Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Drejt vrasjes së kritikës

Ilustrimi: Big Eye

Ky shkrim është një formë e kritikës mbi kritikën. Është reflektim i mënyrës se si kolektivisht, si shoqëri, besojmë se po kritikojmë pa kritikuar. Se si, edhe kur e kuptojmë rolin e kritikës dhe domosdoshmërinë e saj, qoftë në politikë, shkencë, art, kulturë, gazetari e përditshmëri, kritikën e kemi zëvendësuar me elemente që janë veç shpërfaqje simbolike e saj. Thënë troç, ajo që nënkuptojmë me kritikë, në të shumtën e rasteve nuk është kritikë. Siç do të argumentoj në vijim, kritikën si proces qenësor po e zëvendësojmë me tipare kuptimesh që limitohen në kundërshtim apo përqeshje. Të gjitha këto, ani pse janë të ndërthurura me kritikën, pra me procesin e zbërthimit, kuptimit, vlerësimit dhe kontestimit në bazë të një qasjeje a metode të caktuar, nuk janë në fakt kritikë, sepse, përkundër faktit që luajnë rolin dhe zënë vendin e kritikës në kuptimin e pranisë së saj në sferën publike e diskurs, nuk arrijnë të prodhojnë efektin e kritikës në shoqëri. Argumenti përfundimtar është radikal, meqë konsideroj se përmes procesit të devalvimit të kritikës në elementet e saj zbavitëse, kolektivisht po shkojmë drejt vrasjes së kritikës.

Kundërshtimi si kritikë

Hapi i parë drejt vrasjes së kritikës ka të bëjë me rikontekstualizimin diskursiv të vetë fjalës kritikë që po ndodhë furishëm sferën publike. Siç pata elaboruar kohë më parë në Sbunker, me e kundërshtu një gjë, ngjarje a proces, veprim a veprues, nuk domethanë që je tu e kritiku. Kundërshtimi mundet me qenë jokritik, gjë që edhe zakonisht është.  Për shembull, unë jam kundër legalizimit të substancave të rënda narkotike. Ky kundërshtim nuk ngërthen në vete ndonjë proces kritik, por më shumë një bindje timen parimore të krijuar në mënyrë pasive.

Në anën tjetër, duke mbetur në të njëjtin shembull, jam kritik ndaj politikës aktuale që kriminalizon prodhimet e kanabisit. Kjo kritikë është e bazuar pikë së pari në një analizë racionale të kostove dhe benefiteve ku barra ligjvënëse, dëmet sociale dhe mosbenefitet shëndetësore janë më të mëdha sesa përfitimet që pretendohen nga një politikë e tillë. Së dyti, bazohet në analizë krahasimtare të instituteve ndërkombëtare sa i përket benefiteve sociale e ekonomike të shoqërive që dekriminalizojnë kanabisin. Së treti, merr për bazë analizën konstruktiviste sa i përket identiteteve sociale të konstektualizuar në të dhënat demografike në Kosovë. Së këtejmi, ani pse nuk është vlerësim i bazuar në studim të veçantë, është vlerësim i bazuar në mendim kritik, i cili edhe nëse nuk i vë në përdorim metodat e qasjes shkencore, të paktën i njeh dhe i dallon ato.

Kritika, siç shkruan Gëzim Selaci në Sbunker, në radhë të parë nënkupton mendim jokonformues ndaj pushtetit moral, edukativ e politik, me qëllim të çeljes së shtigjeve për ide të reja kreative. Kundërshtimi, në anën tjetër, në të shumtën e rasteve është emocional. Shumë veprues në shoqëri, e sidomos në politikë, janë ose të pëlqyeshëm ose të papëlqyeshëm për një grup njerëzish a shtresë sociale. Njëjtë janë disa veprime që kategorizohen si shëmbëlltyra që përfaqësojnë ide, ideologji e sidomos identitet të caktuar politik. Ngërçi i sferës publike në diskutime kundërshtuese e ka zëvendësuar mendimin kritik me atë që Agon Maliqi e quan ‘mendim kikirik’ – një kundërshtim emocional që trajton simptomat dhe jo problemet, që përdhunon logjikën dhe faktet dhe që krenohet me injorancën dhe paragjykimet.

