Nisma për krijimin e Bordit të Paqes, e iniciuar nga presidenti Donald Trump dhe e lidhur fillimisht me zbatimin e armëpushimit në Gaza, përsonifikon më shumë sesa një mekanizëm teknik për menaxhimin e një konflikti specifik në Lindjen e Mesme.
Kjo iniciativë diplomatike sinjalizon një prirje të re në politikën ndërkombëtare që synon distancimin gradual nga multilateralizmi klasik i dominuar nga organizatat universale ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara, drejt modeleve më fleksibile dhe më pragmatike të udhëhequra nga fuqitë e mëdha ose koalicionet e shteteve.
Për shtete si Kosova që për shkak të bllokadave politike nuk janë pjesë e organizatave si Kombët e Bashkuara, ky format krijon një mundësi me tepër për përfshirje në arkitekturën e re të sigurisë që po formësohet nga ShBA-të.
Në këtë kontekst, anëtarësimi i Kosovës në Bordin e Paqes është në përputhje si me orientimin strategjik të politikes së saj të jashtme, ashtu edhe me interpretimin dominues në literaturën e marrëdhënieve ndërkombëtare mbi sjelljen e shteteve të vogla në një sistem ndërkombëtar anarkik.
Sipas këtij interpretimi, një nga sjelljet më karakteristike të shteteve të vogla në sistemin ndërkombëtar, me qëllim garantimin e sigurisë dhe mbijetesës së tyre, është përfshirja në marrëveshje dhe institucione shumëpalëshe sa herë që kjo vlerësohet relevante, si dhe mbështetja në shtetet e fuqishme të sistemit ndërkombëtar për mbrojtje, partneritet dhe burime strategjike.
Kjo logjikë teorike reflektohet edhe në rastin e Kosovës. Për Kosovën, kostoja e këtij anëtarësimi është minimale, ndërsa potenciali i përfitimit është real. Kosova vazhdon të jetë jashtë organizatave kyçe ndërkombëtare si OKB-ja, BE-ja dhe NATO, jo për mungesë vullneti apo kapaciteti, por për shkak të bllokadave politike që lidhen me statusin e saj. Në këto rrethana, çdo dritare që hapet për pjesëmarrje në institucione ndërkombëtare duhet shfrytëzuar si pjesë e një strategjie racionale.
Një qasje e tillë është tashmë e inkorporuar në Strategjinë e Sigurisë së Kosovës, por edhe në draft Strategjinë e Politikës së Jashtme, të cilat e shohin anëtarësimin në nisma dhe organizata ndërkombëtare si instrument për konsolidimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.
Dimensioni i sigurisë e bën këtë vendim edhe më të rëndësishëm. Siguria e Kosovës mbetet e lidhur drejtpërdrejt me raportet e saj me Shtetet e Bashkuara dhe praninë e NATO-s në vend. Nuk duhet harruar se rikthimi i presidnetit Trump në Shtepinë e Bardhë u shoqërua me pasiguri e ankth në Prishtinë, për shkak të stilit të tij atipik dhe shpesh të paparashikueshëm të vendimmarrjes politike, si dhe paqartësisë mbi pozicionin që ShBA-të do të mbanin ndaj rajonit.
Në kontekst, anëtarësimi i Kosovës në një nismë të iniciuar prej Trump-it shërben mekanizëm garantues politik dhe si formë e angazhimit me administratën amerikane. Ky veprim e rikonfirmon partneritetin strategjik me Uashingtonin dhe e pozicionon Kosovën jo si objekt të politikës amerikane, por si subjekt bashkëpunimi. Kjo ka rëndësi edhe në raport me Serbinë. Çdo hap që e ofron Kosovën me politikën amerikane dhe në veçanti me administratën e presidentit Trump, e ngushton hapësirën e Serbisë për të përdorur tensionet rajonale si instrument të vetin politik. Sa më e pranishme dhe e angazhuar të jetë Kosova në iniciativat e mbështetura nga Uashingtoni, aq më pak ka mundësi Beogradi të ndikoj e vetme narrativën për Kosovën.
Kontributi i Kosovës në këtë forum mund të jetë modest në përmasa, por i rëndësishëm në substancë. Kosova është një rast pothuajse shkollor i paqëndërtimit dhe shtetndërtimit pas konfliktit.
Përvoja e saj në tranzicion nga lufta në ndërtimin e institucioneve, në menaxhimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe në ndërveprimin me misione ndërkombëtare e bën atë vlerë të shtuar për procese të ngjashme në vende tjera.
Kritikat që vijnë nga disa vende të Bashkimit Evropian ndaj kësaj nisme amerikane nuk duhet ta ndikojnë domosdoshmërisht vendimmarrjen e Kosovës. Fundja është pikërisht BE-ja e cila tash e 17 vjet e mban qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës. Për më tepër, tash e tri vjet BE-ja nuk ka qenë as në gjendje ta marrë në konsideratë shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim.
Në këtë kontekst, Kosova nuk duhet të ndihet e obliguar që në 100% të rasteve të harmonizoj automatikisht çdo hap të politikës së saj të jashtme me atë të BE-së.
Anëtarësimi i Kosovës në Bordin e Paqes është një vendim pragmatik në një sistem ndërkombëtar që po ndryshon me shpejtësi. Ai i shërben sigurisë së saj, forcon aleancën me Shtetet e Bashkuara, zgjeron hapësirën manovruese diplomatike dhe i jep Kosovës një rol aktiv si kontribuese në paqendërtim.
Në një sistem ndërkombëtar ku rregullat e vjetra po zbehen dhe mekanizmat e rinj po marrin formë, shtetet e vogla që dinë të pozicionohen herët kanë më shumë gjasa të mbrojnë interesat e tyre. Kosova, në këtë rast, po bën pikërisht këtë.
Teksti është pjesë e iniciative “Histori nga rajoni” që zbatohet nga Res Publica dhe Instituti për Studime të Komunikimit nga Maqedonia, në bashkëpunim me partnerët nga Mali i Zi (PCNEN), Kosova (Sbunker), Serbia (Autonomija), Shqipëria (Euronews), dhe Bosnja dhe Hercegovina (Analiziraj.ba), në kuadër të projektit “TRACE” me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Shkup.
































































