Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

Qeveria Kurti vazhdon presionin ndaj serbëve të Kosovës, por injoron obligimet e Kosovës

Ilustrimi nga Ngadhnjim Halilaj.

15 marsi 2026 erdhi dhe shkoi pa trazimin që shumëkush e kishte pritur. Në moment të fundit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njoftoi se zbatimi i Ligjit të ri për të Huajt fillon sipas planit, por me lejeqëndrim të përkohshëm dymbëdhjetëmujor për serbët që jetojnë dhe punojnë në veri, duke ofruar kështu atë që Beogradi dhe kryeqytetet evropiane e quajtën shpejt si një “lehtësim”.

Ligji u kërkon individëve që hyjnë në Kosovë për punësim, ribashkim familjar ose arsimim, të paraqiten në polici brenda 72 orëve dhe të pajisen me lejeqëndrim nga Ministria e Punëve të Brendshme.  

Për serbët që kanë vetëm dokumente të lëshuara nga Serbia, shumë nga të cilët punojnë në institucione të themeluara nga Beogradi, kjo do të nënkuptonte të riklasifikoheshin si të huaj në vendlindjen e tyre.

Gjithashtu, mund të afektohen spitalet, shkollat, çerdhet dhe zyrat administrative, me rreth 20 mijë njerëz që mund të ndikohen, sipas vlerësimeve të qeverisë së Serbisë.

Megjithatë, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Peter Sorensen, udhëhoqi bisedime intensive me qeverinë e Kosovës, gjë që rezultoi me shtyerjen e Ligjit.

Sipas marrëveshjes së re të përkohshme, punëtorët serbë të arsimit e shëndetësisë, si dhe studentët mund të pajisen me lejeqëndrim të përkohshëm dymbëdhjetëmujor, teksa ndërkohë njihen dokumentet e tyre ekzistuese të identifikimit. Gjithashtu, Sorensen theksoi rëndësinë e konsultimit të komunitetit serb për të siguruar një proces të drejtë dhe gjithëpërfshirës.

BE-ja luajti rol vendimtar në shmangien e krizës. Ky rezultat është produkt i diplomacisë së qëndrueshme të BE-së, dëshmi kjo që kur Brukseli e përdor me qëllim ndikimin e tij, mund të prodhojë rezultate.

Por, ky është vetëm një rregullim i përkohshëm. Çka ndodh kur të skadojë lejeqëndrimi pas 12 muajsh?

Nuk ekziston një kornizë ligjore e detyrueshme për t’i mbrojtur institucionet serbe në Kosovë në planin afatgjatë dhe Prishtina nuk ka shfaqur qëllim për ta krijuar një të tillë.

Njëkohësisht, qeveria Kurti ka kundërshtuar themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, teksa e ka intensifikuar presionin ndaj serbëve të Kosovës për t’u integruar në institucionet e Kosovës, përkundër se marrëveshja është miratuar nga qeveria, ratifikuar nga Kuvendi dhe dekretuar nga Presidenti.

Ndërsa Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se disa pjesë të marrëveshjes nuk janë në vijë me Kushtetutën, ajo akoma i kërkon qeverisë ta zbatojë marrëveshjen për Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe. Këto janë fakte që qeveria Kurti nuk mund t’i injorojë.

Në këtë kontekst, BE-ja duhet të jetë e vendosur ndaj këtij detyrimi të pazgjidhur.

Në takimin e 14 marsit, vetëm një ditë para se ligji të hynte në fuqi, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Peter Sorensen, deklaroi se BE-ja “është informuar për planet e Qeverisë së Kosovës për t’i integruar institucionet shëndetësore dhe arsimore të mbështetura nga Serbia brenda kornizës së Kosovës, në përputhje të plotë me marrëveshjet e mëparshme të Dialogut dhe angazhimet tjera rajonale dhe të BE-së”.

Megjithatë, modeli i zbatimit mbetet i paqartë.

Komuniteti serb në Kosovë meriton më shumë sesa bisedime të përvitshme nëse mund ta mbajnë punën ose të udhëtojnë lirshëm pa pasoja.

Nuk është e paarsyeshme t’i kërkohet qeverisë së Kosovës t’i përmbush obligimet e saj. Askush nuk i ka bërë presion Prishtinës ta pranojë Marrëveshjen e parë në Bruksel më 2013 apo Marrëveshjen e dytë në Ohër më 2023, të dyja këto i garantojnë komunitetit serb në Kosovë autonomi lokale në komunat ku përbëjnë shumicën.

Në këtë kontekst, dialogu i nivelit të lartë që e ka premtuar Kaja Kallas duhet ta vendos Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe në qendër të agjendës. Asociacioni/Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe nuk duhet të trajtohet si diçka e mëvonshme; është baza thelbësore për çdo normalizim të qëndrueshëm mes Kosovës dhe Serbisë.

Strategjia e qeverisë së Kosovës është problematike. Në vend të imponimit të politikave që e përjashtojnë komunitetin serb, ajo duhet të angazhohet në dialog me komunitetin dhe t’i trajtojë serbët si qytetarë të barabartë. Kjo është thelbësore për normalizim të qëndrueshëm dhe duhet të çojë te themelimi i Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, siç është pajtuar dhe premtuar.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.