Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Si e futi Putin-i dhe KGB-ja nën kontroll Rusinë – dhe si ia hodhi Perëndimit

Një libër i rëndësishëm sqaron në detaje ngritjen e mirëllogaritur të carit të ditëve moderne.

Vështrimi më i mirë për Vladimir Putin-in që kam dëgjuar ndonjëherë ka qenë i babait të një shokut tim, ish-disident sovjetik. Në Leningradin e viteve 1960, ai provoi në lëkurën e tij praktikat operuese të KGB-së, shërbimit më të frikshkëm të sigurimit të Bashkimit Sovjetik. Po e njejta organizatë me të cilën Putin-i kaloi vitet më të rëndësishme të rinisë, para se t’i futej politikës dhe të niste ngritjen marramendëse drejt presidencës. E kaluara e KGB-së e liderit rus nënkupton se ai do të ketë gjithmonë mendësinë e një spiuni, më thoshte kështu gjatë një mbrëmjeje babai i shokut tim. “Putin-i nuk mund të nënshtrohet dot,” tha ai, “por, mund të thyhet.”

Pak njerëz kanë treguar se si KGB-ja formësoi Putin-in dhe Rusinë moderne më mirë se gazetarja Catherine Belton në librin e saj të ri, “Njerëzit e Putinit: si e rimori KGB-ja Rusinë dhe pastaj ia mësyu me Perëndimin.” Belton thotë se Putin-i nuk ka hequr dorë kurrë nga misioni i tij për të rikthyer pushtetin e KGB-së, që për një kohë u duk sikur do ta kishte fatin e njejtë me atë të Bashkimit Sovjetik. Ajo gjurmon karrierën e Putin-it dhe bashkëpunëtorëve të tij që prej kohës kur ishte spiun i nivelit të mesëm në vitet 1980, gjatë kryengritjës së viteve 1990, e deri në majet e politikës dhe biznesit rus. Ata kanë farkëtuar një sistem, thotë Belton, që përdor rregullat e lojës e KGB-së për të mbajtur pushtetin, manipuluar qindra miliarda dollarë në qarkullimin e parave, dhe për të shpërndarë ndikimin rus thellë në Perëndim.

Shpërtimi i koronavirusit është moment i përshtatshëm për të studiuar Putin-in dhe regjimin e tij. Vështirësitë dhe pasiguria ekonomike kanë ndikuar që përkrahja e Putin-it të bie në nivelin më të ulët në 20 vitet e fundit, duke sjellë një prej krizave më të mëdha të presidencës së tij dhe duke ngritur pyetje për të ardhmen e tij politike. Ndërkohë që lideri rus orvatet të kalojë këtë stuhi, analiza e Belton-it është dritare në grupin e njerëzve (pothuajse të gjithë burra) që ushtrojnë pushtetin në Kremlin. I shkruar bukur dhe i hulumtuar me kujdes, “Njerëzit e Putin-it” duket se do të bëhet vepra më autoritare rreth ndikimit të vazhdueshëm të spiunëve rusë.

Për ta kuptuar mënyrën e veprimit të Putin-it, Belton propozon që të shkojmë në qytetin Dresden të Gjermanisë Lindore, ku Putin-i shërbeu si agjent i huaj më 1985. Edhe pse shumë studime të kësaj periudhe të jetës së Putin-it deklarojnë se ai nuk kishte bërë më shumë se sa të mësojë gjermanisht dhe të pijë birra, Belton-i vizaton një portret shumë të ndryshëm. Putin-i, thotë ajo, ishte i përfshirë në kontrollin e agjentëve, rekrutimit, vjedhjen e teknologjisë, e madje edhe menaxhimin ee grupeve terroriste majtiste përgjegjëse për vrasjet në anën tjetër të Perdes së Hekurt. Në të njejtën kohë, Putin-i ishte në dijeni të masave të ndërmarra nga KGB-ja për të ruajtur ndikimin e saj në rast të shembjes së perandorisë sovjetike, e cila u parashikua nga disa zyrtarë largpamës. Në përgjithësi, kjo nënkuptonte krijimin e fondeve të korrupsionit me “rojtarë të besuar” dhe “firma të besueshme” dhe themelimin e skemave të ndërlikuara të kontrabandës dhe rrjeteve të agjentëve jashtë shtetit. Belton-i shpjegon se Putin-i dhe KGB-ja kishin për qëllim të krijonin “një program për gjithçka që do të vijë më pas.”

