“Handbook of Children and Screens: Digital Media, Development, and Well-being from Birth through Adolescence” (shqip: “Manuali i fëmijëve dhe ekraneve: Media digjitale, zhvillimi dhe mirëqenia nga lindja deri në adoleshencë”), u redaktua dhe u botua më 2025 nga Dimitri A. Christakis dhe Lauren Hale.
Ky manual është një vëllim gjithëpërfshirës, i cili trajton në mënyrë të detajuar ndikimin e mediave digjitale në mirëqenien fizike, kognitive dhe emocionale të fëmijëve, që nga lindja deri në adoleshencë.
Manuali përfaqëson një përpjekje të gjerë bashkëpunimi, ku marrin pjesë studiues nga fusha të gjera shkencore, si: pediatria e sjelljes, psikologjia, psikiatria, neuroshkenca, shkenca familjare dhe studimet e komunikimit, gjë që bën atë një burim të çmuar për mësimdhënësit, psikologët, e studiuesit e zhvillimit të fëmijëve, si dhe prindërit që duan të kuptojnë më thellë ndikimin e teknologjisë në jetën e të miturve.
Për më tepër, qasja ndërdisiplinore e librit e bën atë një burim të vlefshëm për këdo që dëshiron të kuptojë marrëdhënien komplekse midis teknologjisë dhe zhvillimit të fëmijëve dhe adoleshentëve.
Sa i përket strukturës së librit, ai ndahet në tri pjesë kryesore, secila nga to e fokusuar në një aspekt specifik të ndikimit të mediave digjitale. Pjesa e parë e librit eksploron ndikimet kognitive, fizike dhe psikologjike; pjesa e dytë e librit përqendrohet në shqetësimet rreth shëndetit mendor; ndërsa pjesa e tretë trajton ndikimin e video-lojërave të dhunshme në rritjen e agresivitetit.
- Zhvillimi kognitiv dhe zhvillimi i trurit
Një nga temat kryesore në këtë pjesë të librit është ndikimi i mediave digjitale (p.sh., Tik-Tok-ut) në zhvillimin e trurit, që nënkupton rritjen biologjike dhe fiziologjike të strukturave dhe funksioneve të tij, veçanërisht gjatë fëmijërisë së hershme. Një periudhë kritike kjo, kur truri zhvillohet me ritme të shpejta dhe është jashtëzakonisht i ndjeshëm.Libri argumenton se ekspozimi i tepërt ndaj pajisjeve digjitale në këtë fazë mund të ketë pasoja afatgjata negative në zhvillimin kognitiv, pra mund të ndikojë dukshëm në mënyrën se si fëmijët mendojnë, eksplorojnë dhe i kuptojnë gjërat.
Ndër efektet e drejtpërdrejta përmenden çrregullimet e gjumit dhe ndryshimet në sjellje, ndërkohë që tek ato të tërthorta përmendet humbja e kohës, që do të mund të shpenzohej në aktivitete më të dobishme për zhvillimin e trurit, si: leximi, detyrat shkollore, apo ndërveprimet reale me të tjerët.
- Shëndeti mendor dhe mirëqenia
Pjesa e dytë e librit përqendrohet në shëndetin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve, duke theksuar shqetësimet në rritje lidhur me rolin e mediave digjitale në përhapjen e ankthit dhe depresionit, duke vënë një theks të veçantë te shqetësimet rreth imazhit trupor tek adoleshentët.
Rritja dhe përgatitja e fëmijëve për të jetuar një jetë të shëndetshme dhe të ekuilibruar në epokën e internetit është sfiduese, por kuptimi dhe rekomandimet e dhëna në këta kapituj ndihmojnë ndjeshëm për ta bërë këtë gjë më të realizueshme.
Ky seksion i librit gjithashtu trajton aspektet pozitive të kësaj fushe, veçanërisht atë se si mediat digjitale shërbejnë për aktivizëm social dhe ndërtimin e lidhjeve sociale. Sipas autorëve, është thelbësore që të ketë një qasje të balancuar karshi mediave digjitale, duke njohur rolin e tyre në promovimin e qëndrueshmërisë dhe lidhshmërisë sociale kur përdoren në mënyrë të ndërgjegjshme.
- Efektet e lojërave digjitale
Pjesa e tretë e librit trajton ndikimin e edukimit digjital, lojërave dhe teknologjive të reja në zhvillimin e fëmijëve dhe adoleshentëve. Seksione të veçanta analizojnë efektet e video-lojërave dhe lidhjen e tyre me agresivitetin dhe varësinë.
Video-lojërat e dhunshme mund të bëjnë që fëmijët të sillen më agresivisht, sepse shpesh i mësojnë ata të mendojnë se dhuna është një mënyrë normale për t’i zgjidhur problemet. Gjithashtu, fëmijët dhe adoleshentët priren t’i imitojnë sjelljet e dhunshme edhe jashtë lojës dhe të kenë më pak ndjeshmëri ndaj dhunës në jetën reale.
Po ashtu, në këtë pjesë të librit trajtohen roli i inteligjencës artificiale, realitetit virtual dhe shqetësimet mbi privatësinë digjitale të fëmijëve. Kjo pjesë ofron një vështrim të gjerë dhe kritik mbi mënyrën se si teknologjitë e avancuara ndërveprojnë me zhvillimin e fëmijëve dhe adoleshentëve në epokën digjitale.
Rekomandimet e librit
Një pjesë e konsiderueshme e librit i dedikohet rolit të prindërve dhe familjeve në epokën digjitale. Rekomandimet nuk synojnë ndalimin e teknologjisë, por ofrimin e mjeteve për menaxhim të kujdesshëm dhe edukim të përshtatshëm.
Ndërsa fëmijët eksplorojnë gjithnjë e më shumë hapësirat digjitale, roli i udhëheqjes, monitorimit dhe ndërhyrjes prindërore bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm.
Sipas autorëve, prindërit nuk duhet të mbështeten vetëm te mosha kronologjike kur vendosin t’u japin fëmijëve një telefon apo pajisje digjitale, por duhet të marrin në konsideratë pjekurinë emocionale dhe nivelin e përgjegjësisë së fëmijës.
Gjithashtu, përfshirja e fëmijëve në krijimin e rregullave familjare për përdorimin e teknologjisë është një hap i rëndësishëm drejt ndërgjegjësimit, ndërkohë që vetë prindërit duhet të jenë model i sjelljes së shëndetshme digjitale.
Tutje, autorët e librit u bëjnë thirrje komunitetit shkencor dhe politikëbërësve për më shumë hulumtime mbi ndikimin afatgjatë të teknologjisë, si dhe për hartimin e politikave adekuate që synojnë të mbështesin mirëqenien digjitale të fëmijëve dhe të rinjve.




























































