Nën udhëheqjen e Aleksandar Vuçiqit, politika e jashtme e Serbisë për një kohë të gjatë është mbështetur në një strategji të balancimit midis Lindjes dhe Perëndimit, duke ruajtur lidhjet me Brukselin, Uashingtonin, Moskën dhe Beijingun, për t’i baraspeshuar interesat ekonomikë dhe diplomatikë.
Kjo qasje shumëdrejtimëshe ka ndihmuar gjithashtu në ruajtjen e mbështetjes së brendshme politike për gati 15 vjet. Megjithatë, përballë protestave përherë e më të mëdha studentore, tensioneve të brendshme politike dhe ndryshimit të kushteve gjeopolitike, kjo strategji, efektiviteti i së cilës po vihet në pikëpyetje, duket gjithnjë e më e tendosur, teksa mbështetja për Vuçiqin, sipas shumë sondazheve, ka rënë në nivelin më të ulët që nga 2012, te rreth 30%.
Përkeqësimi i papritur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Përkundër se Donald Trumpi, gjatë zgjedhjeve presidenciale më 2024, ishte kandidati i preferuar në Serbi, pozita e Vuçiqit është dobësuar gjatë mandatit të dytë të Trumpit.
Së shpejti mund të zgjerohen sanksionet ndaj Industrisë së Naftës të Serbisë (NIS), duke përfshirë edhe individë të tjerë në kuadër të Aktit për Prosperitet dhe Demokraci në Ballkanin Perëndimor, duke e ndërlikuar kështu edhe më tej pozitën e Beogradit.
Përpjekjet e Vuçiqit për t’i përmirësuar lidhjet me Uashingtonin përfshinin edhe një tentim të pasuksesshëm për t’u takuar me Trumpin në Florida në maj 2025, teksa një marrëveshje e dhjetorit, në të cilën përfshihej dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, për ndërtimin e një hoteli Trump Tower në vendin e ndërtesës së ish-Shtabit të Përgjithshëm, dështoi përfundimisht.
Projekti u pengua nga kundërshtimi i fortë publik dhe nga një hetim i Prokurorisë ndaj zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës dhe Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore lidhur me pretendimet për falsikim dokumentesh për ta mundësuar demolimin e ndërtesës.
Gjithashtu, nisja e Dialogut Strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë është shtyrë dhe pozita e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Beograd ka mbetur vakante që nga viti 2022. Edhe pse pozitat vakante ambasadoriale janë të zakonshme në Ballkanin Perëndimor, kjo çështje nuk duhet shpërfillur.
Serbia filloi të shpenzojë shumë para për lobim në DC, me qëllim përmirësimin e marrëdhënieve me Uashingtonin.
Bazuar në të dhënat publike të Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara dhe gazetarëve hulumtues, Serbia, gjatë tre vjetëve të kaluar, ka shpenzuar 3.2 milionë dollarë ($) për lobistët në Uashington. Përmes kontakteve të drejtpërdrejta me zyrtarët e Administratës dhe ndërveprimit me mediat e krahut të djathtë, Beogradi është përpjekur ta përmirësojë imazhin e vet në Shtetet e Bashkuara, të sigurojë pjesëmarrjen amerikane në EXPO 2027 në Beograd dhe të ndikojë në qëndrimet e Shtëpisë së Bardhë mbi procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.
Parë si tërësi, këto zhvillime tregojnë se përpjekjet e Serbisë për t’iu afruar Shtëpisë së Bardhë nuk po japin rezultate.
BE-ja po e humb durimin me Vuçiqin
Gjithashtu, gjatë muajve të fundit, janë përkeqësuar edhe marrëdhëniet e Serbisë me BE-në. Në janar të vitit 2026, Vuçiqi nënshkroi të ashtuquajturat Ligjet Mrdic, një pako reformash gjyqësore që ndryshuan ndjeshëm juridiksionin dhe kompetencat e Prokurorisë për Krim të Organizuar, ndryshime këto që në masë të madhe u panë si përpjekje për t’i mbrojtur figurat e larta politike nga ndjekja penale.
Ky veprim shënoi një hap serioz pas për sundimin e ligjit dhe nxiti kritika të ashpra nga BE-ja. Më pas, komisionerja për zgjerim njoftoi se Serbia nuk do t’i përfitonte fondet nga Plani i Rritjes për shkak të regresit demokratik, teksa një hetim i vazhdueshëm ndaj SNS-së brenda Partisë Popullore Europiane e ka hapur mundësinë e përjashtimit të saj, ngjashëm me Fidesz-in hungarez.
Këto zhvillime kanë ngritur dyshime nëse Vuçiqi mund ta udhëheqë Serbinë drejt BE-së. Pyetja kryesore nuk është më nëse BE-ja do ta ndryshojë qasjen e saj, por sa gjatë do të vazhdojë ta tolerojë pushtetin e tij. Çarjet tashmë kanë filluar të shfaqen në mënyrë të qartë.
Njëkohësisht, dinamikat e brendshme të BE-së po e dobësojnë edhe më shumë bazën e mbështetjes së Vuçiqit në BE. Tradicionalisht, Serbia është mbështetur në aleatët brenda Këshillit Europian, përfshirë presidentin e Francës, Emmanuel Macron, dhe kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, por disfata elektorale e Orbanit e ka zvogëluar ndikimin e tij, teksa mandati i Macronit përfundon në fillim të vitit 2027, pa mundësi të rizgjedhjes.
