Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Disinfo

Pre-bunking: Dezinformata dhe thellim i polarizimeve në prag të zgjedhjeve të reja

Hapësira informative në Kosovë ka gjasa të përballet me rreziqe të shtuara të dezinformimit pas dështimit të Kuvendit për të zgjedhur presidentin brenda afatit kushtetues më 28 prill dhe zgjedhjeve të parakohshme të cilat do të mbahen më 7 qershor. Situata aktuale krijon një ambient të favorshëm për narrativa që paraqesin paqëndrueshmëri politike, brishtësi demokratike dhe rënie të mbështetjes ndërkombëtare, me rrezik për thellim të polarizimit dhe minimin e besimit në institucione.

Dezinformimi pritet ta paraqesë bllokadën institucionale si dëshmi të dështimit sistemik politik, duke përfshirë pretendime të ekzagjeruara për “kolaps kushtetues”, përçarje mes politikanëve apo paqëndrueshmëri që zgjasin. Narrativat mund të spekulojnë gjithashtu për trazira apo përkeqësim të situatës sigurisë, veçanërisht në rajone të ndjeshme si veriu i Kosovës, duke e paraqitur sistemin politik të paaftë për të ruajtur qeverisjen demokratike pa ndërhyrje të jashtme.

Në të njëjtën kohë, procesi i pritshëm zgjedhor është i cenueshëm ndaj fushatave delegjitimuese përmes narrativave që vënë në dyshim kredibilitetin dhe paanshmërinë e tij. Këto mund të përfshijnë pretendime të fabrikuara ose mashtruese për përçarje politike, manipulim të votuesve apo paragjykim institucional, me potencial për të dekurajuar pjesëmarrjen e votuesve dhe për të dobësuar besimin në rezultatin e zgjedhjeve.

Narrativat gjeopolitike gjithashtu pritet të intensifikohen, duke i lidhur zhvillimet e brendshme me ndryshime më të gjera brenda Bashkimit Evropian. Mesazhet diplomatike mund të interpretohen në mënyrë selektive për ta paraqitur rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së dhe integrimit euro-atlantik si të pasigurt ose në dobësim, duke iu referuar dinamikave të brendshme të BE-së, përfshirë fuqizimin e aktorëve të ekstremit të djathtë, për të sugjeruar rënie të mbështetjes ose ndryshim të politikave të njohjes. Angazhimi diplomatik mund të keqinterpretohet për të forcuar perceptimet e izolimit ose ngecjes.

Taktikat e dezinformimit pritet të përfshijnë sondazhe të rreme ose të manipuluara të opinionit publik, vazhdimin e trendit të identifikuar të rritjes së aktivitetit në platforma si Telegram, si dhe përdorimin në rritje të përmbajtjeve të gjeneruara nga inteligjenca artificiale për të amplifikuar narrativa mashtruese apo sulmuar politikanë apo parti të cakutara. Këto metoda ka gjasa të përshpejtohen në periudhën e fushatës zgjedhore, duke forcuar ndarjet ekzistuese dhe duke rritur pasigurinë.

Në përgjithësi, ndërthurja e pasigurisë së brendshme politike me kornizimin gjeopolitik të jashtëm krijon një ambient shumë të favorshëm për dezinformata, ku narrativa konkurruese e paraqesin Kosovën si politikisht jofunksionale ose ndërkombëtarisht të izoluar, duke rritur polarizimin dhe duke minuar besimin e publikut.

 

Author

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.