Shenjat mund të kenë qenë aty me dekada, por influenca e vazhdueshme e KGB-së u vu re nga Perëndimi tek në vitin 2016, pas dëshmive se Moska kishte ndërhyrë për të mirën e Donald Trump-it në zgjedhjet presidenciale në SHBA. Belton-i thellohet në botën e matrapazëve post-sovjetikë që e rrethuan Trump-in shumë përpara se të kandidonte për president, duke identifikuar lidhjet e tyre me sigurimin rus dhe se si përdorën taktikat e KGB-së për ta kurthuar presidentin e ardhshëm në një rrjet të obligemeve financiare. “Në fillim, biznesi i Trump-it ishte jo më shumë se vegël e përshtatshme për të kanalizuar fonde në SHBA,” shkruan Belton, teksa gjurmon kontaktet e tij me figura si tajkuni i ndërtimtarisë Agas Agalarov, kontrabanduesi i mallrave antike Shalva Tschingrinsky, dhe tregtari i naftës Tamir Sapir, të cilët “operonin në gjysmëdritën mes shërbimeve ruse të sigurisë dhe mafias.” Me kohë, këto marrëdhënie u thelluan, ndërsa Belton-i sugjeron se “në një moment Trump-i u bë mundësi politike.”

Sidoqoftë, ky libër nuk ka të bëjë vetëm me operacionet e spiunimit të Rusisë jashtë vendit. Siç e thotë tituli, fokusi kryesor i “Njerëzve të Putinit” është një grup i biznesmenëve dhe zyrtarëve të fuqishëm në zemër të Kremlinit – dhe ajo çfarë ata bëjnë përmes parave dhe ndikimit. Jo befasisht, pothuajse të gjithë karakterët e Belton-it kanë prapavijë të KGB-së. Aty është Igor Sechin, ish agjent i KGB-së në Afrikën Lindore, i cili punoi si sekretar i Putin-it në vitet 1990 (Belton rikujton anekdotën në të cilën ai kërkon ryshfet prej $10,000 për shefin) dhe i cili tash është kryetar i gjigantit të naftës Rosneft. Aty është Gennady Tichenko, i cili studioi gjermanisht me Putin-in në shkollën e trajnimeve të KGB-së para se të kalonte në tregti të naftës dhe të grumbullonte pasuri 14 miliardë dollarëshe. Aty është edhe Andrei Akimov, ish agjent sovjetik në Vjenë, i cili u bë lojtar kyç në kapjen nga shteti të kompanisë private të naftës Yukos dhe në skemat e ndërlikuara financiare që u përdorën për të rrjepur miliarda dollarë nga marrëveshjet për eksport të gazit.

Belton shkon edhe më tej, duke treguar se si edhe miliarderët që shpesh shihen si më të pavarur, kanë lidhje të pashkëputshme me Kremlin-in. Ajo kujton se si pronarët e bankës private Alfa Bank, Mikhail Fridman dhe Pyotr Aven, punësuan kushërinjtë e miqve spiunë të Putin-it nga gjermania Lindore dhe se si Putin-i i tha miliarderit Roman Abramovich të blente klubin e futbollit Chelsea më 2003. Nënshtrimi i biznesit rus ka qenë në dukje edhe gjatë shpërthimit të pandemisë duke qenë se autoritetet mbështeten tek pasanikët e mëdhenj për të ofruar dhjetëra miliona dollarë për të ngritur kapacitetet e sistemit shëndetësor.

Nëse ka momente ku Belton shkon shumë larg në portretizimin e Rusisë së Putin-it, atëherë ato kanë të bëjnë me mveshjen e influencës së tepërt të KGB-së dhe angjecive ruse të spiunimit. Ajo shpjegon se shembja e Bashkimit Sovjetik që një “marifet i brendshëm” i njerëzve të KGB-së dhe ngritja e Putinit drejt presidencës si operacion i planifikuar mirë i KGB-së. Në të dyja rastet, këto qenë procese të ndërlikuara që nuk mund të reduktohen vetëm në makinacionet e një grupi mjeshtrash të spiunimit. Belton përdor poashtu burime anonime dhe dëshmi rrethanore për t’i dhënë më shumë kredibilitet thashethëmeve më të errëta të Rusisë post-sovjetike: se Putin-i ishte i implikuar në vrasjen e shefit të tij Anatoly Sobchak në vitet 1990, dhe se aleati i tij Nikolai Patrushev organizoi rrethimin terrorist të teatrit moskovit më 2002, ku u vranë së paku 170 veta, në mënyrë që ta mbulonte Putin-in me gjak dhe “ta lidhte atë me presidencën.” Nuk ka arsye për të dyshuar ashpërsinë e zyrtarëve të dikurshëm të KGB-së, por shërbimet e sigurisë e Rusisë nuk janë aq të plotfuqishme. Korrupsioni, jokompetenca dhe rastësia janë gjithashtu aspekte të politikës ruse.

