Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Perspektivat e mësimdhënësve pas reformës së rekrutimit në Prishtinë

Ilustrimi nga: BigEye

Në vitin 2016, Komuna e Prishtinës pati vendosur që me ligjet në fuqi të ndërmerrte një reformë e cila do të ndryshonte procesin e rekrutimit të mësimdhënësve. Deri në vitin 2016, mësimdhënësit kanë pasur të drejtë të aplikojnë për një pozitë të lirë në shkollën ku ata kanë zgjedhur. Pas reformës, ka vetëm pozicione të lira, ndërkaq emri i shkollës nuk figuron më në formularin e aplikimit.

Arsyetimi prapa reformës ishte se kjo e fundit potencialisht do të zbuste hendekun mes shkollave me performancë “të mirë” dhe “të keqe”. Reforma nuk ka nxitur nevojën për të ndryshuar asnjë ligj ekzistues në Kosovë, duke pasur parasysh organizimin e kornizës ligjore në përgjithësi në raport me arsimin si dhe kompetencat të cilat i posedojnë komunat e Kosovës. Prishtina është i vetmi qytet në Kosovë që zbatoi një reformë të tillë, duke pasur parasysh mënyrën e organizimit të kornizës ligjore në Kosovë në lidhje me arsimin dhe kompetencat që posedojnë komunat në lidhje me këtë të fundit.

Ligji për arsimin fillor dhe të mesëm në Kosovë, i cili ka të bëjë edhe me personelin dhe stafin, cek se rekrutimin e kuadrit profesional (mësimdhënësve) e bën komuna. Megjithatë, menjëherë pas reformës, u ngritën zërat e pakënaqësisë në mesin e mësuesve të Prishtinës. Mungesa e lirisë së zgjedhjes duket se ka prekur mësimdhënësit në disa mënyra, si p.sh. pakënaqësia me vendndodhjen e shkollave, vështirësitë infrastrukturore dhe degradimi profesional.

Si ka ndryshuar profesioni i mësuesit në dy dekadat e fundit në Kosovë, dhe si e perceptojnë vetë mësimdhënësit profesionin e tyre si agjentë socialë? Është e rëndësishme të theksohet se profesioni i mësuesit në Kosovë është konsideruar si linjë “fisnike” e punës, marrë parasysh vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar sistemi arsimor:  që nga mohimi i së drejtës për t’u shkolluar në gjuhën shqipe gjatë viteve të 60-ta, deri te sistemi paralel i viteve të 90-ta dhe së fundi epoka e pasluftës, ku ndërtimi i sistemit arsimor nga Kosova dhe komuniteti ndërkombëtar e ka ripërcaktuar sërish profesionin e mësuesit duke futur nocionet e efektivitetit, llogaridhënies dhe mjeteve të ndryshme të kontrollit shtetëror mbi mësuesit.

Ky është një studim kualitativ përmes së cilit janë intervistuar dhjetë mësimdhënës të pesë shkollave në Komunën e Prishtinës. Hulumtimi është organizuar rreth pesë pyetjeve kërkimore të renditura si më poshtë: Si ndikoi reforma në rekrutimin e mësuesve në kushtet profesionale të mësuesve? Cili është efekti i reformës në lidhje me cenueshmërinë (vulnerability) profesionale dhe izolimin profesional/gjeografik? Si janë ndikuar gratë mësuese nga reforma? Cilat janë këndvështrimet e mësuesve për reformën? Cilat janë strategjitë e mësuesve ndaj reformës?

Në studimet e mëparshme që kanë të bëjnë me përkufizimin e profesionalizmit të mësuesit/es si dhe hulumtimet që kanë të bëjnë me efektet e reformave te mësuesit/es dhe profesioni i mësuesit/es vërehet se reforma e cila ka transformuar mënyrën e rekrutimit të mësimdhënësve në Prishtinë ka ndikuar në një aspekt të rëndësishëm që është e theksuar në këto definicione: atë të autonomisë së mëdimdhënësve.

