Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

Studentët serbë insistojnë në kërkesat e tyre, përderisa regjimi i Vuçiqit lëkundet

Ilustrimi nga BigEye.

Gjithandej Serbisë po vazhdojnë protestat e udhëhequra nga studentët, që filluan më 22 nëntor 2024. Protestat u nxitën pas sulmit mbi studentët e Fakultetit të Arteve Dramatike gjatë 15 minutave të heshtjes në nderim të 15 njerëzve që, më 1 nëntor 2024, humbën jetën nga rënia e mbulesës së betonit në stacionin e trenit, të rindërtuar rishtazi në Novi Sad. 

Stacioni i trenit, që ishte rindërtuar nga konzorciumi kinez CRIC & CCCC, si projekt multimilionësh i financuar nga shteti, ishte rihapur pa dokumentacionin e duhur që garantonte për sigurinë e përdorimit të tij. 

Studentët po kërkojnë llogari për tragjedinë në Novi Sad dhe për sulmin ndaj studentëve. Ata po bëjnë thirrje për publikimin e plotë të të gjitha dokumenteve që lidhen me rindërtimin e stacionit, ndjekjen penale të sulmuesve të studentëve, pushimin e akuzave kriminale kundër studentëve të arrestuar gjatë protestave dhe rritje prej 20% të buxhetit të shtetit për arsimin e lartë. 

Si kundërpërgjigje, Qeveria e Serbisë tentoi t’i diskreditonte protestat duke fajësuar ndërhyrjen e jashtme, veçanërisht nga Kroacia dhe Perëndimi. Kur kjo s’kreu punë, ata u përpoqën ta manipulojnë ngjarjen me oferta elektorale dhe dorëheqje të rreme, si dhe Vuçiqi shfaqi ndjeshmëri për “shumicën e studentëve që duan t’i ndjekin ligjëratat, por po maltretohen nga pakica”.  

Madje, Qeveria iu drejtua drejtpërdrejt studentëve duke ofruar hua të përshtatshme për të rinjtë. Por, çdoherë, diskursi zbutej paksa kundrejt lëvizjes së fuqishme popullore që rritej. Përkundër konsistencës së dhunës së organizuar, u bë e qartë se ata ishin të ngujuar.  

Dy javët e kaluara prodhuan përditë ndryshime tektonike. Më 27 janar, studentët e bllokuan për 24 orë urën e rëndësishme të Beogradit – Urën e Autokomandës. Mëngjesin e së nesërmes, në Novi Sad u sulmuan katër studentë nga militantët e Partisë Progresiste Serbe (SNS). Pak orë më vonë, dhanë dorëheqje kryeministri Millosh Vuçeviq dhe kryetari i Novi Sadit, Millan Gjuriq. 

Më 30 janar, studentët nga Beogradi nisën një marsh historik dyditor drejt Novi Sadit. Ditën kur mbërritën, ata u nominuan zyrtarisht për Çmimin Nobel për Paqe. Ata u bashkuan me kolegët e tyre dhe qytetarët në bllokimin e tri urave kryesore të qytetit, në aksionin e quajtur “1.2. në 3 ura”, në përkujtim të saktësisht tre muajve që nga rënia e mbulesës. Dhjetëra-mijëra qytetarë u bashkëngjitën në bllokada, pas së cilave shumë prej tyre bënë kamp jashtë dhe, të nesërmen, e pastruan njërin nga sheshet kryesore të qytetit.   

Teksa protestat duket se ngadalë po i përmbushin qëllimet e veta dhe po e dobësojnë udhëheqësinë e SNS-së, ndikimi i tyre do të vazhdojë. Protestat studentore sollën shpresë të vërtetë dhe e mobilizuan publikun, për shkak të qëndrimeve të tyre të sinqerta dhe të vendosura në trajtimin e problemeve kryesore me të cilat ballafaqohen qytetarët. Kjo është e para lëvizje që vepron kështu, sepse opozita dhe shoqëria civile në Serbi kanë dështuar. Opozita gjithmonë u është qasur me ndrojtje temave të nxehta, kurse organizatat e shoqërisë civile mbesin të kufizuara në fushën e politikës së lartë dhe konflikteve të ngrira. 

