Më 1 nëntor 2024, u shemb çatia e Stacionit Qendror Hekurudhor të Novi Sadit, ku për pasojë mbetën të vdekur 16 njerëz. Kjo tragjedi nxiti protesta mbarëkombëtare të udhëhequra nga studentët. Stacioni, që kishte qenë në rindërtim prej vitit 2021 deri në vitin 2024, ishte rihapur vetëm disa javë përpara tragjedisë. Projekti, që kishte kushtuar 16 miliardë euro, ishte implementuar nga një konzorcium kinez.
Ky ishte incidenti më serioz qe një dekadë. Tragjedia më e madhe paraprake ndodhi gjatë vërshimeve me pasoja katastrofale në vitin 2014, që morën jetën e 62 personave. Teksa ajo tragjedi ishte rezultat i forcave të natyrës, kjo e një dekade më vonë qartësisht i ka rrënjët në neglizhencë dhe korrupsion.
Megjithatë, qytetarët serbë nuk protestuan menjëherë. Reagimi i parë publik ishte nderimi i viktimave. Tensionet nisën të rriteshin më 22 nëntor 2024, kur studentët nga Fakulteti i Arteve Dramatike në Beograd (FDU) u mblodhën para objektit të tyre për t’i nderuar viktimat. Gjatë 15 minutave të heshtjes, të mbajtura në nderim të 15 viktimave të konfirmuara deri në atë kohë, një grup i banditëve dhe huliganëve të futbollit, që dyshohet se ishin të lidhur me Partinë Progresive Serbe (SNS), sulmuan dhe rrahën studentët.
Si kundërpërgjigje, studentët e FDU-së filluan të protestonin, duke e bllokuar objektin e Universitetit. Shumë shpejt, atyre iu bashkuan edhe studentë nga fakultete dhe universitete të tjera të Beogradit, duke i bllokuar kampuset e tyre universitare.
Çka nisi si protestë e vogël në një universitet, u rrit me shpejtësi dhe, brenda pak ditësh, shumica e universiteteve publike u bllokuan nga studentët. Ata i hartuan katër kërkesa për Qeverinë e Serbisë, në mënyrë që të hiqnin dorë nga bllokadat:
1. Identifikimi i personave përgjegjës për sulmin ndaj studentëve të FDU-së;
2. Publikimi i të gjitha dokumenteve të projektit për rindërtimin e Stacionit Qendror Hekurudhor të Novi Sadit;
3. Ndëshkimi i personave përgjegjës për tragjedinë në Stacionin Hekurudhor; dhe
4. Rritja e buxhetit për universitetet.
Megjithatë, Qeveria e Serbisë u pajtua që ta përmbushë plotësisht vetëm kërkesën e katërt, teksa të tjerat pretendoi se ishte duke i trajtuar. Për shembull, publikoi një pjesë të dokumenteve lidhur me rindërtimin e Stacionit Hekurudhor, por ekspertët zbuluan shpejt se këto dokumente ishin vetëm një fraksion i vogël i dosjeve origjinale, shumica e së cilave mbetën të fshehura.
Kjo dha kundërefekt për regjimin në Serbi, duke nxitur protesta më të mëdha dhe përfshirje më të gjerë të shoqërisë. Tragjedia në Novi Sad ndezi një lëvizje studentore mbarëkombëtare që rrëzoi Qeverinë, ekspozoi korrupsionin sistemik, dobësoi partinë në pushtet dhe riformësoi mobilizimin qytetar, një lëvizje që vazhdon të qëndrojë tash e një vit.
Qeveria po e humb kontrollin: çdo truk i saj shkakton kundërefekt
Që nga fillimi i protestave studentore, partia në pushtet, SNS-ja, vazhdimisht i ka ndryshuar taktikat e saj kundrejt demonstruesve. Së pari, duke shpresuar ta shtypte lëvizjen para se kjo e fundit të fitonte momentum, Qeveria reagoi dhunshëm. Përkundrazi, kjo qasje nxiti edhe më shumë bllokada dhe rriti mbështetjen kombëtare për studentët.
Më vonë, Qeveria u përpoq të krijonte iluzionin e përmbushjes së kërkesave të studentëve, duke pritur kështu që protestat të përfundonin. Megjithatë, sa herë që publikohej dokumentacioni i pjesshëm, refuzohej shpejt si jo i plotë. Ndërkohë, Prokuroria veproi ngadalë, duke dështuar t’i akuzonte apo padiste politikanët, zyrtarët publikë dhe nënkontraktorët e përfshirë në procesin e rindërtimit të Stacionit Hekurudhor. Presioni ndaj Qeverisë vazhdoi të shtohej.
Kur dështuan dy taktikat e para, SNS-ja iu rikthye sërish dhunës. Në janar, anëtarë të SNS-së – përfshirë shokë të djalit të kryeministrit Milosh Vuçeviq – rrahën disa studentë me shkopinj të bejsbollit. Ky eskalim i forcave proqeveritare nxiti pakënaqësi më të madhe shoqërore. Më 28 janar 2025, në mes të kaosit, kryeministri Vuçeviq dha dorëheqje.