Analiza politike në Kosovë nuk është analizë. Në rastin më të mirë, është komentim i ngjarjeve dhe zhvillimeve politike. Në rastin më të keq, është tifozllëk. Analistët e deklaruar politik nuk janë të pajisur me mjete analitike; nuk kanë dijeni të duhur për qasjet the metodat e shkencës politike, të cilat, edhe kur i përdorin, i bëjnë pekmez. Ani pse kjo temë duhet trajtuar veçmas, mjafton të dëgjosh komentet e shikuesve për të kuptuar gjendjen e analizës politike në sferën publike, vlera e vetme e së cilës shpesh mbetet veç mbushja e hapësirës televizive. ”Kritikuesit’ shndërrohen në agjentë që performojnë diskurs bosh pa argumente, kurse temat politike trajtohen përmes prizmit trivial të përkrahjes ose kundërshtimit, duke përçuar kështu devalvimin konceptual të kritikës në kundërshtim.

Përqeshja si kritikë

Shkalla e dytë e degradimit dhe devalvimit të kritikës ka të bëjë me parodinë apo me mënyrën se si përqeshjen, e cila në vete nuk prodhon ndonjë veprim, e nënkuptojmë si kritikë. Filozofi Jean Baudrillard parodinë e quan krimin më të rëndë, meqë ajo e trajton (procesim) dhe e tretë (renderim) në mënyrë të njëjtë, si të shtypurit, ashtu edhe shtypjen. Pavarësisht se përqeshja është mënyrë e të kritikuarit, efektin e kritikës e arrin vetëm dhe vetëm kur përçon grimca kuptimesh që kontestojnë kuptimet standarde dhe zgjojnë kreativitet idesh. Nëse përqeshja mbetet në nivelin e zbavitjes ajo shndërrohet në një imitim të kritikës. Në mungesë të veprimeve shoqëruese, përqeshja e humbë fuqinë e saj normative, dhe, për më keq, e zbehë aftësinë njohëse kolektive.

Shembulli i kundërt për të ilustruar këtë fenomen është hapësira që mediat liberale i dhanë Donald J. Trump gjatë fushatës për zgjedhje presidenciale në SHBA. Duke gjykuar se diskursi i Trumpit ishte për përqeshje dhe se nuk kërkonte kurrfarë komentimi a kuptimdhënie sepse ishte vetëkuptueshëm qesharak, mediat liberale kujtonin se transmetimi i paredaktuar i fjalimeve të Trump do t’i kushtonte atij me një disfatë fatale. Çka ndodhi ishte krejtësisht e kundërta, meqë Trump e përdori këtë si strategji për të krijuar hapësirë televizive pa pagesë. Kritika ndaj Trump u shndërrua në një parodi, ndërsa parodia në avantazh të tij politik, që ishte vetë kundërefekti.

Në Kosovë, përqeshja e parodia kanë pësuar hov, sidomos me zhvillimin e mediave të reja dhe rrjeteve sociale. Tradicionalisht, përdorimi i ironisë, e sidomos sarkazmit, ka qenë tipar tipik i elitës intelektuale në Kosovë, sidomos gjatë ’90. Në të shumtën e rasteve, sarkazma krijon efekte të kritikës, meqë përmes saj përçohet kontestimi më i ashpër dhe më therës i një kuptimi tradicional, në një formë zbavitëse. Megjithatë, kohën e fundit, sidomos për shkak të frekuencës tejet të lartë të riprodhimeve diskursive ku veç në Kosovë mbi 100 adresa në internet pretendojnë se botojnë informacion e kuptim, kritika sarkastike po shndërrohet në imitim të kritikës.

