Kur nga Sbunker-i më erdhi një ftesë për të shkruar një seri të artikujve mbi marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë, me lirinë e plotë për t’i përzgjedhur temat, e pranova pa shumë reflektim, më shumë sesa për ndonjë arsye tjetër, nga solidariteti profesional.
Por, sapo fillova të mendoj seriozisht se çfarë të shkruaj, ajo liri shpejt u kthye në një sfidë. E gjeta veten duke pyetur se çka në të vërtetë mund të kontribuoja në mjedisin informativ të Kosovës, që është i polarizuar, shumë i ngarkuar dhe i kuruar me kujdes. Një tjetër artikull që vetëm se do t’i përforconte pozicionimet tashmë të rrënjosura në mes të serbëve dhe shqiptarëve nuk më dukej si kontribut domethënës. Prandaj, i filtrova, i përsosa dhe i reduktova idetë, vetëm që të mbërrija në një konkluzion të thjeshtë: kjo seri e artikujve do të ishte domethënëse vetëm nëse do të sillte një këndvështrim të ri në diskursin etnik ekzistues.
Prandaj, vendosa ta shfrytëzoja këtë mundësi për t’i sfiduar disa nga stereotipat në shoqërinë e Kosovës lidhur me synimet dhe veprimet e serbëve të Kosovës.
Qëllimi është që këto pozicione dhe interesa të kontekstualizohen nën një premisë të thjeshtë: kuptimi më i mirë mund të mundësojë edhe njohje më të madhe. Me fjalë të tjera, të shkohet përtej mosmiratimit instinktiv duke zbërthyer logjikën dhe motivet prapa pretendimeve të caktuara.
Padyshim, është një përpjekje ambicioze, por megjithatë ia vlen të provohet.
Pra, çfarë duan serbët e Kosovës?
Ndonëse në shikim të parë mund të duket si pyetje e thjeshtë, kjo në fakt ka qenë subjekt i debatit të gjatë historik, të ndërlidhur thellësisht me debatet politike, kulturore dhe identitare brenda shoqërisë serbe. Është pyetje që kurrë nuk ka gjetur përgjigje të plotë, nuk është definuar qartë apo nuk është gjetur pajtim kolektiv për të.
Sidoqoftë, për një OJQ si Qendra për Veprime Sociale Afirmative (CASA), ku unë punoj dhe e cila aspiron t’i përfaqësojë interesat e komunitetit serb, kjo nuk është pyetje abstrakte, por praktike. Nëse ne jemi për t’i përfaqësuar interesat e komunitetit serb të Kosovës, së pari duhet të definohen ata interesa.
Duke pasur në mendje këtë objektiv, më 2023 ndërmorëm një detyrë ambicioze për t’i identifikuar këta interesa, që rezultoi në një studim, i cili prej atëherë është bërë baza e punës sonë: “Interesat e serbëve të Kosovës në procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës.”
Është një studim gjithëpërfshirës që trajton çështjet e identitetit etnik, përfaqësimit politik, sistemit të arsimit, autonomisë, dhe shumë çështje të tjera që formësojnë realitetin e përditshëm të serbëve të Kosovës.
Megjithatë, për këtë artikull, do të fokusohem në një gjendje qendrore: si i perceptojnë njerëzit e zakonshëm interesat e vërteta të serbëve dhe Serbisë në Kosovë. Kjo gjetje, në fund të fundit, flet për pyetjen që është thelbi i këtij shkrimi: Çfarë duan serbët e Kosovës?
Studimi tregon se, kur u jepet mundësia dhe nxiten ta trajtojnë këtë çështje përtej narrativave politike të imponuara dhe agjendave kombëtare, serbët e Kosovës, në mënyrë të sigurt dhe të pavarur, janë në gjendje ta artikulojnë një qëndrim koherent. Për serbët e Kosovës, interesi kryesor është i thjeshtë: t’i krijojnë kushtet për të qëndruar dhe jetuar në Kosovë. Pra, çfarë është interesante këtu?
Së pari, serbët e Kosovës nuk i lidhin domosdoshmërisht interesat e tyre me statusin e Kosovës, por më shumë me pozitën e tyre në të. Kjo nuk ka të bëjë thjesht me mbijetesën, por me dinjitetin, mbrojtjen e identitetit kombëtar, dhe ruajtjen e lidhjeve institucionale, kulturore dhe ekonomike me Serbinë.
Këto janë çështje që nuk e ndikojnë statusin ndërkombëtar të Kosovës, por e formësojnë realitetin shoqëror të saj dhe, veçanërisht, karakterin e saj demokratik.
Kjo e ndryshon fokusin e debatit. Në terma praktikë, pyetja nuk është më se cilat janë ata interesa, por se si mund të realizohen ata.
