Connect with us

Hi, what are you looking for?

Disinfo

Audio-incizimi që përplasi deputetët dhe riktheu pretendimet për luftën hibride të Serbisë në Kosovë

*Përgatiti Fitim Gashi

Diskursi i ashpër u shoqërua me akuza e kundërakuza mes partisë në pushtet dhe opozitës. Pretendimit e pushtetit janë se bëhet fjalë për luftën hibride të Serbisë që për qëllim ka destabilizimin e Kosovës. Ndërsa opozita pretendonte se qysh para një viti Vetëvendosja koordinohej me Listën Serbe për t’i votuar ligjet që opozita i kundërshtonte, përfshirë atë që ndërlidhet me pagat e veteranvë të luftës.

Më 13 korrik institucioni ligjvënës u shndërrua në arenë përplasjeje. Deputetët e Partisë Demokratike, në nisje të mbledhjes vendosën pankarta tek foltorja e Kuvendit, derisa kryeministri Albin Kurti po fliste për hapat e ndërmarrë për shtensionimin e situatës në veri të vendit. Pankarta së cilës iu bashkëngjit fotografia e kryeministrit me hundë të pinokios ishte në gjuhën serbe dhe kishte mbishkrimin “Zdravo”, që në shqip do të thotë “përshëndetje”.

Më pas, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e hoqi dhe shqeu pankartën. Kjo nxiti reagimin e deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku, i cili hodhi ujë në drejtim të kryeministrit. E Bislimi, deputetin Lushtaku e gjuajti më shishe.

Kjo bëri që situata të përshkallëzojë në përleshje fizike ku u përfshinë edhe deputetë e ministra të tjerë. Për ta qetësuar situatën, brenda sallës së Kuvendit u fut edhe policia.

Çfarë thuhet në audio-incizim?

Gazeta Nacionale publikoi pjesë të një audio-incizimit sipas të cilit shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka komunikuar me të fortin e Listës Serbe, Milan Radojçiq- i cili kërkohet nga autoritetet e Kosovës për disa vepra penale dhe është gjithashtu në listën e zezë të ShBA-së për përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar.

Radojçiqi akuzohet edhe për vrasjen e ish politikanit të njohur serb nga veriu, Oliver Ivanoviq.

Në incizim, ish shefi i grupit parlamentar të Listës Serbe, Slavko Simiq ia kujton Kusari-Lilës bisedën me Radojçiqin në interfonin e tij, teksa ia bënë të qartë se nënkryetari i Listës Serbe është ai që vendos për serbët në Kosovë. Me një moment, Kusari-Lila e pranon komunikimin “3-4 minutësh” me Radojçiqin.

Gjatë bisedës, Simiqi i hedh poshtë pretendimet e VV-së se Lista Serbe dhe nënkryetari i saj, Milan Radojçiq, dirigjohen nga PDK-ja.

Për më tepër, sipas Nacionales, komunikim ka ndodhur në qershorin 2022, pra kohën kur Radojçiqi veç ka qenë në ndjekje të autoriteteve të Kosovës dhe në listën e zezë të ShBA-së.

Mes tjerash, Kusari-Lila dhe Simiq diskutojnë edhe për ligjin për pagën minimale çështje e cila riktheu reagimet e shoqatave të dala nga lufta.

Duke marrë shkas nga ky audio-incizim u thirr edhe një protestë në kundërshtim të qeverisë, organizuar nga veteranët e luftës.

Por pati edhe keqinterpretime të bisedës në audio-incizim, ku Kusari-Lila u akuzua se sulmoi UÇK-në dhe veteranët, në prani të deputetit serb. Megjithatë në bazë të asaj që dëgjohet biseda zhvillohet pasi është votuar ligji. Kusari-Lila i kërkon llogari Simiqit se, pse pas një bojkoti të gjatë të seancave Lista Serbe kishte ardhur për ta votuar ligjin. Sipas saj, pjesëmarrja e befasishme e deputetëve serb u bë me qëllim të njollosjes së vendimmarrjes për ta paraqitur Vetëvendosjen si bashkëpunëtore të Listës Serbe.

Injorimi i fakteve nga Qeveria dhe bartja e fajit diku tjetër

Kryeministri Kurti dhe vartësit e tij nuk u morën me faktin se shefja e deputetëve të VV-së në Kuvend ka komunikuar me Radojçiqin të cilin e kishte akuzuar edhe për nxitjen e tensioneve në veri.

Kurti i quajti “interpretime partizane” deklaratat e autorit që publikoi inçizimin duke ngritur dyshime për manipulimin e tij. Sipas Kurtit, “shefja e grupit parlamentar natyrisht që komunikon me shefat e  grupeve tjera parlamentare”, teksa shtoi se “Qeveria  ka zero varësi nga Lista Serbe”.

Më pas, Kurti kërkoi të kihet kujdes nga lufta hibride që sipas tij po bëhet bëhet nga Serbia për të shkaktuar konfuzion te opinioni publik, edhepse përgjimi është autentik.

Kurti kërkoi edhe ndërhyrjen e organeve të drejtësisë, të cilat deri tash nuk kanë treguar nëse janë duke u marrë me këtë rast, edhepse vetë deputetja e VV-së është ajo që duhet të hetohet për komunikim me kriminelë.

Edhe ministri i brendshëm Xhelal Sveçla, protestën veteranëve dhe debatin rreth audio-incizimeve i ndërlidhi me “luftën hibride” të Serbisë. Sipas tij, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiqi po e humb betejën në terren me Kurtin, prandaj përmes mekanizmave që ka në kontroll po tenton të nxisë trazira në Kosovë.

Ai tha se bisedat e zhvilluara në Kuvend, Lista Serbe i kishte incizuar dhe incizimet ia kishte dorëzuar Vuçiqit, “nga dora e Vuçiqit gjetën rrugën e tyre për t’u publikuar në një media në Kosovë”. Ai e cilësoi të çuditshëm faktin se “protesta në Prishtinë u mbajt të njëjtën kohë me protestën në Beograd kundër Vuçiqit dhe se atë e thirrën gazetarët Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi”.

Me fjalë të tjera, Qeveria Kurti akuzoi gazetarët kosovarë se po bashkëpunojnë me Serbinë pa ofruar fakte që mbështesin këtë pretendim.

Këto deklarata nxitën reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK). “Gjuha e tillë rrezikon sigurinë e gazetarëve të përmendur dhe është pjesë e tentimit të vazhdueshëm të pushtetit për të frikësuar mediet”, thuhet në reagim të AGK-së.

Radojçiqi që shpesh është ndërlidhur me krimin dhe korrupsionin në veri doli nga nëntoka duke u emëruar nënkryetar i Listës Serbe, pak kohë para se t’i ngriteshin aktakuzat. Edhe para se të emërohej ai nuk ishte emër i panjohur. Ish kryeministri Ramush Haradinaj e pati pranuar publikisht se ka bashkëpunim me Radojiqin, të cilin në vitin 2018 e pati pritur në zyren e tij.

Sa ishte në opozitë, Vetëvendosje kishte akuzuar qeveritë paraardhëse për bashkëpunim me Radojçiqin dhe krijim të varësisë nga Lista Serbe, e cila shpesh ka qenë përcaktuese për formimin e qeverive.

Tani kur një eksponent i tyre u kap duke komunikuar me Radojçiqin, ka mungesë totale të llogaridhënies dhe përgjegjësisë.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Translated article.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.