Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Roli rus

Më relevante se analizat rreth rolit historik të Rusisë në Ballkan janë vlerësimet për të ardhmen e saj. Kur flitet për të ardhmen, janë dy të vërteta me të cilat ballafaqohet shteti rus. E para është e vërteta e një superfuqie nukleare me apetit të madh dhe kapacitete shkatërruese që ua imponon tjerëve prezencën dhe respektin në aferat kyçe ndërkombëtare. E dyta është një Rusi relativisht e mbyllur ndaj emigracionit, me probleme demografike e ekonomike dhe mungesë të inovacionit karshi konkurrentëve.

Të dyja në kombinim krijojnë një politikë e cila është në stres konstant ku ndjehet se problemet e brendshme janë rrjedhë e axhendave të jashtme, dhe si rezultat formulimin e politikave të jashtme që nxisin ndeshje edhe më të madhe me fuqitë tjera. Thuajse me dizajn kjo ndërlidhje mund të jetë një kanal për të arsyetuar problemet dhe dështimet para popullit, dhe për të pasur përkrahje në aventurat që ia ushqejnë ambiciet e një fuqie globale.

Për Kosovën, kjo gjendje strukturale e Rusisë sinjalizon se ajo do të vazhdojë të jetë aktive në botë e rajon, dhe Prishtina zyrtare duhet të formulojë një qasje drejt këtij realiteti.

Çka prodhojnë dy të vërtetat bashkë?

Kur flitet për Rusinë duhet pasur parasysh pozitën e saj gjeografike (ekspozimin) me kufi të ndarë me 14 shtete, lidhje direkte në Euro-Azi dhe Arktik. Në Azi ndoshta dilemën më të madhe për të ardhmen e ka Kinën. Deri në një masë janë të dakorduar si miq që së bashku mund t’i kundërvihen Amerikës. Por, në rast se Kina bëhet fuqia numër një (që pritet të ndodhë në të ardhmen,) atëherë Rusisë gjithashtu i intereson të balancojë gjigantin fqinj.

Në vitet që vijnë, në ndërkohë, për Rusinë duket se më e rëndësishme është që të bashkpunojë me Kinën dhe të shtyjë Perëndimin duke siguruar që Ukraina nuk bie nën orbitin e SHBA-ve dhe BE-së, që Bellorusia nuk i largohet, dhe se NATO e prezenca e saj në shtetet karshi dobësohen.

Si zgjatje e këtij fronti me Perëndimin, çka kemi parë dhe po shohim edhe më shumë është se Rusia nuk luan më vetëm në këto sfera. Aq sa e lejojnë rrethanat duke mos eskaluar konfliktin krejtësisht, ajo gjithashtu është aktive në zonat ku ka prezencë historike përmes Bashkimit Sovjetik (sikur Siria, Venezuela etj.) por edhe brenda vetë vendeve Perëndimore (sikur intervenimi në zgjedhjet amerikane.)

Në këtë front gjithsesi hyn edhe Ballkani. E kemi parë përmes përkrahjes ndaj Serbisë, pozicionimit kundër Kosovës, dhe destabilizimit të Maqedonisë e Malit të Zi.

Çfarë e bën këtë aferë të rrezikshme për Kosovën specifikisht është fakti se në këtë front shohim një qasje tjetër të luftës. Nuk është fjala vetëm për luftë hibride si taktikë e tanishme. Rreziku më shumë vjen nga strategjia e një politike aventuriste ku Moska a) bën lëvizje ushtarake dhe politike përmes së cilës merr atë që do, b) kalkulon se atë që merr nuk është sulm direkt për vendet sikur SHBA-të (nuk ia cenon interesat vitale) dhe c) me armë nukleare dhe politika agresive të gjitha së bashku e parandalojnë eskalimin e situatës më tutje ngase në rrethana të tilla Amerika më përpara e menaxhon situatën se të nxisë luftë më të gjerë.

Si rrezikohet Kosova?

Këtu po kthehem tek fillimi i shkrimit. Nëse shikojmë prapa në histori për informim ndaj të ardhmes atëherë rrezikojmë ta shohim Rusinë vetëm si aleat serb. Ndërsa, siç e përshkrova më lart, Rusia luan rol global dhe sheh Kosovën më shumë nga perspektiva e betejës me Perëndimin se nga aleanca serbo-ruse. Normal kjo lidhje bilaterale përdoret për benefite të dyanshme si çdo marrëdhënie mes shtetesh, por se Kosova si çështje për Rusinë e tejkalon Serbinë.

Rusia si minimum mund t’i vërë Perëndimit kushtin e njohjes së Krimesë apo ndonjë kusht tjetër në Evropën Lindore. Ajo nuk ka interes ta njohë Kosovën vetëm për t’i ndihmuar tjerëve (nëse nuk ka diçka për të marrë si shkëmbim.)

Prandaj, Serbia mund të konsideroj se ky është moment i artë për të bërë marrëveshje nga e cila fiton edhe pak territor ose influencë mbi Kosovën si shkëmbim për njohje – sepse e di se Moska e bllokon Kosovën në skenën ndërkombëtare dhe Beogradi mund t’i rikthehet politikës agresive prapë pas disa viteve.

Si kombinim interesash mes Rusisë e Serbisë, kjo edhe nëse nuk është menduar bashkë, mund të jetë një lloj mirëkuptimi i ndërsjellë që siguron vazhdimësinë e Rusisë në Ballkan, dhe problematizimin e Kosovës në favor të Serbisë për të ardhmen (pas marrëveshjes së mundshme.)

Roli rus në botë dhe Ballkan ilustron pse çfarëdo marrëveshjeje Kosovë-Serbi nuk mund të përshkruhet si “finale.” Në marrëdhënie ndërkombëtare nuk ka asgjë finale sepse secila fuqi është në lëvizje konstante. Është sikur yjet në qiell – nga larg duket se janë në harmoni dhe po rrijnë të ngrirë. Në realitet, gjendja është kaotike, janë në lëvizje konstante, disa në lindje, disa në vdekje, e disa duke u ndeshur apo përpirë nga vrimat e zeza.

Nën një realitet të tillë Kosova duhet të punojë tani që pas një afati disavjeçarë të ketë a) kapacitete ushtarake të cilat ia vështirësojnë seriozisht Serbisë çfarëdo kalkulimi të ndërhyrjes, dhe b) aleanca ushtarake të cilat pamundësojnë ndonjë aventurë serbe dhe/apo ruse që siç e shohim është brenda skenarëve të mundshëm.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.