Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Frojdi kundër demarkacionit

Foto nga Freepik.

Te Interpretimi i ëndrrave dhe Shakatë dhe marrëdhënia e tyre me të pavetëdijëshmen, Frojdi rrëfen një shaka interesante rreth një burri që kishte huazuar çajnikun e një fqinji të tij, porse nga pakujdesia e treguar i kishte bërë një vrimë nga ku rrjidhte uji më pas. Në një situatë të tillë, thotë Frojdi, burri ia kishte kthyer ashtu të dëmtuar çajnikun fqinjit të tij, me shpresën se ai s’ka për ta zbuluar vrimën në çajnik.

Megjithëkëtë; dhe, në fakt, ashtu siç pritej, fqinji e kishte vërejtur vrimën në çajnik; dhe, pa një pa dy, siç thuhet, kishte paditur burrin në fjalë. Ky i fundit, ndërkaq, në vend se të bluajë në mendje një rrëfim të vetëm dhe konsistent rreth çajnikut, na bën me dije Frojdi, kishte parapëlqyer më tepër të konstrukojë arsyetime nga më inkonsistente dhe kontradiktore të mundshme.

Si rrjedhim, rrëfen Frojdi, burri ishte mbrojtur fillimisht duke thënë se ai i kishte kthyer fqinjit çajnikun në gjendje të mirë. Më pas, shton Frojdi, burri kishte pohuar se vrima në çajnik kishte qenë edhe para se ai ta huazojë atë. Dhe krejt në fund, tregon Frojdi, burri kishte deklaruar se nuk mban mend të ketë huazuar ndonjëherë çajnikun nga fqinji i tij!

Frojdi, natyrisht, i referohej një shakaje të tillë për të shpjeguar gjithë lëmshin që karakterizon botën e ëndrrave; ndërkaq, së fundmi, këtë shaka e gjejmë të kontekstualizuar në regjistrin socio-politik në librin e Zizekut, me titull Iraq: The Borrowed Kettle, në të cilin ai problematizon gjithë logjikën bizarre të intervenimit në Irak.

E megjithatë, lexuesi, me të drejtë, mund të pyes:

– Po ç’lidhje mund të ketë vallë kjo shaka me çështjen e demarkacionit?

– Shumë,- do të thosha unë.

Kjo shaka që përmend Frojdi, besoj unë, na ndihmon për të kuptuar si asgjë tjetër pse ky version i demarkacionit është i gabuar.

– Në ç’mënyrë?

– Vetëm dhe thjesht duke analizuar qëndrimet e papajtueshme, inkonsistente dhe kundërthënëse të Thaçit, Mustafës dhe Veselit sa i përket këtij versioni të demarkacionit,- do të përgjigjesha unë.

Fillimisht, siç e dini, Thaçi, Mustafa dhe Veseli na siguronin se me këtë version të demarkacionit Kosova s’do të humbasë as edhe një pëllëmb territor, e leje më mijëra hektarë siç deklarojnë banorët e atyre zonave, subjektet opozitare dhe grupi i ekspertëve.

Më pas, sidoqoftë; dhe sidomos mbas debatit shkencor ku ata dhe komisioni shtetëror u deklasuan si mos më keq, Thaçi, Mustafa dhe Veseli filluan të ndryshojnë arsyetimin e tyre; tamam si burri me çajnikun e huazuar që përmendëm në fillim. Tash, thoshin ata, demarkacionin duhet votuar jo sepse Kosova s’do të humbasë asgjë nga territori i saj, porse është “parakusht për liberalizim të vizave.”

Domethënë, as ‘kusht’ jo, por ‘parakusht’; që, me fjalë të tjera, i bie se Kosova ende ka rrugë për të bërë deri tek kushtet. (Zatën, që të bëj një parantezë të shkurtër këtu: duke qenë se Pavarësinë e kishim të kushtëzuar, parakushtet, kushtet, kushtëzimet, e çka jo tjetër s’kanë për t’u na ndarë kurrë e për jetë. Madje marr guximin të konstatoj se as në kohën e ‘pavarësisë së kushtëzuar’ s’kemi qenë kaq të (para)kushtëzuar sa tash).

Qyshdoqoftë, Thaçi, Mustafa dhe Veseli së fundmi kanë filluar me frenezi të lëshojnë edhe një kërcënim të madh në rast mos-miratimi të këtij versioni të demarkacionit: izolimin e Kosovës dhe humbjen e përkrahjes së BE-së dhe SHBA-së.