Duke provuar të mbajnë hapin me konkurrencën hiper-prodhuese, mediat po e prodhojnë dhe riprodhojnë përqeshjen veç për qëllime të përçimit të zbavitjes. Ky eskalim i riprodhimit dhe prezencës së përqeshjes në sferën publike, bën që pesha e saj kritike të zbehet dhe të humbet ngadalë. Kësisoj, për shembull, gjatë debatit për manipulimet me listat e veteranëve të luftës, në sferën publike kishte më shumë përqeshje se si ‘krerët’ e luftës e shqiptojnë fjalën ‘kumandant’ sesa që kishte tekst përmbajtësor që do të krijonte kuptim të qartë për dëmin e bërë. Apo, më shumë po diskutohet për një vjedhje banale që bëri një zyrtare e vendit në një dyqan në Belgjikë, sesa për vjedhjen prej 53 milionë eurosh që iu bë shtetit përmes autostradës. Ky barazim i të pabarazueshmeve, kjo mosbalancë mes objekteve diskursive dhe rëndësisë së tyre, tregon se përqeshja e ka humbur efektin e saj kritik dhe se ajo çka në fakt po nënkuptojmë me kritikë po shërben si mjegulluese e aftësisë tonë kritike.

Performanca si argument

Në një sferë publike ku kritika është kundërshtim dhe ku niveli i zbavitjes që ofron përqeshja shërben si barazues i çështjeve të rëndësisë publike dhe vlerave shoqërore, argumentet nuk kryejnë punë. Në këtë sferë tonën publike, performancën po e kuptojmë si argument.

Merreni cilindo ndërveprim tuajin me sferën publike. A ju kujtohen djemtë e Adem Grabovcit? Sa tituj keni lexuar për ta? Ja se çfarë jete luksoze bëjnë! Ja se si u martua njëri! Ja se çfarë veture nget tjetri! Besoj që ua dini edhe emrat. E tash, a ju kujtohet polici që ata e patën çu në spital? Natyrisht se jo. Mungesa e interesimit për viktimën, e bën këtu një barazim të tmerrshëm të agresorëve me viktimën. Qytetarët kanë mundur të dëgjojnë gjithçka për djemtë e Adem Grabovcit meqë mediat e kanë zhveshur raportimin për ta nga konteksti i rastit për të cilën u bënë të famshëm, duke i plasuar ata në sferën publike veç si të famshëm. Për viktimën, as edhe një fjalë. Prej përqeshjes si kritikë, në përqeshje pa kritikë, në vetë të kundërtën e përqeshjes — pra fuqizimin.

Shembulli i ditëve të fundit kur mediat i ofruan hapësirë kriminelit të dënuar Xhabir Zharku ishte edhe më flagrant. Pasi që kishte shmangur vuajtjen e dënimit, duke u arratisur nga vendi, Zharku u kthye në Kosovë jo si i dënuar por si i famshëm. Aq shumë tituj u prodhuan për të, sa që profili që u krijua nga ky diskurs nuk ishte më ai i një individi të dënuar por i një individi të shkathtë.

RTV Dukagjini, madje, kishte organizuar një emision televiziv të titulluar ‘Debati për Drejtësinë e Xhabir Zharkut. Në këtë debat të transmetuar në kohën më të shikuar, Dukagjini e kishte ftuar vetë Zharkun të diskutojë për drejtësinë e tij, prej perspektivës së tij, duke vulosur kështu nëpërkëmbjen që Zharku i kishte bërë gjithë sistemit të drejtësisë e bashke me të gjithë shoqërisë së këtij vendi. Dhe ky televizion, jo veç që lejoi që Zharku të llomotis sa të dojë e si të dojë për veten dhe rastin e tij, duke e shpërlarë imazhin e tij publik prej krimineli, por e lejoi atë të komentonte për çështje politike e sociale, duke e katapultuar si një njeri të rëndësishëm në vend. Debati me Xhabir Xharkun nuk ishte parodi, ishte tragjedi, meqë duke pretenduar përqeshjen, e cila nuk ndodhi kurrë, media i dha pushtet dhe legjitimitet një krimineli të dënuar i cili mbante predha antitank në shtëpi.