Kjo çon te pika e dytë kyçe e studimit: si mund të ndiqen këta interesa në kontekstin e tanishëm dhe, më saktësisht, çfarë duhet të bëjnë akterët kryesorë në Prishtinë dhe Beograd që t’i realizojnë ata.
Serbët e Kosovës duan zbatimin e ligjeve ekzistuese, jo ligje të reja apo privilegje
Pritjet nga Beogradi nuk janë as kërcënuese për shqiptarët e Kosovës, as radikalisht të ndryshme nga interesi publik. Ato u referohen politikave që forcojnë kapacitetin njerëzor të serbëve të Kosovës, rrisin mundësitë e punësimit, ofrojnë ndihmë financiare pa korrupsion dhe sigurojnë përfaqësim politik që u shërben interesave të tyre në vend të interesave të Qeverisë serbe. Me fjalë të tjera, një përkujdesje të sinqertë dhe udhëheqje të përgjegjshme.
Fakti se këto kërkesa i drejtohen Beogradit tregon se aktualisht kjo nuk është gjendja ekzistuese.
Në anën tjetër, pritjet nga Prishtina janë po ashtu praktike dhe të drejtpërdrejta: zbatimi i plotë i të drejtave tanimë të garantuara me ligjet e Kosovës.
Pavarësisht nëse bëhet fjalë për një gjobë trafiku në gjuhën serbe, për të drejtën për ta shfaqur një flamur në një dasmë apo festë, ose për një sistem të vetëqeverisjes të dakorduar përmes një marrëveshjeje ndërkombëtare, pritja mbetet e njëjtë: nëse këto të drejta ekzistojnë formalisht, serbët e Kosovës duhet të jenë në gjendje t’i ushtrojnë plotësisht ato.
Serbët e Kosovës e pranojnë se interesat kyçe të tyre, përfshirë mekanizmat e mbrojtjes, autonominë dhe lidhjet me Serbinë, tashmë janë të integruara në kornizën ligjore të Kosovës. Ajo që mungon është zbatimi konsistent, jo i formësuar nga agjendat politike ose paqartësia ligjore, por në linjë me qëllimin fillestar të vetë ligjvënësve.
Plani i Ahtisaarit dhe pasqyrimi i tij në Kushtetutën e Kosovës kishin synim krijimin e një shoqërie vërtet demokratike dhe shumetnike, por praktika aktuale përherë e më shumë po devijon nga ai synim.
Zbatimi selektiv, interpretimi arbitrar dhe shfrytëzimi i paqartësive ligjore, me raste, e kanë kthyer kornizën ligjore nga një ruajtëse të shumetnicitetit, në një mjet të presionit mbi serbët e Kosovës.
Kjo pasqyron një përdorim problematik të sistemit juridik që aspiron nënshtrimin e serbëve të Kosovës ndaj vullnetit të shumicës. Çështja është se ky “vullnet i shumicës” formësohet nga tensione etnike dhe politike, të cilat e përforcojnë më tej këtë dinamikë.
Si rezultat, Kosova po bëhet mjedis përherë e më i pafavorshëm për serbët e Kosovës, migrimi i jashtëm po vazhdon dhe do të intensifikohet derisa të ndryshojë kjo trajektore.
Prandaj, do ta përmbyll këtë artikull duke dhënë përgjigje për pyetjen time të parë (Çfarë duan serbët e Kosovës) dhe duke i ngritur dy pyetje për reflektim, edhe për serbët e Kosovës, edhe për shqiptarët.
Së pari, çfarë duan serbët e Kosovës është legjitime dhe jo domosdoshmërisht është kundër interesave të shqiptarëve të Kosovës. Por, kjo mund të kuptohet me të vërtetë vetëm nëse të dy palët dalim nga pozicionet që i kemi ndërtuar dhe shkojmë përtej narrativave të imponuara. Ne, si serbë, duhet ta pyesim veten: A i pasqyrojnë zgjedhjet tona politike vërtet ato që na duhen?
Në anën tjetër, shqiptarët duhet ta pyesin veten nëse një Kosovë njëetnike (pa serbët) është vërtet në interesin e tyre? A dëshironi të shiheni si një shoqëri e paaftë për të ruajtur shumetnicitetin?
Të dyja këto pyetje duhet të shqyrtohen me logjikë të qartë e të kthjellët, jo me triumfalizëm etnik apo me interpretime të njëanshme të drejtësisë, sepse përgjigjet do të ndihmojnë në formësimin e së ardhmes së Kosovës, rajonit dhe Europës.




























































