Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

Shmangia e rrezikut në Kosjeric dhe Zajecar: çfarë nënkupton për protestuesit në Serbi fitorja e Pirros e Vuçiqit?

Ilustrimi nga BigEye.

Më 8 qershor u mbajtën zgjedhjet lokale në Kosjeric dhe Zajecar të Serbisë. Zakonisht, gjatë cikleve zgjedhore, këto qytete të vogla nuk marrin shumë vëmendje, por këtë herë ishte ndryshe. Këto zgjedhje u panë si referendum për popullaritetin e Qeverisë së Serbisë. 

Këto ishin zgjedhjet e para të rregullta pas shembjes së mbulesës në Stacionin Qendror Hekurudhor të Novi Sadit, incident që shkaktoi protesta disamujore të udhëhequra nga studentët dhe që tronditi udhëheqjen politike të presidentit Vuçiq dhe partisë në pushtet, Partisë Përparimtare Serbe (SNS). 

Sidoqoftë, Vuçiqi edhe një herë shfaqi qëndrueshmërinë e tij politike. Ndonëse popullariteti për SNS-në ka rënë, kjo parti fitoi ngushtë në të dy qytetet. Simbolikisht, kjo fitore ishte kruciale për Vuçiqin dhe mund të thuhet se i nevojitej për të treguar se mbështetja publike për të nuk ishte shteruar tërësisht. 

Para këtyre zgjedhjeve, protestuesit kishin kërkuar për disa muaj zgjedhje të parakohshme parlamentare. Megjithatë, Vuçiqi u kishte bërë ballë thirrjeve, duke këmbëngulur se qeveria aktuale akoma gëzon si mbështetje parlamentare, ashtu edhe legjitimitet demokratik.  

Me gjithë fitoret në të dyja komunat, kriza politike që po vazhdon, e nxitur nga protestat e studentëve, ka nisur të lërë shenja. SNS-ja, që dikur ishte dominuese dhe e sigurt në udhëheqjen e fushatave zgjedhore, tani po përpiqet t’i shmangë ato. Megjithëkëtë, do të vijë koha kur do t’i duhet të përballet me zgjedhjet e rregullta, e mbetet të shihet nëse do t’ia dalë t’i shmanget edhe asaj pengese.      

Fitore e Pirros për Qeverinë e Serbisë?

Zgjedhjet në Kosjeric dhe Zajecar tërhoqën vëmendje të madhe dhe u monitoruan nga afër nga qytetarët, mediat, OJQ-të dhe partitë politike. Marrë parasysh atmosferën e tensionuar politike dhe rritjen e pritshmërive për rrëzimin e SNS-së, të gjithë hisedarët ishin shumë të angazhuar. 

Në Kosjeric, opozita ishte bashkuar në një listë të quajtur “Ujedinjeni” (Të Bashkuar). Kjo listë përfshinte të gjitha partitë opozitare, iniciativat qytetare dhe studentët. Në Zajecar, opozita garoi me dy lista. 

Raportohet se partia në pushtet mobilizoi të gjitha burimet në dispozicion, përfshirë pretendimet për keqpërdorim të asistencës sociale, shpërndarjen e pajisjeve shtëpiake në këmbim të votave dhe blerjen e votave. Disa qytetarë pretenduan se kanë pranuar midis 4,000 dhe 6,000 dinarë (40-50 €) për ta votuar SNS-në, ndërsa raporte të pakonfirmuara flasin për shifra të larta deri në 50,000 dinarë (430 €). 

Sipas misionit vëzhgues të CRTA-së, dita e zgjedhjeve ishte plot parregullsi. Për më shumë, në 19% të vendvotimeve u regjistruan parregullsi serioze, duke ndikuar dhe shtrembëruar rezultatet. Dita e zgjedhjeve, më 8 qershor, shënoi pjesëmarrje rekorde në votime, me përqindjet që shkojnë deri në 84% në Kosjeric, kurse deri në 63% në Zajecar. Kjo pjesëmarrje e lartë, sidomos në Kosjecar, i rriti shpresat për fitore të opozitës. Megjithatë, kur u numëruan votat, SNS-ja doli fituese në të dyja qytetet. 

Në Kosjeric, margjina e fitores së partisë në pushtet ishte jashtëzakonisht e ngushtë, vetëm 50 vota apo gjithsej 49.23%. Krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2021, kur SNS-ja siguroi 69% të votave, rezultatet e vitit 2025 pasqyrojnë rënie të ndjeshme të popullaritetit të kësaj partie. 

Për më shumë, Gjykata e Lartë, pas një ankese, anuloi rezultatet në një vendvotim në Kosjeric dhe urdhëroi përsëritjen e votimit. Marrë parasysh që diferenca midis SNS-së dhe opozitës (Të Bashkuar) është vetëm 50 vota, kjo u jep këtyre të fundit një mundësi reale për ta rrëzuar SNS-në nga pushteti. 

Cilat janë përfundimet kryesore? 

Edhe pse SNS-ja i fitoi zgjedhjet, shtrohet pyetja: me çfarë çmimi? Partia mobilizoi të gjitha burimet që i kishte në dispozicion, përfshirë presionin te votuesit, blerjen e votave dhe parregullsitë në ditën e zgjedhjeve. 

Përsëritja e këtyre veprimeve në zgjedhjet e përgjithshme do të jetë shumë më e vështirë, për shkak të shkallës së burimeve të nevojshme dhe mbikëqyrjes ndërkombëtare. Më e rëndësishmja, SNS-ja ballafaqohet me një sfidë më të thellë: rënien e vazhdueshme të mbështetjes pas më shumë se një dekade në pushtet. 

Në këtë kontekst, zgjedhjet në Kosjeric dhe Zajecar japin disa përfundime të rëndësishme: 

Përfundimi i parë kyç është se popullariteti i SNS-së po dobësohet qartësisht. Edhe pse opozita nuk fitoi, ajo ia doli ta dyfishojë numrin e votave edhe në Kosjeric, edhe në Zajecar, rezultat që mund të konsiderohet i rëndësishëm dhe inkurajues. 

Përfundimi i dytë, këto zgjedhje shënuan bashkëpunimin e parë të suksesshëm midis studentëve, partive opozitare dhe lëvizjeve qytetare në një përpjekje të koordinuar. Mobilizimi i përbashkët i tyre shfaqi potencialin e veprimeve të unifikuara për ta sfiduar dominimin e partisë në pushtet. 

Përfundimi i tretë, opozita duhet të jetë më vigjilente dhe e përgatitur më mirë për t’i zbuluar parregullsitë zgjedhore dhe korrupsionin në ciklet e ardhshme zgjedhore, sidomos kur pritet që zgjedhjet e tjera të mbahen në vitin 2027. 

Përfundimi i katërt, humbja në Kosjeric dhe Zajecar nuk e ka dekurajuar apo dobësuar protestën. Përkundrazi, për datën 28 qershor është njoftuar se do të mbahet një tjetër protestë e madhe. Nëse ajo mbledh aq shumë njerëz sa protesta e kaluar në mars, ajo do të shfaqë fuqinë e lëvizjes studentore dhe do të paraqesë sfida të mëtejme për Vuçiqin. 

Në fund, kjo mund të shënjojë fillimin e konsolidimit më të gjerë të opozitës në Serbi, diçka që në masë të madhe ka munguar viteve të fundit. Bashkimi i këtillë, jo vetëm që është premtues, por gjithashtu është parakusht i domosdoshëm për ndryshim të regjimit në të ardhmen. 

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.