Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Analizë

Nga dialogu te parandalimi: a mundet BE-ja ende ta parandalojë jostabilitetin në marrëdhëniet Kosovë-Serbi?

Foto nga Shutterstock.

Teksa dialogu i lehtësuar nga BE-ja, pas incidentit në Banjskë në vitin 2023, hyri në një krizë të dukshme, shumë ekspertë argumentojnë se përkeqësimi i tij filloi më herët, pas dështimit të nismës për shkëmbim territorial në vitin 2020 dhe stagnimit të procesit të zgjerimit të BE-së.

Me mjedisin ndërkombëtar që po ndryshon me shpejtësi, vëmendja ndaj marrëdhënieve Kosovë-Serbi po zbehet përherë e më tepër. Krizat në Ukrainë, Venezuelë, Palestinë, Grenlandë, e të tjerat, në masë të madhe ishin jashtë horizontit në vitin 2020. Megjithatë, sot, bota po përjeton ndryshime të thella paradigmatike dhe po hyn në një periudhë turbulence.

Shfaqja e krizave të reja globale nuk do të duhej ta largonte vëmendjen nga dialogu Kosovë-Serbi. Deri tani, rezultatet e fundit të procesit të normalizimit kanë qenë jo të kënaqshme.

Teksa ka kritika të shumëfishta për rolin e BE-së, përfshirë qasjen e përgjithshme të saj, të bazuarit në një paqartësi konstruktive, perceptimet për trajtim të pabarabartë, si dhe qëllimin e padefinuar përfundimtar, një çështje që po shfaqet me shpejtësi kërkon vëmendje të menjëhershme.

Rreziqet e sigurisë dhe potenciali për përshkallëzim të situatës nuk duhet të anashkalohen, edhe me mekanizmat ekzistues të parandalimit.

Rritja e kërcënimeve të sigurisë dhe tensioneve politike

Së pari, sulmet terroriste në Banjskë dhe përgjatë kanalit të ujit të Ibër-Lepencit, vënë në pah paqen e brishtë në Kosovë, edhe një çerekshekulli pas përfundimit të luftës.

Megjithatë, këto sulme nuk ishin incidente të izoluara. Ato pasuan një varg tensionesh të përshkallëzuara, përfshirë arrestimin e tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës nga Serbia, vendosjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës në veri, si dhe rritjen e fërkimeve politike në rajon.

Së bashku, këto zhvillime nënvizojnë se sa shpejt mund të kërcënohen siguria dhe stabiliteti, me zbulimin e cenueshmërisë së vazhdueshme të qeverisjes së pasluftës dhe marrëdhënieve ndëretnike të Kosovës.

Edhe pse situata tani për tani mund të duket më stabile, nuk ka kaluar plotësisht rreziku i drejtpërdrejtë dhe shkaqet themelore të sfidave të sigurisë mbesin të patrajtuara.

Një studim i vitit 2025 mbi procesin e normalizimit konfirmon se rreziku për konflikt është real. Njëkohësisht, Strategjia e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së, e miratuar së fundmi, theksoi se në vitin 2025 u shmang për pak një luftë mes Serbisë dhe Kosovës.

Tutje, transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të rregullt, përkundër madhësisë së kufizuar dhe mandatit mbrojtës, po rrit tensionet me Beogradin. Në anën tjetër, Serbia po zgjeron prodhimin ushtarak dhe po siguron armë më të avancuara, që i mundësojnë rritjen e kapacitetit për destabilizimin e rajonit.

Ndonëse militarizimi pasqyron një trend më të gjerë evropian, në një rajon të kufizuar me mosmarrëveshje të pazgjidhura dhe tensione të vazhdueshme politike, ai e rrit cenueshmërinë për paqëndrueshmëri të ripërtërirë, duke i kërkuar kësisoj BE-së t’i trajtojë rreziqet e sigurisë që përfshihen në këtë rast.

Në këtë segment, janë të vërejtshme disa marrëveshje, siç janë: integrimi i serbëve në Policinë e Kosovës dhe menaxhimi i integruar i kufirit, por përkeqësimi i marrëdhënieve në vitet e fundit vë në pah nevojën për ta vendosur këtë çështje në agjendën e dialogut.

BE-ja duhet të bëjë më shumë në domenin e sigurisë, të veprojë në mënyrë më proaktive dhe të fillojë të punojë me të dy palët për një marrëveshje të re të sigurisë, duke krijuar një kornizë që do t’i adresonte çështjet kritike.

1. Rivlerësimi i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB)

Interpretimi i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së bëhet përherë e më i rëndësishëm në kontekstin e transformimit të FSK-së në forcë të armatosur dhe rolit të ardhshëm të KFOR-it në lidhje me ndarjen e detyrave.

