Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Analizë

Intervista e lojës së fajësimit e Aleksandar Vuçiqit në përvjetorin e Marrëveshjes së Brukselit

Beograd, Serbi, 12 shtator 2017: Aleksandar Vuçiç i drejtohet medias në Presidencë.

Më 19 prill 2026 u shënua përvjetori i 13-të i Marrëveshjes së Brukselit, të udhëhequr nga BE-ja (Marrëveshja mbi parimet që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve). Megjithatë, Kosova dhe Serbia akoma nuk i kanë normalizuar marrëdhëniet midis tyre.

Me këtë rast, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dha një intervistë ekskluzive për një nga mediat më të ndjekura në gjuhën serbe në veri të Kosovës.

Është e rëndësishme të theksohet se kjo ishte hera e parë që Vuçiqi dha një intervistë ekskluzive për Kosovo Online, përkundër qëndrimit të saj përgjithësisht proqeveritar në Serbi. Po aq domethënëse është se intervista në masë të gjerë nuk u mor dhe shpërnda nga mediat e tjera, gjë që zakonisht ndodh me paraqitjet publike të Vuçiqit.

Kjo lë të kuptohet se intervista mund të ketë qenë më pak e orientuar drejt audiencës vendore dhe më shumë drejt dërgimit të sinjaleve për komunitetin ndërkombëtar.

Kjo intervistë tregon dy pika kyçe rreth qasjes së Vuçiqit për procesin e normalizimit. E para, më shumë u drejtohet qeverive perëndimore dhe BE-së, sesa serbëve të Kosovës, duke lënë të kuptohet si përpjekje për formësimin se si shihet ndërkombëtarisht roli i Serbisë. E dyta, ajo kritikon BE-në, duke e fajësuar për mungesën e progresit në dialog dhe duke e paraqitur si përgjegjëse për stagnimin e procesit.

Ripohimi i përkushtimit të Serbisë, duke ia hedhur fajin BE-së

Vuçiqi filloi deklaratat e tij duke mbrojtur pozicionin e Serbisë, duke thënë se Serbia e ka zbatuar Marrëveshjen e Brukselit në mirëbesim, se Serbia i përmbahet Marrëveshjes së Brukselit në të njëjtën mënyrë siç e respekton Marrëveshjen e Dejtonit në Bosnjë-Hercegovinë dhe se BE-ja është garantuese e marrëveshjes.

Deklarata hapëse është veçanërisht e rëndësishme.

Ndonëse Qeveria e Serbisë gjatë tre vjetëve të fundit ka treguar gatishmëri të kufizuar për t’u angazhuar në mënyrë substanciale në dialog, përfshirë mosdhënien e miratimit të plotë për Marrëveshjen e Ohrit, Vuçiqi tani kërkon të nënvizojë përkushtimin e Serbisë për procesin e normalizimit dhe marrëveshjet ndërkombëtare.

Njëkohësisht, ai përgatit terrenin për ta zhvendosur përgjegjësinë tek akterët e tjerë, përfshirë qeveritë perëndimore dhe BE-në.

Asociacioni/Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe mbetet çështje kritike

Vuçiqi vazhdoi duke vënë në dukje se janë zhvilluar 245 takime gjatë 13 vjetëve të fundit, 38 nga të cilat në nivelin më të lartë politik. Ai gjithashtu deklaroi se gjashtë nga dhjetë pikat e Marrëveshjes së Brukselit mbeten deri më sot të pazbatuara.

Ai theksoi se gjashtë prej tyre kanë të bëjnë me Komunitetin e Komunave Serbe, duke e përdorur qëllimisht këtë formulim në vend të formulimit Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. Ndonëse ky mund të duket detaj i vogël, është mjaft i rëndësishëm në betejën më të gjerë të narrativave.

Të dy termet, Asocacioni dhe Bashkësia, paraqiten në Marrëveshjen e Brukselit, megjithatë Prishtina favorizon termin “Asociacion”, teksa Beogradi vazhdimisht e përdor termin “Bashkësi”. Ky dallim nuk është vetëm terminologjik, por mbart implikime substanciale dhe kërkon analizë të veçantë.

Vuçiqi e përmbyll këtë pjesë të intervistës duke pretenduar se BE-ja e ka mashtruar atë dhe se Bashkësia e Komunave Serbe nuk do të themelohet.

