.
Prandaj, prindërit duhet të vendosin kufij të qartë për lojërat me përmbajtje të dhunshme siç është Roblox. Po ashtu, është e rëndësishme që fëmijëve t’u ofrohen alternativa më të shëndetshme sesa video-lojërat, si: sporti, leximi dhe aktivitete të tjera kreative.




























































