Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Perceptimet e publikut dhe orientimet strategjike për shtetet aleate dhe kërcënuese në Kosovë dhe Serbi

Sondazhi i fundit i publikuar nga Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRN) ka analizuar perceptimet e qytetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor për shtetet që konsiderohen aleatët më të rëndësishëm, si dhe për vendet që shihen si kërcënuesit kryesorë.

Rezultatet e këtij sondazhi do të krahasohen dhe ballafaqohen me përshkrimet në dokumentet strategjike të sigurisë së këtyre vendeve. Qëllimi është që të shihet se sa përputhen qëndrimet e qytetarëve nga Kosova dhe Serbia, për shtetet e caktuara të shprehura në këtë anketë, me orientimin zyrtar të politikave të këtyre shteteve. Ky krahasim do të ndihmojë identifikimin e mospërputhjeve eventuale mes perceptimeve të publikut dhe qëndrimeve zyrtare, duke ofruar kështu një pasqyrë më të qartë të dinamikës së politikave rajonale dhe perceptimeve të sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Anketa e IRN-së dhe orientimet strategjike të Kosovës

Gjetjet e raportit të IRN-së tregojnë se shumica e të anketuarve nga Kosova, përkatësisht 80%, konsiderojnë Shtetet e Bashkuara si aleatin kryesor. Pas SHBA-së, Shqipëria është aleati i dytë me 6%, ndjekur nga Gjermania me 5%, Turqia me 3% dhe Mbretëria e Bashkuar me 1%. Ndërsa, shteti që vlerësohet si kërcënimi kryesor për qytetarët e Kosovës perceptohet të jetë Serbia, me një shumicë dërrmuese prej 83%, e pasuar nga Rusia (8%), Shtetet e Bashkuara (1%) dhe Kina (1%).

Dokumentet strategjike të Kosovës janë në masë të madhe në harmoni me perceptimin publik. Kështu, bazuar në Strategjinë e Sigurisë së Kosovës, forcimi dhe thellimi i marrëdhënieve dhe partneritetit me SHBA-në dhe aleatët europianë është një ndër synimet kryesore. Për më tepër, SHBA-ja vlerësohet si partneri strategjik që do ta mbështesë Kosovën në anëtarësimin në NATO. Përgjithësisht, pikëpamje e ngjashme vërehet edhe te liderët politikë, të cilët marrëdhënien midis SHBA-së dhe Kosovës e shohin si jetike.

Sa i përket hierarkisë së kërcënimeve kundrejt interesave të Kosovës, ekziston përputhje gati e plotë në mes të perceptimit qytetar dhe përcaktimit strategjik. Në të dy rastet, Serbia perceptohet si kërcënimi kryesor i sigurisë për Kosovën. Një qëndrim i tillë, ndër të tjerash, është rezultat i raporteve të gjata konfliktuoze, por buron edhe nga pretendimet e vazhdueshme territoriale të Serbisë, cenimi i sovranitetit nga strukturat ilegale të mbështetura nga shteti serb dhe nga përpjekjet aktive për të penguar konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe integrimin në strukturat euroatlantike e mekanizma të tjerë ndërkombëtarë.

Tutje, sikurse qytetarët në sondazh, edhe dokumentet strategjike të Kosovës e vlerësojnë Rusinë si një ndër shtetet që ka interes për ta destabilizuar rajonin e Ballkanit, sidomos pas fillimit të luftës në Ukrainë më 2022. Ky vlerësim bazohet në veprimet e vazhdueshme revizioniste të Rusisë në rajon, të cilat kanë për qëllim të ngrenë tensione dhe të pengojnë integrimin e vendeve të Ballkanit në strukturat euroatlantike

Provokimi i konfliktit në Ballkan shihet si një mundësi për të shpërqendruar vëmendjen e Perëndimit nga lufta në Ukrainë. Kjo strategji destabilizuese e Rusisë, e cila shfrytëzon konflikte të reja për të minuar stabilitetin dhe sigurinë në rajonin Ballkanit, përputhet me modelin e saj të ndërhyrjeve në rajone të tjera me qëllim të sfidimit të ndikimit perëndimor në skenën globale. Për më tepër, kur merren në konsideratë raportet e afërta historike, kulturore e politike mes Serbisë dhe Rusisë, perceptimi i Rusisë si kërcënim potencial kundrejt Kosovës del të ketë mbështetje edhe empirike.

Anketa e IRN-së dhe orientimet strategjike të Serbisë

Sa u përket qytetarëve në Serbi, 46% e respondentëve e konsiderojnë Rusinë si aleatin e tyre kryesor, të pasuar nga Kina (14%), Hungaria (5%), Greqia (3%) dhe Gjermania (2%). Në anën tjetër, në pyetjen se cilin shtet e konsideroni si kërcënimin më të rëndësishëm për vendin, 36% e respondentëve në Serbi vlerësojnë Shtetet e Bashkuara si kërcënimin kryesor për sigurinë e tyre kombëtare. Lista e shteteve më kërcënuese, sipas përgjigjeve të qytetarëve, pasohet nga Shqipëria me 18%, Kosova (10%), Kroacia (5%) dhe Britania e Madhe (5%).