Në pjesën e dytë të intervistës, zhvendosja e fajit shkon përtej BE-së

Vuçiqi tha se qëllimi përfundimtar i dialogut është që Serbia de facto ta njohë Kosovën. Deklaratat janë kryesisht të drejtuara për BE-në, me qëllim të provokojnë një përgjigje dhe të kritikojnë atë që ai e paraqet si paaftësi ose mungesë e vullnetit për të reaguar ndaj zhvillimeve në terren në Kosovë.

Ai iu referua ndryshimeve të fundit që përfshijnë institucionet e shëndetësisë së Serbisë në Kosovë, duke pretenduar se “Perëndimi po lejon në heshtje integrimin e shëndetësisë dhe arsimit në sistemin e Kosovës”, përkundër se kjo është “në kundërshtim të drejtpërdrejtë me germën dhe frymën e Marrëveshjes së Brukselit”.

Vuçiqi gjithashtu u thirr në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke vënë në dukje se ajo mbetet në fuqi, dhe iu referua integritetit territorial të Ukrainës dhe Greenlandës, pa e qartësuar këtë pikë.

Më tej, ai përmendi shqetësime të pretenduara të sigurisë lidhur me një “aleancë ushtarake” në mes të Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit, pavarësisht se kjo është përshkruar nga palët e përfshira si bashkëpunim ushtarak. Gjithashtu, ai akuzoi Albin Kurtin për mospërfshirje kuptimplote në dialog dhe se “ka dëshirë për një rol lufte”.

Mesazhi i fundit i Vuçiqit: Pozicioni i Serbisë ndaj Kosovës nuk do të ndryshojë pas tij

Në pjesën e fundit të intervistës, Vuçiqi tha: “I dimë të gjitha truket e tyre, por gjithashtu e dimë shpërndarjen e pushtetit dhe forcës”, duke përshkruar periudhën aktuale si një periudhë “hipokrizie dhe gënjeshtrash”, që “nuk do të zgjasë edhe aq shumë”.

Më tej, ai shtoi: “Po kthehemi tek amerikanët”, duke dërguar mesazh të dyfishtë: kritika për dështimin e BE-së në proces dhe një sinjal ndaj Shteteve të Bashkuara për të testuar reagimin e saj. Mbetet e paqartë nëse kjo tregon një ndërrim të politikës, apo një lëvizje taktike karshi BE-së, të cilën ai e portreton si gjeopolitikisht të cenueshme.

Ai gjithashtu deklaroi se pavarësia e Kosovës nuk do të njihet kurrë nga asnjë qeveri e ardhshme serbe, pavarësisht presionit të jashtëm, duke synuar të sinjalizojë vazhdimësi në pozicionin e Serbisë dhe të dekurajojë pritjet se një ndryshim në udhëheqësi në Beograd do ta ndryshonte qëndrimin e saj.

Një kundërsulm i koordinuar në kohë kundër BE-së

Vendimi i Vuçiqit për t’ia kushtuar një intervistë të plotë fajësimit të BE-së është i lidhur ngushtë me kohën. Ai funksionon si kundërsulm ndaj BE-së, veçanërisht në kontekst të një vendimi të mundshëm për ngrirjen e 1.5 miliard eurove fonde për shkak të regresit të demokracisë.

Në të njëjtën kohë, deklarata formëson thelbin e argumentit të tij më të gjerë, duke e bartur përgjegjësinë te BE-ja, teksa sinjalizon përgjigjen e Serbisë. Kjo shërben për një qëllim të dyfishtë: përgatitjen e audiencës vendore për zhvillime të mundshme dhe shmangien e kritikave ndaj pozicionit negociues të Serbisë.

Përfundimisht, koha dhe konceptimi i intervistës tregojnë një ndryshim të mundshëm të qasjes së Serbisë ndaj marrëdhënieve me BE-në dhe, më gjerësisht, procesin e normalizimit, krahas afrimit ndaj Shteteve të Bashkuara për ta testuar përgjigjen e tyre.

Në përgjithësi, intervista e Vuçiqit, përgjegjësinë për procesin e stagnuar të normalizimit e bart te BE-ja dhe akterët e tjerë perëndimorë, teksa Serbinë e prezanton që është duke vepruar në mirëbesim. Ajo kombinon një qëndrim të prerë mbi statusin e Kosovës, duke çuar sinjale drejt Shteteve të Bashkuara, duke lënë të kuptohet një rikalibrim të mundshëm të pozicionimit të jashtëm të Serbisë.

E vendosur në kohë rreth përvjetorit të Marrëveshjes së Brukselit, ajo funksionon si një mesazh i koordinuar në përgjigje të presionit të ripërtërirë të BE-së.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.