Pas rrëzimit të Qeverisë, SNS-ja dhe Vuçiqi ndryshuan taktikat, duke tentuar t’i injoronin tërësisht protestat. Vuçiqi vuri bast se studentët do të lodheshin dhe se situata do të normalizohej me kalimin e kohës. Megjithatë, studentët vazhduan marshet e tyre drejt Novi Sadit, Karagujevcit dhe Nishit, duke marrë vëmendje mbarëkombëtare.
SNS-ja emëroi Gjuro Macutin si kryeministër, me lëvizjen studentore që po e fitonte momentumin. Ndonëse publikisht u prezantua si i pavarur dhe apolitik, periudha e tij në detyrë shpejt dëshmoi të kundërtën. Me të si kryeministër, Vuçiqi u konfrontua me protestat duke projektuar fuqi, themeloi Lëvizjen për Popullin dhe Shtetin, si dhe futi si taktikë të re organizimin e kundër-tubimeve. Megjithatë, kjo taktikë dështoi po ashtu, dhe lëvizja studentore e ruajti momentumin e saj.
Në kërkim të një të ardhmeje më të mirë: një lëvizje e ndërtuar me solidaritet dhe respekt
Lëvizja studentore bazoi protestat e saj në unitet, solidaritet dhe në një vizion të përbashkët për një të ardhme më të mirë. Ndryshe nga partitë tradicionale opozitare, ajo mbeti gjithëpërfshirëse dhe e prirë nga qytetarët, duke mobilizuar njerëzit në gjithë vendin.
Studentët marshuan nga qyteti në qytet, organizuan tubime, dhe veprimet e tyre i bazuan mbi kërkesat për drejtësi dhe demokraci, kësisoj duke dhënë një model të angazhimit qytetar të paparë për dekada të tëra, model që opozita në Serbi qe një kohë të gjatë kishte vështirësi ta ofronte. Fokusi i tyre i vazhdueshëm në llogaridhënie, anti-korrupsion dhe fuqizim të institucioneve, pati jehonë të gjerë, duke fituar momentum javë pas jave.
Bllokadat në universitete dhe protestat e organizuara nga studentët evokuan kujtimet e demonstratave të vitit 1996-1997 kundër Slobodan Milosheviqit, që zgjatën gjithë dimrin dhe trasuan rrugën për ndryshime politike në qytete të mëdha, si: Beogradi, Nishi dhe Novi Sadi.
Është tejet e rëndësishme që kërkesat e studentëve nuk janë ideologjike, ose të lidhura me ndonjë parti politike. Ata po kërkojnë kushtet bazike për një shoqëri funksionale dhe institucione llogaridhënëse, të cilat janë të arsyeshme edhe për shumë mbështetës të Vuçiqit. Pikërisht për këtë arsye kanë dështuar taktikat e Qeverisë.
Ridefinimi i politikës: a do ta transformojë lëvizja studentore demokracinë në Serbi?
Në maj të vitit 2025, lëvizja studentore shtoi një kërkesë të re në listën e mëparshme të kërkesave: zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kjo shënoi hyrjen formale të studentëve në skenën politike, duke e transformuar lëvizjen nga një fushatë protestash në një forcë të madhe politike. Sondazhet publike treguan se lëvizja studentore është bërë më popullore, sesa presidenti Vuçiq dhe SNS-ja, kësisoj duke ndryshuar skenën politike në vend dhe duke shfaqur fuqinë e aktivizmit qytetar.
Prej atëherë, studentët kanë vazhduar të organizojnë protesta të shumëfishta, duke e detyruar Vuçiqin të zmbrapset. Ata fituan vëmendje dhe mbështetje ndërkombëtare, teksa Vuçiqi, për herë të parë në 14 vjet që është në pushtet, i frikësohet rezultatit të zgjedhjeve. Një vit pas fillimit të protestave studentore, lëvizja ka nxjerrë në pah tri përfundime kyçe lidhur me peizazhin politik në Serbi.
Së pari, ka një krizë të partive politike. As partitë në pushtet, as ato në opozitë, nuk gëzojnë mbështetje të gjerë, e shumë qytetarë kanë kthyer vëmendjen e tyre kah lëvizja studentore. Kjo shpërfaq një shkëputje të dukshme midis partive dhe votuesve.
Së dyti, studentët ringjallën demokracinë e drejtpërdrejtë përmes plenumeve, ku çdo student ka të drejtë të barabartë të marrë pjesë dhe të votojë. Vendimet kryesore merren me shumicë votash, duke u dhënë studentëve pushtetin e vërtetë dhe duke ofruar një model për demokraci më të hapur në Serbi.
Së treti, përvoja e studentëve tregon se kur qytetarët përpiqen të veprojnë nëpërmjet institucioneve, si prokurorët, gjykatat, ose edhe duke kërkuar zgjedhje të reja, dhe, kur këto pista dështojnë, natyrshëm rritet frustrimi. Kur rrugët zyrtare mbyllen, njerëzit fillojnë të shikojnë jashtë kanaleve zyrtare politike, gjë që krijon rreziqe serioze për shtetin dhe shoqërinë. Dhuna policore tashmë ka nxitur disa veprime të dhunshme, duke e vënë vendin në një rrugë shqetësuese, që mund të çojë në trazira më të mëdha dhe mungesë të stabilitetit.




























