Nga analiza e të dhënave del në pah se qëndrimet e qytetarëve të Serbisë sa u përket shteteve aleate nuk janë në përputhje të plotë me politikat e shtetit serb, siç reflektohen në dokumente strategjike si “Strategjia Kombëtare e Sigurisë”. Sipas këtij dokumenti, një ndër objektivat kryesorë që ka peshë domethënëse strategjike për Serbinë është përmirësimi i marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. I njëjti qëndrim vlen edhe për Rusinë, Kinën dhe vende të tjera partnere me influencë në sistemin ndërkombëtar.

Pra, derisa qytetarët në Serbi, sipas anketës të IRN-së, e shohin SHBA-në si kërcënimin kryesor, dokumentet strategjike të këtij shteti e vlerësojnë si partner jetik me të cilin duhen thelluar e konsoliduar raportet. Përkundër retorikës politike në kontekste të caktuara gjeopolitike, jo rrallë evidentohet harmoni në mes të deklaratave të zyrtarëve serbë, me çfarë shkruhet në Strategjinë Kombëtare të Sigurisë.

Kështu, në vitin 2016, në një takim me nënpresidentin Joe Biden, Aleksandar Vuçiq kishte deklaruar se marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Serbi janë në rritje të vazhdueshme. Qëndrimi i qartë politik për përmirësimin e raporteve dypalëshe evidentohet edhe nga Departamenti i Shtetit, ku shprehet se qëllimi i SHBA-së është të forcojë raportet me Serbinë, duke thelluar bashkëpunimin bazuar në interesin dhe respektin reciprok.

Nga ana tjetër, sa u përket Rusisë dhe Kinës, evidentohet përputhshmëri në mes të perceptimit të qytetarëve dhe orientimit strategjik për këto shtete, siç specifikohet në Strategjinë Kombëtare. Për më tepër, një gjë e tillë konfirmohet edhe nga veprimet dhe deklaratat konkrete të politikëbërësve serbë. Kështu, në shtator të vitit 2022, ministrat e Jashtëm të Rusisë dhe Serbisë nënshkruan “Planin e Konsultimeve” me kohëzgjatje dyvjeçare, që ka për qëllim harmonizimin e politikës së tyre të jashtme. Jo rastësisht, që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Serbia s’i ka vendosur sanksione Rusisë, edhe pse njëkohësisht deklaron se mbështet integritetin territorial të Ukrainës. Ndërsa, gjatë vizitës së presidentit kinez Xi Jinping në Serbi, në maj të këtij viti, ai theksoi se raportet mes Kinës dhe Serbisë bazohen në një “miqësi të çeliktë”. Ai gjithashtu e konsideroi Serbinë si partner strategjik në Europën Qendrore dhe Lindore.

Në anketën e realizuar nga IRN-ja, Kosova perceptohet si kërcënimi i tretë në renditje me 10%. Ndërsa, në Strategjinë Kombëtare të Sigurisë, vendin e parë në hierarkinë e kërcënimeve e zënë “aspiratat separatiste që manifestohen në territorin e Kosovës”. Nga ana tjetër, në këtë dokument strategjik, as SHBA-ja, as ndonjë shtet tjetër nuk specifikohen si kërcënim për Serbinë, ndryshe nga sa perceptohet nga respondentët në anketë.

Nga analiza e perceptimeve të publikut dhe politikave strategjike të Kosovës dhe Serbisë, evidentohet qartë një dinamikë komplekse dhe shpesh kontradiktore midis qëndrimeve të qytetarëve dhe strategjive shtetërore. Në Kosovë ekziston përputhje e dukshme midis orientimeve strategjike dhe perceptimeve publike, duke theksuar një aleancë të fortë me Shtetet e Bashkuara dhe një qëndrim armiqësor ndaj Serbisë, e cila perceptohet si kërcënimi kryesor për sigurinë kombëtare. Gjithashtu, Rusia shihet si një shtet me ndikim global dhe synime revizioniste, që ka interes ta destabilizojë rajonin. 

Në Serbi, megjithëse perceptimet publike janë të orientuara drejt Rusisë dhe kundër SHBA-së, dokumentet strategjike tregojnë një qëndrim më të balancuar dhe pragmatik. Kjo dëshmon një njohje dhe pranim të rëndësisë së marrëdhënieve të mira me të dy fuqitë globale. Ky qëndrim reflekton një strategji më të sofistikuar të politikës së jashtme serbe, e cila kërkon t’i maksimizojë përfitimet ekonomike dhe diplomatike nga të dyja palët. Kjo qasje strategjike mund të shpjegohet me nevojën për të balancuar ndikimet e jashtme dhe për të manovruar në një mjedis gjeopolitik kompleks.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.