Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Ukraina dhe frika konstante ndaj agresionit rus

Gjatë javëve të fundit, luftimet në rajonin ukrainas Donbas janë përshkallëzuar dhe numri i forcave ruse është rritur drastikisht përgjatë kufirit mes Ukrainës dhe Rusisë.

Kjo përbën koncentrimin më të lartë të trupave ushtarake Ruse në rajon që nga aneksimi i Krimesë në vitin 2014. Megjithatë, deklaratat e fuqishme nga aleatët Perëndimorë shtynë Rusinë që të tërheq trupat nga kufiri.

Edhe pse tërheqja e trupave ruse evitoi një eskalim të mundshëm të situatës, Ukraina vazhdon të përballet me një Rusi tejet agresive. Në të njëjtën kohë, presidenti i ri amerikan, Joe Biden, ka ashpërsuar gjuhën e tij ndaj Rusisë.

Për gati më shumë së gjashtë vite, Ukraina e gjen veten në një konflikt të ngrirë dhe në udhëkryq gjeopolitik mes Rusisë dhe Perëndimit. Si rezultat, situata në Ukrainën Lindore pritet të vazhdojë të jetë e paqëndrueshme.

Reagimet politike

Prezenca e lartë ushtarake përgjatë kufirit u prit me shqetësim në Perëndim dhe Ukrainë, vend i cili i frikësohet një okupimi të ri nga Rusia.

Reagimet politike ishin të shumta. Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel u takuan me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Paris dhe bënë thirrje për largimin e trupave ruse nga kufiri.

Gjithashtu, Presidenti Biden i bëri thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, për ndalim të përshkallëzimit të situatës, duke propozuar samit me presidentin rus.

Ndërkaq Rusia është përgjigjur se askush nuk duhet t’i frikësohet kësaj sepse qëllimi i rritjes së numrit të trupave është vetëm një stërvitje ushtarake për të shfaqur gatishmërinë ruse ndaj rreziqeve eventuale të NATO-s.

Për vite me radhë, Perëndimi nuk është se ka bërë ndonjë gjë më tepër sesa deklarata politike dhe sanksione ndaj Rusisë, veprime të cilat nuk është se kanë pasur ndonjë efekt praktik.

Mirëpo, kësaj radhe, paralajmërimet e Presidentit Biden ishin efektive. Trupat ruse filluan tërheqjen nga kufiri me pretekstin se ushtrimet ushtarake kishin përfunduar. Gjithashtu, sipas raportimeve, duket se një samit presidencial mes Biden dhe Putin pritet të mbahet në qershor të këtij viti.

Udhëkryqi gjeostrategjik

Krijimi i NATO-s i ka shërbyer drejtpërdrejt politikës së jashtme amerikane dhe stabilitetit në Evropën perëndimore. Formimi i Aleancës kolektive të mbrojtjes krijoi siguri dhe stabilitet në Evropë tek vendet të cilat i frikësoheshin një pushtimi eventual të Bashkimit Sovjetik.

Me përfundimin e luftës së ftohtë në 1989, rendi botëror kaloi nga një sistem bipolar në atë unipolar, me ShBA-të si superfuqinë e vetme globale. NATO dëshmoi se ishte një aleancë e fuqishme e cila do të mund t’i shërbente edhe më tutje sigurisë dhe interesave euro-atlantike.

Si rezultat, në vitin 2004, NATO pranoi shtatë shtete të reja evropiane, përfshirë tri shtetet baltike: Estonia, Letonia dhe Lituania, dy prej të cilave kufizohen me Federatën Ruse. Zgjerimi i NATO-s u prit me alarm në Rusi, dhe pas lajmeve se Gjeorgjia dhe Ukraina do të jenë dy shtetet e ardhshme potenciale për t’ju bashkëngjitur Aleancës, Rusia vendosi të veprojë.

Rusia pushtoi pjesë të territorit të Gjeorgjisë (Abkhazia dhe Osetia Jugore) në 2008, dhe Ukrainës (Krimea dhe Donbas) në 2014. Ky akt parandaloi çdo mundësi të integrimit të tyre në NATO. Ky ishte një sinjal i qartë se Rusia nuk do të toleronte zgjerimin e mëtutjeshëm të Aleancës në kufijtë e saj.

NATO dhe anëtarët e saj dështuan të kuptonin një ndër parimet bazë të diplomacisë: kur një fuqi ushtarake botërore ndihet e rrezikuar ajo reagon dhunshëm. Si rezultat i këtij keqkalkulimi, Gjeorgjia dhe Ukraina vazhdojnë të mbeten vende të cilat nuk ushtrojnë sovranitet të plotë mbi territorin e tyre dhe vazhdojnë të mbeten në konflikt të ngrirë me Rusinë.

Qasja e re amerikane shkakton reagim

Përshkallëzimi i situatës në Ukrainën Lindore dhe rritja e numrit të forcave ruse përgjatë kufirit ka një shpjegim. Kjo lëvizje nga Rusia vjen si rezultat i ndryshimit të lidershipit në zgjedhjet e fundit presidenciale në ShBA.

Presidenti i ri amerikan, Joe Biden, e ka bërë të qartë se ka një vizion thellësisht të ndryshëm nga paraardhësi i tij, Donald Trump, dhe se do të ndjekë një politikë të jashtme tradicionale amerikane të bazuar në aleancë të ngushtë transatlantik edhe qasje të fortë ndaj Rusisë.

Përgjatë 100 ditëshit të administratës Biden, gjuha ndaj Rusisë është ashpërsuar dhe sanksionet janë zgjeruar. Biden nuk e pa të arsyeshme të tregohej diplomatik me homolgun e tij rus, duke e quajtur atë vrasës.

Nga perspektiva ruse, Ukraina shihet si një zonë neutrale mes saj dhe NATO-s, prandaj qasja e re amerikane është manifestuar si presion dhe ka nxitur reagim.

Që nga aneksimi i Krimesë, Ukraina vazhdon të gjendet në udhëkryq gjeopolitik në të cilën ka kontribuar edhe vet Perëndimi, dhe duket se situata në Ukrainën Lindore është ende larg një zgjidhjeje përfundimtare të qëndrueshme.

Megjithë tërheqjen e trupave ruse nga kufiri, rreziku nga një agresion i ri rus mbetet real.

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.