Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Të kuptuarit e medias dhe informacionit

Ilustrimi: Big Eye

Të kuptuarit e medias dhe informacionit

Nuk ka ditë që nuk dëgjoj ankesa për median. Herë për cilësinë e dobët të raportimit, herë për informatat e pjesshme që plasohen aty, e herë herë edhe ankesa sa i përket agjendës, pra përcaktimit të asaj që duhet të raportohet. Shumica e ankesave, megjithatë, kanë të bëjnë me median e re, median online. Aq shumë përqeshen sot mediat online, në të shumtën e rasteve edhe me të drejtë, sa që kam përshtypjen se kolektivisht jemi duke e demonizuar platformën e së ardhmes, internetin. Madje, shumë kolegë të mi nga bota e kërkimeve dhe e sferës publike janë ata që më se shumti ankohen për ‘degradimin’ e gazetarisë klasike nga gazetaria e internetit. Pa elaborime më të thella, fjalitë e tilla po e krijojnë një diskurs mosbesimi ndaj medias, në përgjithësi.

Të thuash sot kam lexuar diçka në media vlen njëjtë sikur të thuash kam lexuar diçka në internet. E të lexuarit në internet, sado që tingëllon zbavitëse si referencë kur e dëgjojmë nga ndonjë i moshuar që mezi operon me telefon a kompjuter, nuk nënkupton kurrfarë reference.

Me vetë zhvillimin e teknologjisë, profesioni i gazetarisë ka ndryshuar dukshëm. Dhe këtu nuk e kam fjalën veç për gazetarinë qytetare, rrjetet sociale apo bllogjet, por edhe për vetë median që dikur konsiderohej klasike. Edhe New York Times dhe Washington Post, apo Guardian dhe Independent, kanë ndryshuar. Jo pse kanë hequr dorë nga klasikja që në gazetari nënkuptohet si domosdoshmërisht e mirë, por se kanë ndryshuar vetë shoqëritë njerëzore si dhe mënyra si e përdorim median dhe informacionin.

Por si ta lexojmë median sot? Si ta kuptojmë informacionin e plasuar? Si ta përdorim atë, qoftë në përditshmërinë tonë funksionale, qoftë për të mësuar diçka? Përgjigja mbetet e njëjtë sikur në kohët e gazetarisë klasike që morri formë përgjatë gjithë shekullit XX, veçse natyrisht, me një kujdes të shtuar. Dhe kjo përgjigje ka të bëjë me edukimin për median dhe informacionin.

Njëjtë si media, edhe edukimi ka evoluuar krahas zhvillimit teknologjik. Dikur nuk nevojitej shumë edukim apo arsimim për të naviguar nëpër lajme e informata. Gazetat shquheshin për reputacionin e tyre që formësohej nga cilësia e raportimit dhe kredibiliteti editorial, ndërsa mesazhet ishin të qarta e të kuptueshme për të gjithë. Radiot dhe televizionet u renditën nëpër të njëjtat gjurmë. Dhe pavarësisht zhvillimit të teknologjisë radiodifuzive, gjërat nuk është se ndryshuan shumë. Një informatë nga një publikim jo fort kredibil duhej marrë me rezervë, gjë që nuk vlente për median me reputacion më të mirë.

Zhvillimi i teknologjisë së informacionit këto dy dekada, megjithatë, është ndjekur proporcionalisht nga zhvillimi i medias, ndërsa është krijuar përshtypja se trajtektoret për të vlerësuar dhe gjykuar informacionin, pra edukimi për median, ka mbetur i njëjti. Sot, megjithatë, është vështirë të bazohet vlerësimi dhe gjykimi i informacionit veç në bazë të adresës së publikuesit. Sot edukimi për median nënkupton një edukim që mbase veç profesionistët e medias e kishin dikur: edukim për të kuptuar mënyrën e ushtrimit të profesionit të gazetarisë, të natyrës dhe kredibilitetit të burimeve që gazetarët përdorin, shumëllojshmërinë e këtyre burimeve si dhe gjithë procesin e plasimit të informacionit, aftësinë për ta kuptuar dhe interpretuar atë informacion dhe për ta shfrytëzuar të njëjtin në një proces të përjetshëm të mësimit.

Për këto arsye, UNESCO, si një nga organizatat lidere në fushën e arsimimit, është duke e zhvilluar një koncept të ri të politikave publike që ka të bëjë pikërisht me edukimin për median dhe informacionin, apo në gjuhën angleze Media and Information Literacy (MIL). Në pamundësi për ta përkthyer në shqip fjalën ‘literacy’, që në përditshmëri nënkupton shkrim-leximin, fjala edukim i përshtatet më së miri konceptit. Në gjuhët tjera, p.sh., francezët e përkthejnë si edukim për median dhe informacionin, kurse gjermanët si kompetencë e medias, megjithatë koncepti mbetet i njëjtë. Sipas UNESCO-s, koncepti nënkupton kompetencat qenësore, pra njohuritë, aftësitë dhe sjelljet adekuate, që u mundësojnë qytetarëve të lexojnë, kuptojnë, interpretojnë dhe vënë në funksion informacionin në mënyrë etike dhe efektive, për të zhvilluar mendim kritik, aftësi për mësuar gjatë gjithë jetës dhe për të qenë aktiv në shoqëri.

Ideja prapa zhvillimit të konceptit është që shoqëritë, pra shtetet si organizime të shoqërive, të ndërmarrin nisma të politikave publike që do të gërshetonin politikat arsimore, ato të medias si dhe të teknologjisë, drejt sigurimit se qytetarët mund të marrin një shkathtësi e njohuri të tillë.

Këto ditë, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në partneritet me UNESCO-n, është duke e kryer një kërkim bazë që pritet t’i identifikojë pikat kyçe në sferën e politikave publike përmes së cilave një politikë gjithëpërfshirëse e edukimit për median dhe informacionin do të mund të zhvillohej në Kosovë. Pas konsultimeve me vepruesit tjerë shoqërorë që veprojnë në sferën e medias dhe teknologjisë, kërkimi në fjalë pritet të zhvillohet në një studim konkret që do të sugjeronte hapat se si mund të intervenohet në sferën e politikave publike në mënyrë që shoqëria të sigurohet se qytetarët e saj do të kenë mundësi të marrin edukimin e duhur mbi median. Andaj, nuk ka kohë më të mirë, jo veç për profesionistët e medias por edhe për publikun e gjerë, që të diskutohet se si mund ta arrijmë këtë. Duhet debatuar, sidomos, se si ta bëjmë edukimin mbi median dhe informacionin proces të qëndrueshëm shoqëror, duke përfshirë këtu edukimin formal por edhe atë joformal.

Përmes një diskutimi të tillë do të mund t’i bashkëdyzojmë qëllimet e politikave të arsimit dhe ato të teknolgjisë dhe medias në mënyrë qe të sigurohemi ta aplikojmë një politikë gjithëpërfshirëse për edukimin mbi median dhe informacionin, sipas udhëzimeve të UNESCO-s. Kësisoj, në mos gjë tjetër, do të mund ta përshpejtonim kalimin nga kjo amulli në të cilën gjendet media dhe sfera publike e Kosovës. Do të mund të siguroheshim që të paktën gjeneratat e ardhshme do të dinë si t’i lexojnë dhe t’i kuptojnë mediat, ose, thënë troç, do ta dinë dallimin mes ‘një shkrimi në internet’ dhe një shkrimi gazetaresk me disa burime mirë të cituara, i cili po ashtu do të jetë i botuar në internet.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.