Ky mishmash i krijuar, kjo humbje e vijave që rrethojnë dhe identifikojnë elementet e sferës publike, si rrjedhojë, e barazon performancën me argumentin. Kësisoj, nuk ka fare lidhje se çfarë u diskutua në debatin me Xhabir Zharkun, njëjtë siç s’ka lidhje substanca e asnjë debati televiziv. Nuk ka lidhje nëse ai u sfidua në studio nga analistë apo jo, nuk ka lidhje madje nëse para dhe pas emisionit moderatori do të sqaronte për publikun se Zharku është kriminel. Prezenca e tij në debat ishte e mjaftueshme. Ndërsa, përformanca e tij zëvendësonte nevojën për argumente. Ani pse ishte performancë prej palaçoje, ai foli për EULEX-in, për prokurorinë e gjykatat, për sistemin e drejtësisë, foli madje edhe për liberalizimin e vizave. Për gjithçka që flet secili person tjetër ‘i rëndësishëm’ që del në TV. E performoi politikanin, liderin. U shpërla.

Argumentet, pra substanca e asaj që ai e tha, s’ka hiç rëndësi. Kjo për shkak se në sferën tonë publike argumentet s’kanë rëndësi. A ju kujtohet një debat i paradokohshëm me Edi Ramën në të cilën qëllova edhe unë? A ju kujtohet performanca e Ramës? Na pat’ kallë, apo? E tash, a ju kujtohet diçka nga ajo që Rama pati thënë? Çkado nga substanca e debatit? Shumë vështirë. Sepse performanca në debat ka mjaftuar për të përmbushur nevojën e argëtimit, duke e zbehur deri në zhdukje nevojën e nxjerrjes së kuptimeve. Hajt tash kujtojeni debatin e fundit televiziv që e keni shikuar dhe mundohuni të kujtoni të paktën nga një thënie të secilit pjesëmarrës. Jam i sigurt që do ta keni shumë më vështirë sesa ta kujtoni ndjenjën se kush e fitoi debatin me performancë.

Përfundim

Kritikën mbase edhe nuk mund ta vrasësh. Megjithatë, me një veprim të çoroditur shoqëror, mund ta lëndosh rëndë. Duke u nisur nga keqkuptimi i kritikës, në këtë shkrim nënvizova disa nga problemet qenësore të diskursit dhe sferës publike të cilat në mendimin tim e pengojnë kritikën, ose thënë troç tentojnë ta vrasin atë.

Fillimisht, argumentova se duke e barazuar kritikën me kundërshtimin, duke e perceptuar çdo kundërshtim si kritikë, pavarësisht natyrës së kundërshtimit, po e devalojme vlerën e kritikës në sferën publike. Më pas, duke vë në pah prodhimin masiv të përqeshjes në diskursin publik, problematizova humbjen e karakterit kritik të saj dhe sidomos krijimin e një efekti barazues që përqeshja po e shfaqë Krejt ne fund, problematizova se si performanca në sferë publike, edhe kur është krejtësisht pa substancë, po na shërben si zëvendësim për argumentet të cilat na mungojnë.

Këto tri elemente që identifikova, natyrisht se janë elaboruar njëanshëm dhe me shumë përgjithësime, në mënyrë që të konstruktohet një mendim më i fuqishëm kritik për vetë kritikën. Megjithatë, përkundër gjithë ekzagjerimeve e kufizimeve, besoj që shërbejnë mjaftueshëm për të kuptuar më mirë gjendjen e kritikës në sferën publike në Kosovë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.