Takimet e presidentit amerikan Donald Trump me presidentin rus Vladimir Putin në Alaskë dhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe liderët kryesorë të vendeve të Europës, BE-së dhe NATO-s në Uashington, kanë ringjallur shpresën se ndoshta ekziston një mundësi për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.
Por, a ka gjasa reale të krijohen kushtet për një marrëveshje të tillë përmes përfshirjes së SHBA-së? Cilat janë kushtet dhe vijat e kuqe të palëve të përfshira në konflikt?
Kërkesat ruse
Rusia ka tri kërkesa themelore për përfundimin e luftës, që i ka shtruar në qershor të vitit 2024, së cilave u qëndron besnike në vazhdimësi. Kërkesa e parë lidhet me njohjen e territoreve të pushtuara. Rusia kërkon që Perëndimi të njohë si pjesë të saj jo vetëm Krimenë (e aneksuar në vitin 2014), por edhe katër rajonet e pushtuara gjatë fushatës luftarake që nisi më 2022: Donetsk, Luhansk, Zaporizhia dhe Kherson.
Presidenti Putin e ka theksuar vazhdimisht këtë kërkesë, duke e forcuar atë përmes organizimit të referendumeve të kontestuara në territoret e pushtuara dhe më pas duke i shpallur ato rajone si pjesë të Federatës Ruse. Megjithatë, këto janë kërkesa maksimaliste sepse vetëm rajoni i Luhanskut është pothuajse tërësisht i okupuar nga forcat ruse. Tri rajonet e tjera janë vetëm pjesërisht të okupuara.
Kërkesa e dytë mbetet neutraliteti ushtarak i Ukrainës. Për Kremlinin, anëtarësimi i Ukrainës në NATO përbën kërcënim ekzistencial. Nga këndvështrimi rus, garancitë e sigurisë të ofruara nga vendet europiane, të mbështetura indirekt edhe nga presidenti Trump, janë të ngjashme me një angazhim të Nenit 5 të NATO-s, gjë që garanton mbrojtje kolektive në rast sulmi të shteteve anëtare.
Në vitin 2022, në bisedimet e Stambollit, Rusia kërkoi që çdo garanci sigurie të përfshinte edhe pjesëmarrjen e saj, duke i dhënë Moskës veto mbi të ardhmen e Ukrainës. E njëjta kërkesë u përsërit nga Kremlini edhe pas Samitit të Alaskës dhe të Uashingtonit. Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, në një deklaratë nënvizoi se Moska nuk do të pajtohet me garancitë kolektive të sigurisë të negociuara pa pjesëmarrjen e saj.
Kërkesa e tretë e Kremlinit lidhet me çarmatimin e Ukrainës. Rusia kërkon reduktim të ndjeshëm të forcave të armatosura ukrainase, në mënyrë që në të ardhmen Ukraina të mos paraqesë kërcënim potencial. Kjo kërkesë praktikisht do ta linte Ukrainën pa aftësi reale për mbrojtje dhe do ta bënte të varur nga vullneti i Kremlinit. Rusia nuk i konsideron këto thjesht pika negociuese, por shtylla të strategjisë nacionale.
Kërkesat e Ukrainës dhe vendeve europiane
Ukraina dhe partnerët e saj europianë mbajnë një qëndrim po aq të palëkundur në kërkesat e tyre. Presidenti Zelensky në disa raste është shprehur se Ukraina nuk ka territore për t’i dhënë Rusisë. Kievi zyrtar kërkon rikthimin e integritetit territorial brenda kufijve të vitit 1991.
Përveç kësaj, edhe opinioni publik ukrainas është pothuajse unanim kundër ndonjë marrëveshjeje që përfshin ndarjen e territorit. Një sondazh i realizuar nga Instituti Ndërkombëtar i Sociologjisë në Kiev tregon se mbi gjysma e qytetarëve ukrainas nuk do të pranonin asnjë zgjidhje që i jep territor Rusisë.
Përtej integritetit territorial, Ukraina insiston me këmbëngulje për garanci të forta sigurie dhe konkrete, të cilat mund të përfshijnë edhe prani të trupave europianë në territorin e saj. Sipas Zelenzky-t, garancitë e sigurisë duhet të definohen para ndonjë takimi eventual që ai mund të ketë me presidentin Putin.
Ky është një reagim racional nga ana e Ukrainës dhe vjen si pasojë e zhgënjimit të thellë që ky vend ka nga Memorandumi i Budapestit i vitit 1994, kur Ukraina hoqi dorë nga arsenali bërthamor që kishte trashëguar nga shpërbërja e ish-Bashkimit Sovjetik në këmbim të garancive të sigurisë të ofruara nga SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Rusia. Këto garanci më pas u shkelën nga vetë Rusia, ndërsa vendet perëndimore dështuan t’i vihen në ndihmë.
Kërkesa e tretë e Kievit lidhet me mbështetjen e mëtejshme ushtarake nga Perëndimi për të forcuar aftësinë e vet mbrojtëse në rrafshin afatgjatë. Në përputhje me këtë, Ukraina tashmë ka marrë mbështetje nga NATO-ja, e cila ka miratuar plane shumëvjeçare për trajnimin dhe furnizimin e ushtrisë ukrainase. Specifikisht, në Samitin e Vilnius, të mbajtur në vitin 2023, NATO-ja miratoi një program asistence shumëvjeçare për Ukrainën, ku përfshihen ndihma në armatime, trajnime dhe koordinim të furnizimeve afatgjata.
Një hendek vështirë i kapërcyeshëm
Nga analiza e kërkesave, si të Rusisë, ashtu edhe të Ukrainës, bëhet e qartë se në tri çështjet themelore palët jo vetëm që janë larg njëra-tjetrës, por mbajnë pozicione diametralisht të kundërta.
Në njërën anë, Rusia kërkon njohjen e territoreve të pushtuara, një Ukrainë neutrale dhe çarmatosjen e saj. Në anën tjetër, Ukraina dhe partnerët europianë, përkundrazi, mbeten të vendosur për rikthimin e integritetit territorial, insistojnë me këmbëngulje për garanci të forta sigurie, si dhe mbështesin ruajtjen e një ushtrie të aftë që garanton mbrojtjen e vendit.
Për pasojë, gjasat janë minimale që të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme paqeje këtë vit. Në këto rrethana, zhvillimet në fushëbetejë mbesin determinuese për çdo zhvillim të ardhshëm diplomatik. Megjithatë, nuk duhet mënjanuar ndonjë skenar ekstrem të puçit politik në Rusi, apo trazirave sociale të shkaktuara nga një ekonomi fragjile dhe humbjet e mëdha në fushëbetejë – financiare dhe njerëzore.




























