Që kjo është një gënjeshtër e kulluar, besoj se e dinë edhe ata vetë që e kumtojnë një gjë të tillë. Por, për hir të argumentit, le ta marrim si të mirëqenë këtë fakt. Tash, pyetja që duhet ngritur, gjykoj unë, është:

– A duhet votuar versioni i tanishëm i demarkacionit pse Kosova s’do të humbasë asgjë nga territori i saj; apo se këtë po e kërkojnë aleatët tanë evropianë dhe amerikanë?

Të paktën ta dimë, që të mos na shkojë ymri si budallenj.

Nga të gjitha arsyetimet, sidoqoftë, dy sosh kanë tërhequr vëmendjen time në veçanti: ideja se me miratimin e demarkacionit do të hapet rruga për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar; dhe dy, se Kosova do të forcojë sovranitetin e vet shtetëror.

Në rastin e parë, atë të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, më duhet të them se edhe një pjesë e madhe e analistëve dhe gazetarëve janë bërë pjesë e këtij arsyetimi. Këta të fundit, edhe atë si për hata të botës, do të thosha, saherë që ndonjë plan i dëmshëm i kërcënohet Kosovës nuk pështon ditë e lume që nuk i dëgjon duke kukuvajtur:

– Korrupsioni, krimi organizuar; krimi i organizuar, korrupsioni,- thua se vërtet shqetësohen për nivelin e lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend.

A jo që, për Zotin, kurrë nuk e çelin gojën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në kushte normale.

Për më tepër, i njëjti argument, siç dihet, përdorej edhe në kohën e miratimit të Gjykatës Speciale. Asokohe, siç ju kujtohet, na thoshin se “duhet miratuar Gjykatën Speciale në mënyrë që lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të ketë gjithë vëmendjen e duhur të institucioneve.”

E luftuan korrupsionin dhe krimin e organizuar pas miratimit të Gjykatës Speciale?

Astenitro, – do të thoshte Grabitqari.

Përkundrazi, kam përshtypjen që kapja e institucioneve të shtetit veçse është konsoliduar gjatë kësaj kohe, duke bërë që PDK-LDK të jenë përfundimisht ‘parti shtet-kapëse,’ e jo parti ‘shtet-formuese’ siç pretendojnë ende disa halabakë mediokër.

Në rastin e rrëfimit të dytë, ndërkaq, po na thonë se miratimi i demarkacionit dhe themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe është në interes të forcimit të sovranitetit të vendit.

Po mirë, loqkat e mia, ta zëmë se është njëmend kësisoji siç po na thoni.

Po a nuk është një deklaratë e tillë në kundërthënie të plotë me deklaratat tuaja të mëparshme që theksonin se “ka marrë fund epoka e sovraniteteve?” Si u bëka tash, pra, që Kosova të forcojë sovranitetin e vet shtetëror, kur deri me tani na keni lodhur duke na thënë se ka përfunduar epoka e sovraniteteve?

Tregomëni.

Sepse vërtet e kam të pamundur t’i pajtoj këto dy qëndrime të papajtueshme—të cilat veç e veç, s’do mend, do t’i kisha kuptuar pa problem.

Prandaj, them unë, nuk është e thënë të jesh ekspert i fushës për të kuptuar se me këtë version të demarkacionit vendi ynë do të humbasë territor; mjafton thjesht dhe vetëm të analizosh qëndrimet e papajtueshme, inkonsistente dhe kontradiktore të Thaçit, Mustafës dhe Veselit.

Sepse, të merremi vesh: nëse vërtet versioni i tanishëm i demarkacionit është në rregull siç po trumbetohet, pse atëherë të ndërlidhet me liberalizim të vizave, vazhdim të partneritetit me Bashkimin Evropian dhe SHBA-të, luftim të korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcim të shtetit dhe sovranitetit të vendit, e kështu me radhë?

Këtë s’po arrij ta kuptoj unë.

Kështu që, personalisht, do të doja që deputetët të mos e votojnë këtë version të demarkacionit. Por duke e ditur se këta e kanë shndërruar parlamentin në një shit-ore ku shiten e blihen interesat kombëtare dhe shtetërore; në një vend ku shiten e blihen votat e deputetëve; në një vend ku shiten e blihen pasuritë publike; në një vend ku shitet e blihet vetë personaliteti e dinjiteti i tyre, atëherë s’kam as shpresën më të vogël te ta.

Gjithsesi, i mbetet popullit si bartës i shenjës së politicitetit të kundërshtojë këtë Marrëveshje me 1 shtator. E, nëse është nevoja, një ditë edhe ta korrigjojë atë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.