Rezoluta 1244 u miratua në vitin 1999 dhe që atëherë situata në Kosovë ka ndryshuar ndjeshëm. Ndërkohë, Serbia vazhdon të këmbëngulë se KFOR-i është i vetmi formacion legal ushtarak i pranishëm në Kosovë nën Rezolutën 1244.

Prandaj, një kornizë e re e sigurisë nën udhëheqjen e BE-së duhet ose ta sigurojë një rreshtim të përbashkët mbi interpretimin e Rezolutës 1244, ta amendojë rezolutën (ndonëse veprim shumë i rrallë dhe i ndërlikuar), ose ta krijojë një bazë të re ligjore për praninë ushtarake në Kosovë.

2. Përfshirja e serbëve në FSK

Megjithëse një numër i serbëve të Kosovës tashmë i janë bashkuar Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), është thelbësore që mundësitë për pjesëmarrje të mbesin plotësisht të qasshme.

BE-ja duhet të luajë rol aktiv, duke garantuar që serbët e Kosovës të mos jenë subjekt i pasojave ligjore dhe kriminalizimit në Serbi, për shkak të punësimit të tyre në institucionet e sigurisë së Kosovës.

Po kaq e rëndësishme është garancia që serbët e Kosovës dhe komunitetet e tjera joshumicë në të ardhmen të jenë të liruar nga çdo shërbim i detyrueshëm ushtarak.

Secila marrëveshje e ardhshme e sigurisë duhet të ofrojë garanci të qarta ligjore që konfirmojnë se serbët e Kosovës nuk do të jenë subjekt i rekrutimit të detyrueshëm.

3. Sigurimi i drejtësisë dhe llogaridhënies për incidentin në Banjskë

Incidenti i Banjskës në shtator të vitit 2023 shënoi një pikë kthese në dialogun veçse të stagnuar mes Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga BE-ja.

Përplasja e armatosur e shtyri Kosovën ta rivlerësojë qasjen e saj të sigurisë, përfshirë rritjen e pranisë institucionale në veri. Edhe pse u nxitën nga shqetësime legjitime të sigurisë, këta hapa gjithashtu rritën tensionet me komunitetin lokal serb dhe përkeqësuan edhe më shumë një situatë tanimë të brishtë.

Njëkohësisht, pandëshkueshmëria e vazhdueshme e Milan Radoiçiqit, ish-nënkryetarit të Listës Serbe (LS), mbetet një çështje serioze e pazgjidhur. Përkundër pranimit në publik për organizimin e grupit të armatosur përgjegjës për sulmin ndaj Policisë së Kosovës, ai mbetet i lirë në Serbi dhe nuk është akuzuar zyrtartisht, pavarësisht njoftimeve nga kryeprokurori i Serbisë, Nenad Stefanoviq.

Ndjekja ligjore e personave përgjegjës për sulmin në Banjskë, përfshirë Radoiçiqin, do të ishte hap i madh drejt rindërtimit të besimit, reduktimit të rreziqeve të sigurisë, si dhe krijimit të kushteve themelore që nevojiten për ta kthyer dialogun Kosovë-Serbi në rrugë të qëndrueshme.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse BE-ja e ka përshkruar incidentin e Banjskës si sulm terrorist, emërtim ky që asnjëra palë nuk mund ta mohojë në mënyrë të besueshme.

4. Integrimi në Politikën e Përbashkët të Mbrojtjes dhe Sigurisë të BE-së

Bashkëpunimi ushtarak i lidhur së fundmi në mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, së bashku me thellimin e lidhjeve të Serbisë, në fushën e mbrojtjes, me Kinën dhe pjesëmarrja në ushtrime të përbashkëta ushtarake, rrezikon t’i fortifikojë edhe më shumë ndarjet gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor.

Në vend se të rrisin stabilitetin rajonal, këto rreshtime paralele dhe konkurruese mund t’i përforcojnë dinamikat e bazuara në blloqe dhe t’i ndërlikojnë përpjekjet për zhvillimin e një arkitekture rajonale e bashkëpunuese të sigurisë.

Për ta reduktuar rrezikun e paqëndrueshmërisë dhe për ta fuqizuar besueshmërinë e saj, BE-ja duhet urgjentisht t’i trajtojë sfidat e sigurisë në rajon, duke përfshirë integrimin gradual, edhe para anëtarësimit formal, të Kosovës dhe Serbisë në politikën e përbashkët të mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe ta përforcojë rolin e saj si faktor kyç i sigurisë.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.