Privimi i lirisë për të zgjedhur vendin e punës i ka bërë mësuesit të ndihen të pasigurtë, të lënë pas dore dhe të pambrojtur. Për më tepër, reforma ka bërë që mësuesit të ndihen të denigruar profesionalisht. Përdorimi i koncepteve analitike si: cenueshmëria, përkatësia (belonging) si dhe izolimi profesional dhe gjeografik ka hapur shtigje që të kuptohen mendimet dhe opinionet e mësuesve. Gjatë intervistave të realizuara me ta të gjithë mësuesit besonin se ishin në një gjendje të pasigurisë. Kurse sa i përket përvojës së tyre në shkollë të gjithë shprehën mendime të ngjashme, disa prej tyre identike, si në aspektin personal ashtu edhe në atë profesional. Ata besojnë se nuk mund të përparojnë si mësues për shkak të mungesës së nxënësve dhe se shkollat ​​ishin në zona rurale/periferike. Gjithashtu, ata ndihen jo adekuat dhe mendimet e tyre rreth kompetencave të tyre si mësues kishe ndërruar, pra në njërën anë nuk ishin rehat me vendin e tyre të punës, si dhe besonin që nuk mund të jenë mësues të mirë siç aspironin.

Kjo do të thotë se reforma ka ndikuar drejtpërdrejt në kushtet e tyre profesionale dhe në mënyrë latente në perceptimin e tyre për profesionin. Mësuesit nuk kanë arritur të krijojnë ndjenjën e përkatësisë duke pasur parasysh mentalitetet e ndryshme të komunitetit (sipas tyre), për më tepër, ata ndjehen të izoluar gjeografikisht për shkak të vendndodhjes së shkollave dhe të izoluar profesionalisht sepse shkollat ​​nuk u ofrojnë sfida dhe perspektivë të mjaftueshme për t’u ngritur si mësues. Për më tepër, reforma sipas tyre i la të neglizhuar nga Komuna e Prishtinës, duke u konsideruar të pafuqishëm dhe të përjashtuar nga vendimmarrja. Mënyra e vetme për t’i rezistuar reformës u bë transferi nga një shkollë në tjetrën.

Një gjë e rëndësishme që duhet theksuar duke pasur parasysh kontekstin kosovar në raport me mësuesit, si dhe historinë e sistemit arsimor të pasluftës, është se procesi i të bërit mësues është transformuar plotësisht. Ka pasur një ndryshim në diskursin publik në lidhje me atë se çfarë do të thotë të jesh mësues në Kosovë para dhe pas luftës. Diskursi i paraluftës karakterizon mësuesin si profesionist fisnik për shkak rezistencës dhe trazirave, ndërkaq diskursi i pasluftës sheh mësimdhënësit si jo kredibil dhe jo të kualifikuar për shkak uljes së cilësisë së arsimit. Kjo ka vënë mësimdhënësit në një pozicion ku duhet ta dëshmojnë vazhdimisht veten si të denjë. Në këtë përpjekje të mësuesve për t’u rikthyer si profesionistë, një reformë e tillë mund të shihet si një “sulm” ndaj njërit prej komponentëve që përbën profesionalizmin e mësuesit, e i cili është vet-rregullimi. Fakti që u imponohet një reformë që jo vetëm i lë jashtë vendimmarrjes, por edhe të pafuqishëm në zgjedhjen e një vendi pune, mund të të kuptohet si përpjekje për kontroll të shtuar nga shteti, krahas kontrollit që tanimë ekziston.

Studimet e mëparshme për mënyrën se si reformat ndikojnë te mësimdhënësit dhe në profesionalizmin e tyre përmendin një gjë: që qeveritë ndërmarrin reforma për të rritur standardet e mësimdhënies. Megjithatë, bazuar në këtë studim mund të shohim se një reformë e tillë ka prodhuar një realitet të komplikuar, ku mësuesit janë të detyruar të ndryshojnë praktikat e tyre pedagogjike për t’iu përshtatur klasave me më pak nxënës, gjë që përfundimisht i shtyn të punojnë jashtë kurrikulës, e cila është e detyrueshme për t’u zbatuar brenda klasës. Reforma ka ndryshuar disa komponentë të profesionalizmit të mësuesve. Nga njëra anë u ka dhënë mësuesve lirinë e autonomisë brenda klasës, ku mësuesit duhet të gjykojnë se çfarë është e përshtatshme për një kontekst specifik në klasë dhe të marrin vendime të shpejta, të cilat jo gjithmonë përputhen me kurrikulën. Kurse nga ana tjetër, ka një zbehje të autonomisë në raport me lirinë e zgjedhjes së vendit të punës.

Si përfundim, ky studim ka pasur për synim të hulumtoj në thellësi pozitën e mësimdhënësve jo vetëm në Prishtinë, por edhe në Kosovë, për të parë sesi transformimet në sistemin arsimor, përkatësisht reformat, ndikojnë te mësuesit dhe në profesionalizmin e mësimdhënësve.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.