Negociatat si bllokuese të demokratizimit
Historia e shtetformimit të Kosovës është e lidhur ngushtë me negociata të shumta, sidomos mes Prishtinës e Beogradit, të cilat mbesin ende procese të rënda dhe të kompromiseve të vështira. Duke filluar që nga negociatat e Rambujesë dhe të vazhduara më pas shkurt në Paris, kur për shkak të refuzimit të palës serbe ato dështuan, e deri te negociatat e Vjenës, ku fati i vendit u vendos në tavolinë, Kosova vazhdimisht është ballafaquar me ‘momente historike’, duke e lënë peng zhvillimin e brendshëm politik e socio-ekonomik. Zgjidhja përfundimtare e statusit juridik e politik të Kosovës, duket se nuk mori fund me shpalljen e pavarësisë, ashtu siç krijohej përshtypja dhe siç u proklamonte nga paria politike. Madje as opinioni afirmativ i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës (shpallur më 2010), nuk e përmbylli ciklin e negociatave. Së shpejti në Bruksel filluan negociatat të reja të quajtura me eufemizëm diplomatik ‘bisedimet teknike’, duke çuar një vit më vonë te takimi i parë mes kryeministrave të dy vendeve Thaçi dhe Da?i? dhe më 19 Prill 2013 në arritjen e marrëveshjes 15 pikëshe mes tyre, e njohur si “Marrëveshja e parë mbi parimet që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve”.
Ndërkohë që udhëheqësit politikë dhe njëkohësisht negociatorët e Kosovës në këto 16 vite të fundit mbesin pothuajse të njëjtit, procesi i demokratizimit ka mbetur peng i këtyre negociatave. Nëse kësaj i shtohen edhe çështjet e ndjeshme si decentralizimi, gjykata speciale dhe së fundmi çështja e Asociacionit, duket e qartë se reformat e nevojshme administrative, përmirësimi në shëndetësi e arsim, mirëqenia sociale, njohjet ndërkombëtare, pastaj zhvillimi ekonomik e luftimi i korrupsionit mbeten tërësisht nën hije të negociatave dhe marrëveshjeve të dala nga këto. Ndërsa opozita (si ato të mëhershmet edhe kjo aktuale) vazhdon të harxhojë energji të tepruar, duke u fokusuar vazhdimisht në kundërshtimin e marrëveshjeve, qytetarët gjithnjë e më shumë po humbin besimin në institucione por edhe shpresat për një alternativë më të mirë qeverisëse.
Derisa në sondazhet e bëra nga European Value Study më 2008 qytetaret e Kosovës me afro 90% ishin ndër popujt më krenarë me vendin e tyre, ata sot nga matjet e ndryshme të opinionit publik dalin më të zhgënjyerit krahasuar me të gjitha vendet e rajonit dhe të Evropës. Rënia drastike e besueshmërisë dhe rritja e frustrimit të qytetarëve nuk duhet lexuar vetëm si zhgënjim nga mosangazhimi dhe mosadresimi i duhur i brengave dhe i nevojave të tyre nga ana e institucioneve qeveritare, por edhe si mungesë e një opsioni më bindës politik, i cili do të mund t’i zgjidhte këto probleme. Për më tepër duket se krizat e shpeshta e të ashpra të skenës politike vijnë më shumë si rrjedhoje e përplasjes së pozitës e opozitës rreth asaj se kush ka më shumë të drejtë e kush gabim në negociata, sesa kush qeveris popullin më mirë e kush më keq me vendin.
Në këtë lojë politike mes akuzave e kundërakuzave, qytetarët bëhen më shumë spektatorë të hutuar e të frikësuar sesa pjesëmarrës apo ndikues në demokracinë e vendit. Jo pse negociatat apo marrëveshjet e dala nga ato, nuk duhet të jenë pjesë e proceseve dhe e debateve politike, por kur ato janë temë kyçe e tyre dhe me vite të tëra bëhen mburoja e kësaj elite politike, atëherë ato dëmtojnë thellësisht konsolidimin e demokracisë në shoqërinë kosovare. Krizat e vazhdueshme politike të përcjella herë pas here me dhunë e konflikt politik, si pasojë e fokusimit të tepruar të negociatat, mund të përforcojnë vetëm sjelljet autoritare dhe polarizimin shoqëror, duke zbehur interesimin e shoqërisë për performancën e institucioneve dhe vendimmarrjen politike. Ndoshta është koha që të kërkohet nga qeveritarët më shumë llogari për punët e (pa)bëra, ndërsa nga opozita më shumë oferta e plane qeverisëse të bindshme, sesa të vazhdojmë të humbim më shumë kohë e energji me përplasjet e tyre rreth negociatave. Sepse vetëm kështu mund t’i hapim rrugën ndryshimeve politike, zhvillimit dhe demokratizimit të vendit.