Për më shumë se 10 muaj, Serbia është ballafaquar me trazira politike, me protestat e udhëhequra nga studentët dhe bllokadat e universiteteve që kanë shpërfaqur plasaritjet e pushtetit. Rënia e qeverisë në janar të 2025-tës dhe menjëherë pas saj dyshimi për përdorim të një arme akustike kundër protestuesve, e kanë minuar legjitimitetin e presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Gjuro Macut. Për herë të parë që nga viti 2012, sondazhet tregojnë se shumica e qytetarëve besojnë se Serbia ka marrë trajektore të gabuar.
Përkundër dhunës ndaj protestuesve dhe jostabilitetit politik, akterët ndërkombëtarë kanë vazhduar ta trajtojnë Beogradin si të mos kishte ndryshuar asgjë. Vuçiqi gëzon mbështetje të qëndrueshme nga aleatët e tij autokratë në Moskë, Beijing dhe Budapest, teksa Brukseli, Berlini, Parisi dhe Uashingtoni kanë ruajtuar qasjen e tyre të zakonshme (biznes-si-zakonisht).
Situata eskaloi sërish në gusht, kur shpërtheu dhuna mes policisë dhe protestuesve. Në fund të muajit, presidenti Vuçiq i shkroi letër presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, duke u ankuar për qytetarët e vet dhe për dhunën e pretenduar të organizuar nga protestuesit.
Megjithatë, shtypja e dhunshme e protestave, me përdorimin e tepruar të forcës nga policia dhe propagandën mediatike, ka filluar t’i kthehet kundër. Pas shtypjes së gushtit, qëndrimet në Perëndim nisën të ktheheshin kundër Vuçiqit. Brenda Bashkimit Europian (BE), grupet liberale filluan të shprehin hapur mbështetjen për protestuesit, e Partia e Gjelbër e Europës shkoi aq larg sa deputetët e Parlamentit Europian i dërgoi në Serbi, për ta monitoruar gjendjen për së afërmi.
Këto zhvillime së shpejti mund të shënojnë një pikë kthese në marrëdhëniet Bruksel-Beograd dhe, më gjerësisht, në mbështetjen e Perëndimit për Vuçiqin.
Vuçiqi, i shqetësuar me vizitën e deputetëve të Parlamentit Europian për ta vëzhguar shtypjen e protestuesve nga policia
Dy deputetët e Parlamentit Europian, Vula Tsetsi, bashkëkryetare e Partisë së Gjelbër të Europës, dhe bashkëpartiaku i saj, Rasmus Nordqvist, vizituan Serbinë për t’i vëzhguar për së afërmi veprimet e policisë, pas akuzave nga studentët për përdorim të dhunës.
Vizita e befasishme e eurodeputetëve shkaktoi tension në Beograd. Prej atëherë, Të Gjelbrit, Liberalët (Renew), si dhe Socialistët dhe Demokratët, pothuajse të gjitha grupet e mëdha në Parlamentin Europian, përveç Partisë Popullore të Europës e qendrës së djathtë dhe Patriotëve nga ekstremi i djathtë, janë bërë hapur kritikë të Vuçiqit. Kjo tregoi një ndërrim të qartë në Bruksel, ku po shteron durimi për regjimin e tij.
Vuçiqi e dinte se personalitetet e nivelit të lartë, që do të ishin dëshmitarë për së afërmi të brutalitetit policor, mund të sillnin telashe serioze. Dhe ndodhi saktësisht kjo. Eurodeputetët dëshmuan nga afër shtypjen e protestuesve paqësorë në Novi Sad, teksa tabloidet e afërta me qeverinë pretenduan se protestuesit ishin të dhunshëm dhe se policia veproi vetëm si kundëpërgjigje.
Kur eurodeputetët e sfiduan këtë narrativë, Vuçiqi thirri një konferencë të jashtëzakonshme për media në orën 23:30, që do të mbahet mend si një nga konferencat më të rëndësishme për 13 vjet sa është në pushtet.
