Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Mbi refuzimin e dallëndysheve

Mbi refuzimin e dallëndysheve

***

Sado që mund të rrekemi të bëhemi të mirë e të sjellshëm në fundin e secilit vit që shkon, e kemi të pamundur të pastrohemi nga vetja. Ashtu mendoj derisa bie mbrëmja dhe përskuqet horizonti. Në të shumtën e herave doza pesimizmi të mëdha më kapin sapo shoh ndonjë bredh të pushtuar nga dritat, dritare shtëpish të zbukuruara, një Santa Claus ardhur nga dimri i kapitalizmit të egër idiot që shfrytëzon kurreshtjen e fëmijëve apo edhe kur ndjej kockat e duarve të ftohura nga dimri. Pashpjegueshmërisht i lodhur ende çuditërisht përpiqem. Disi gjithmonë fundi i një viti më duket një dëshmi e shpresave të rrejshme. Viti që kaloi për mua ishte gllabërues jetërash. Në mesin e shumë jetërave të shuara ishte edhe ajo e babait tim. I cili ndryshe nga babai i Zhed Martinit, një fotograf francez, personazh i librit të Houellebecq, nuk pati kohë të shijonte një darkë krishtlindjesh apo atë të fundvitit me të birin e tij, në mënyrë që ta shpaloste gjithë rrëfimin mbi jetën, si dhuratë që na jepet secilit nga ne për të na vetëdijesuar njëherë e mirë mbi pezullimin, si esencë. Apo ta shprehë njërën prej brengave të tij të shumta. Meqë jemi te brengat e baballarëve që ikin kaq shpejtë, nuk rri dot pa u kthyer dhe pa e treguar shqetësimin e madh, të Zhan Pjer Martin, babait të fotografit. Për mua është një histori e vockël fantastike. Një fragment madhështor nga libri Harta dhe Territori me autor Michel Houellebecq. Pra të dalim aty. Tek e bukura, që shfaqet si teh shpate në fyt.

***

Zhan Pjer Martin, si fëmijë gjithmonë kishte dashur kafshët. Madje shkonte deri në atë pikë sa që ëndërronte të bëhej veteriner. Nga dashuria e tij e madhe për dallëndyshet ai mësoi në njërën prej enciklopedive informative se foletë e tyre janë të ndërtuara nga dheu dhe pështyma. Kështu që si dhjetëvjeçar ai kaloi javë të tëra duke ndërtuar një fole, për të gjitha dallëndyshet që i vinin tek plemja. Mirëpo gjatë tërë jetës së tij dallëndyshet kishin refuzuar të jetonin në folenë që ai e kishte bërë enkas për to. Madje ata refuzuan edhe të veronin tek po ajo pleme. Në këtë çast të rrëfimit të tij, Zhan Pjer Martin, babai i Zhed Martin, i cili ambicien e vetme në jetë, e kishte që të mos e shqetësonte askënd, gufon nga lotët. Ky çast është antologjik në historinë e të gjitha momenteve të pafundme të qenieve si puna jonë. Për mua si lexues ky pikëllim i plakut me kancer në zorrën e trashë dhe i detyruar të pranonte anusin artificial para djalit të tij, me rastin e fundit të vitit, është poashtu goditja më e bukur që i është dhënë ndërhyrjes së dorës njerëzore. Sado që ajo mund të jetë e mbushur me të gjitha mirësitë e të gjitha botërave. Me të gjitha sentimentet e njeriut. Dhe rrëfimi bëhet edhe më prekës, kur djali i tij detyruar që ta qetësojë shpirtin e trazuar të babait, shkon deri në atë pikë sa që përqafon gënjeshtrën, në shërbim të ngushëllimit.

Ai thotë se dallëndyshet nuk rrinë kurrë në foletë e bëra nga dora e njeriut. A doni edhe më shumë se kaq. Kur ndonjëri prej jush e prek folenë e tyre, ata e braktisin në mënyrë që ta ndërtojnë një të re. Dhe tragjike në mënyrën e vet është e vërteta se plaku lehtësohet para asaj që ia thotë djali. Sado që e vërteta e djalit të tij, ishte një e vërtetë e diskutueshme. Thellësisht e dyshimtë. Ta themi edhe këtë. Plaku nuk donte më t’ia shihte njeriut bojën. I kishin ardhur në majë të hundës marrëdhëniet ndërnjerëzore pas më shumë se gjashtëdhjetë vjetësh. Tani ai pas njëzetë vjetësh kishte ndezur një cigare dhe sodiste rrjedhën e jetës së tij, dëshpërimisht i fyer dhe i përkulur para asaj që ja kishte treguar dhëmbët. Megjithatë duke e hequr atë peshë nga zemra që e kishte mbajtur gjatë tërë jetës së tij. Në dukje fare e thjeshtë. Përmbajtësisht kaq e fuqishme.

***

A mund të jetë ky një urim. Nëse lutem që të mos i fusni duart aty ku nuk është e nevojshme. A mund të jetë një urim patetik i padurueshëm apo e gjithë kjo bisedë në mes tyre, është mungesa ime e një bisede të tillë me babain tim. Apo do t’ju shërbejë si një mësim mbi sjelljen e çuditshme njerëzore. As që e kam idenë. Letërsia nuk më shëron dhe në të njëjtën kohë më është kaq e nevojshme. Po. Nëse ishte një shkrim urimi atëherë gëzohem shumë. Përndryshe uratat e mia për njeriun, janë të përgjakura.

 

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.