Zyrtarët e lartë të SNS-së nuk dinë si të përballen me studentët. Këto janë protesta pa udhëheqës dhe të distancuara nga të gjitha organizatat e shoqërisë civile dhe partitë politike që po i komentojnë veprimet e tyre. Megjithëkëtë, ata e kanë mirëpritur secilin që mbështet angazhimin e tyre, duke theksuar se veprojnë në mënyrë të pavarur. Më e rëndësishmja, kërkesat e tyre nuk kanë të bëjnë me qëllime të ngushta politike, por janë të dizajnuara mençur për t’i targetuar rrënjët e korrupsionit sistemik. Dhe studentët nuk po lëkunden në qëndrimet e tyre, siç po lëkundet regjimi i Vuçiqit.  

Ndikimi është ndier edhe jashtë kufijve. Studentët serbë kanë ngjallur keqardhje në Kroacinë fqinje, me studentët e universiteteve nga Zagrebi në Rijekë që u janë bashkangjitur kolegëve të tyre serbë në shenjë solidariteti. Qytetarët kroatë, të udhëhequr nga studentët, organizuan tubime në pesë qytete, me mesazh të qartë: “Një botë, një betejë”. Studentët boshnjakë, jo vetëm që nderuan viktimat në Novi Sad, por u ndien të inkurajuar për të kërkuar përgjegjësi nga zyrtarët e tyre për përgjigjen e ftohtë ndaj përmbytjeve që e kapluan vendin dhe shkaktuan 19 viktima, më 4 tetor në Jabllanicë.  

Universiteti i Lubljanës zyrtarisht shprehu mbështetje për kërkesat e studentëve dhe dënoi dhunën kundër tyre. Studentët serbë vepruan reciprokisht, duke nderuar viktimat e ngjarjeve tronditëse që ndodhën në Zagreb (Kroaci) dhe Cetinje (Mal të Zi), si dhe duke përdorur platformat e tyre për t’i lidhur fqinjët në kohë dhimbjesh. 

Protestat dhe bojkotet në Serbi kanë evoluar në një lëvizje që kërkon shoqëri të drejtë me institucione shtetërore llogaridhënëse dhe kompensim për korrupsionin dhe shkatërrimin e shkaktuar nga SNS-ja. 

Një lëvizje kjo ku profesorët universitarë qëndruan përkrah studentëve të tyre dhe u dhanë mbështetje pa kushte. Nuk janë vetëm këta që i mbështetën studentët. Unioni i Arkitektëve i Serbisë theksoi publikisht manipulimet e zyrtarëve të lartë lidhur me dokumentet e stacionit të trenit. Asociacioni i Avokatëve i Serbisë pezulloi aktivitetin për 30 ditë, pas bojkotit tetëditor.   

Për më shumë, 28 organizata të shoqërisë civile ndaluan bashkëpunimin me Qeverinë. Nga mesi i janarit, 68% e shkollave të mesme ndoqën modelin e studentëve universitarë, duke organizuar bllokadat dhe plenumet e tyre. Vendi u bllokua në plotni. 

Teksa qytetarët serbë po e rikthejnë të drejtën për ta formësuar të ardhmen e vendit të tyre, lëvizja studentore është bërë simbol i besimit dhe veprimit kolektiv. Duke qëndruar të vendosur kundër presionit qeveritar, studentët kanë nxitur një shtytje të fuqishme për drejtësi dhe llogaridhënie. Protestat e tyre kanë shkundur udhëheqësinë dhe kanë inspiruar solidaritetin rajonal, duke lënë ndikim të qëndrueshëm në luftën e Serbisë për ndryshim.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.