Shumë më bindëse është shpalosja e Belton-it e mënyrës se si regjimi i Putin-it manipulon sistemin ekonomik për të akumuluar pasuri personale për rrethin e tij, si krijon financime sekrete për “fondet e luftës”, dhe si financon operacionet e ndikimit jashtë vendit. Përmes bashkëbisedimeve me bankierë, me burime të Kremlinit dhe ish-spiunë, “Njerëzit e Putin-it” tregon se si bashkëpunëtorët e liderit rus morën në dorë ekonominë ruse duke i zhveshur asetet nga monopoli shtetëror i gazit Gazprom, duke rrjepur para nga eksportet e energjisë, dhe duke krijuar gjigantë financiarë, sikurse kompania e sigurimeve Sogaz dhe Bank Rossiya, që kontrollohen për së afërmi nga njerëz të Kremlin-it. Belton argumenton bindshëm se si ky proces u mundësua nga shumë njerëz në Perëndim, të cilët besonin se integrimi i Rusisë në tregjet financiare globale do të afronte atë me Perëndimin pas rënies së komunizmit. Në vend të kësaj, listimi i firmave ruse dhe përkulja e avokatëve, financierëve, dhe zyrtarëve perëndimorë, thjesht pasuroi njerëzit e afërt të Putin-it, forcoi një version të kapitalizmit shtetëror dhe, përfundimisht, stagnoi zhvillimin ekonomik të vendit. Bankierët në SHBA dhe Europë u “verbuan nga rrjedhja e parave,” shkruan Belton-i. “Njerëzit e Putin-it kishin llogaritur me saktësi se për Perëndimin, paraja është brengë më e madhe se çdo tjetër.”

Në momentin kur marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin u shemben pas aneksimit të rajonit të Krimesë më 2014, kapja e ekonomisë ruse nga Putin-i ishte gati totale – Perëndimi kishte humbur rastin që të ndikonte në sistemin e Putin-it. “Të gjitha janë para të Putin-it,” Belton citon një bankier. “Kur erdhi në pushtet, ai filloi duke thënë se nuk ishte më shumë se një menaxher. Por pastaj u bë aksionar kryesor i të gjithë Rusisë.” Disa prej këtyre parave kanë financuar jetën luksoze të Putin-it dhe aleatëve të ngushtë, por sipas Belton-it, shumë prej parave u dërguan jashtë shtetit, larg mbikëqyrjes demokratike, për të minuar institucionet në Perëndim – që prej zgjedhjeve amerikane deri te vota e Brexitit në Mbretërinë e Bashkuar dhe financimi i partive ekstreme në Europë. Njerëzit e KGB-së i kanë 800 miliardë dollar “të fshehura në llogari bankare [offshore] jashtë vendit,” sipas Belton-it.

Më herët këtë vit, Putin-i paralajmëroi një numër ndryshimesh kushtetuese që do t’i mundësojnë të mbetet president deri më 2036, duke transformuar veten me sukses në car të ditëve moderne. Por, cili do të jetë fati  regjimit të KGB-së ruse? A do të zgjasë përtej vdekjes së Putin-it, apo fundi i saj do të jetë shumë më i afërt? A mund “të thyhet” Putin-i, siç më kishte thënë dikur babai i shokut?

Nuk ka shumë shenja të ndonjë shembjeje politike apo se Putin-it është gati të thyhet si nga rivalët e brendshëm, si nga ndonjë marifet i huaj. Por kriza e koronavirusit e ka bërë Putin-in më të cënueshëm se sa vëzhguesit mbajnë mend ndonjëherë, dhe përkrahja ndaj tij ka vazhduar të bie. Planet politike të Kremlinit janë përmbysur. Belton ofron disa parashikime tek “Njerëzit e Putin-it” lidhur me jetëgjatësinë e regjimit, duke sugjeruar se Putin-i do të përsërisë gabimet e paraardhësve të tij të KGB-së. Sundimi i njerëzve të KGB-së të Putin-it po “kalcifikohet”, vëren ajo, dhe po përballet me rrezikun që “të bëhet më I brishtë nga dita në ditë.”

***

Artikulli origjinal në Foreign Policy.

***

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.