Si rezultat i kësaj, Vuçiqi pritet të humbasë edhe një kanal kyç të ndikimit dhe përherë e më shumë po izolohet në kryeqytetet europiane, me mbështetjen ndaj tij që gradualisht po zbehet.
Rusia po distancohet edhe më shumë
Që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë, Vuçiqi është përpjekur të mbajë qëndrim neutral, duke mbështetur integritetin territorial të Ukrainës, por duke ruajtur lidhje të ngushta dypalëshe me Moskën.
Megjithatë, marrëdhëniet me Rusinë janë përkeqësuar, pasi armë të prodhuara në Serbi u gjetën në duart e Forcave të Armatosura të Ukrainës. Teksa Serbia i ka ofruar Ukrainës haptazi ndihmë humanitare, armët dhe municioni thuhet se kanë arritur në Ukrainë nëpërmjet palëve të treta dhe kompanive private.
Inteligjenca ruse pretendoi se dy kompani serbe shitën raketa dhe predha mortajash, apo komponentë të tyre, nëpërmjet kompanive në Republikën e Çekisë dhe Bullgari. Këto furnizime mbërritën në një moment kritik për Ukrainën, kur aleatët e NATO-s po hasnin në vështirësi për t’i plotësuar kërkesat nga fronti. Moska shpejt i dënoi këto transferime si “thikë pas shpine”, duke shpërfaqur kufijtë e strategjisë së balancimit të Serbisë midis Rusisë dhe Perëndimit.
Ndërkohë, Industria e Naftës e Serbisë, e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara, pjesa më e madhe e saj në pronësi të Gazprom-it të Rusisë, është vënë nën presion për t’iu nënshtruar një ristrukturimi të pronësisë dhe, potencialisht, për të hequr dorë nga aksionet e saj, me MOL-in hungarez që përmendet shpesh si blerës i mundshëm.
Njëkohësisht, furnizimet ruse me gaz natyror për Serbinë janë bërë më pak të parashikueshme, me Moskën që ka kaluar nga kontratat afatgjate në kontrata afatshkurtra, marrëveshje tremujore, duke zvogëluar sigurinë energjetike të Serbisë dhe stabilitetin e saj negociues.
Gjithashtu, shenja të ftohjes së gjerë të marrëdhënieve janë shfaqur edhe në diplomacinë simbolike. Për shembull, këtë vit, ndryshe prej viteve paraprake, Vuçiqi nuk u ftua në paradën e Ditës së Fitores në Moskë, duke pasqyruar një rënie të dukshme të angazhimit politik të nivelit të lartë.
Kina po bëhet gjithnjë e më dyshuese
Për vite me radhë, marrëdhëniet Kinë-Serbi janë përqendruar kryesisht në bashkëpunimin ekonomik. Megjithatë, Kina është bërë furnizuesja kryesore me armë e Serbisë, duke tejkaluar Rusinë dhe Francën.
Blerjet e fundit ushtarake përfshijnë sistemet e mbrojtjes ajrore (FK-3), raketa Ajër-Tokë (të integruara në avionët luftarakë Mig-29), mjete ajrore pa pilotë (UAV) dhe dronë, si dhe municion preciz.
Megjithatë, pas aksidentit të fundit në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, zyrtarët kinezë dhe kompanitë kineze thuhet se janë bërë më të shqetësuara për shkak të përfshirjes së tyre në rindërtimin e stacionit, në mesin e shqetësimeve për pasoja të mundshme ligjore dhe politike.
Sipas hulumtimeve të mediave, Prokuroria për Krim të Organizuar ka provuar tetë herë t’u dërgojë letërthirrje kompanive kineze që punojnë në hekurudhën Beograd-Budapest, por Ministria e Brendshme ka refuzuar ta zbatojë urdhrin.
Në të njëjtën kohë, është duke u rritur frustrimi publik me kompanitë kineze që veprojnë në Serbi, veçanërisht në sektorin e minierave, ku janë rritur shqetësimet për degradimin dhe ndotjen mjedisore.
Për më tepër, shumë prej projekteve të mëdha infrastrukturore në vend u janë dhënë kompanive kineze nëpërmjet marrëveshjeve jotransparente të negociuara pas dyerve të mbyllura. Pas tragjedisë në Novi Sad, vëmendja publike ndaj këtyre marrëveshjeve është rritur ndjeshëm, duke ushqyer edhe më shumë pakënaqësinë e qytetarëve.
Në fund, ambiciet e Serbisë për BE-në po bëhen përherë e më vështirë të jenë në pajtueshmëri me “miqësinë e hekurt” të saj me Kinën, teksa BE-ja po e forcon hetimin e saj ndaj investimeve kineze në vend dhe, eventualisht, mund ta shtyjë Beogradin ta rikonsiderojë Marrëveshjen e tregtisë së lirë me Beijingun.
Gjithashtu, marrëdhënia është jashtëzakonisht e pabarabartë, pasi Serbia ka një deficit të madh tregtar me Kinën, rreth 70%. Përkundër vizitës së planifikuar të Vuçiqit në Beijing, mbetet e paqartë se si ai mund ta përmirësojë imazhin e Kinës në vend, duke e balancuar rrugën e Serbisë drejt BE-së me lidhjet e ngushta me Kinën.
Vuçiqi po humb aleatë nga perëndimi në lindje, teksa politika e jashtme serbe e balancimit po bëhet përherë e më e paqëndrueshme.




























