Konferenca filloi 45 minuta me vonesë, pak para mesnatës, kurse Vuçiqi dukej i shqetësuar. Gjatë fjalimit, ai humbi vetëpërmbajtjen e zakonshme dhe filloi të bërtasë. Në këtë adresim, ai hapur sulmoi mysafirët nga Brukseli, duke i quajtur “llum” dhe duke i kërcënuar për arrestim, ndonëse eurodeputetët gëzojnë imunitet dhe veprime të tilla do të ishin jodiplomatike, skandaloze dhe shkelje e drejtpërdrejtë e së drejtës ndërkombëtare.
Në fund, studentët akuzuan policinë, që të njëjtën mbrëmje, në kampusin e Universitetit të Novi Sadit, ka përdorur armë kimike kundër tyre. Analizat kimike të njërit nga gazrat lotsjellës të gjuajtur nga policia konfirmuan se më 5 shtator, në Novi Sad, ishte përdorur gazi CN, agjent toksik, i klasifikuar si agjent i luftës kimike. Gazeta gjermane Bild veçse e kishte marrë këtë informacion dhe kishte shkruar për të, duke e komplikuar edhe më tej pozitën e Vuçiqit.
Vizita e eurodeputetëve në Beograd prodhoi efekt domino në Europë
Komisionerja e BE-së për zgjerim, Marta Kos, gjatë vizitës së saj në Vjenë më 8 shtator, komentoi progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Kur foli për Serbinë, ajo në gjermanisht deklaroi: “Wir haben ein Problem in Belgrad” (“E kemi një problem në Beograd”).
Kjo ishte hera e parë që një zyrtar i lartë i BE-së në mënyrë të drejtpërdrejtë kritikoi Vuçiqin. Kos theksoi se liria e tubimit dhe protestës paqësore janë të drejta themelore të njeriut, të rrënjosura thellë në traktatet dhe parimet e BE-së. Kjo shënon një pikë kritike në marrëdhëniet BE-Serbi dhe sinjalizon distancimin diplomatik me regjimin e Vuçiqit.
Për më shumë, udhëheqësi i grupit të Partisë Popullore të Europës (EPP) në Parlamentin Europian njoftoi se grupi do ta rikonsiderojë anëtarësinë e SNS-së. EPP-ja ka shërbyer si mbështetje politike për Vuçiqin në Parlamentin Europian, me lehtësimin e raporteve kritike të Parlamentit Europian dhe me mbrojtjen e SNS-së prej presionit të partive dhe institucioneve të tjera. Pa këtë mbështetje, Vuçiqi do të ishte ekspozuar shumë më shumë, në Europë dhe ndërkombëtarësisht.
Qendra e Politikave Europiane (EPC), think tank shumë i njohur me bazë në Bruksel, anuloi ngjarjen ku ishte paraparë të merrte pjesë kryetarja e Parlamentit të Serbisë, Ana Bërnabiq. Në fund, Bërnabiqi udhëtoi në Bruksel vetëm për ta organizuar ngjarjen në Ambasadën e Serbisë dhe për t’u takuar me presidenten e Parlamentit Europian, Roberta Metsola.
Edhe ky takim me Metsolan u duk i çuditshëm, meqë me gjasë ishte aranzhuar nxitimthi. Megjithatë, Bërnabiqi e shfrytëzoi takimin për të theksuar më pas në deklaratën për media se nuk kishte probleme mes SNS-së dhe EPP-së, kështu duke e mohuar mundësinë e përjashtimit të SNS-së.
Përkundër valës në rritje kundër Vuçiqit, është akoma herët të thuhet nëse kjo shënon fundin e regjimit të tij. Megjithatë, mbi 10 muaj protesta kanë treguar se qëndrueshmëria qytetare mund të japë rezultate, dhe ata tani e kanë rrëzuar shtyllën e fundit të fuqisë së tij: mbështetjen ndërkombëtare.
Duket se e vetmja mbështetje e mbetur e Vuçiqit në Perëndim janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas mbështetjes së Trumpit nëntorin e kaluar, ai së fundmi u takua me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marko Rubio, i cili, gjatë takimit të tyre në Nju Jork, njoftoi për nisjen e dialogut special SHBA-Serbi.




























































