Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

Zgjedhjet lokale në Serbi: tjetër fitore e Pirros për Vuçiqin dhe SNS-në

Ilustrimi nga Ngadhnjim Halilaj.

Pas ruajtjes së pushtetit më 2025 në dy komuna (Zajeçar dhe Kosjeriq), zgjedhjet e reja në dhjetë njësi vetëqeverisëse, të mbajtura më 29 mars 2025, paraqitën një test të ri për Partinë Progresiste Serbe (SNS), por gjithashtu edhe për lëvizjen studentore, e cila këtë herë vendosi të ndryshonte strategji.

Për t’i shtuar përpjekjet e tyre dhe për ta sfiduar regjimin e SNS-së, studentët vendosën të garojnë në zgjedhje nën listën ”Studentët në Bllokadë”, ose nëpërmjet grupeve të ndryshme të të rinjve dhe qytetarëve me mbështetje zyrtare nga “Studentët në Bllokadë”, duke u transformuar nga protestat në rrugë dhe aktivizmi te pjesëmarrja aktive politike.

Ndryshe nga partitë politike tradicionale, ato e bazuan strategjinë e tyre në nivelin bazë, duke zhvilluar fushata derë më derë në zonat rurale, nën iniciativën “Bisedo me një student”, si dhe paraprakisht duke mbledhur nënshkrime mbështetëse nga qytetarët.

Në anën tjetër, për SNS-në, këto zgjedhje ishin luftë për mbijetesë dhe kjo parti, siç edhe pritej, shfrytëzoi çdo mjet që kishte në dispozicion. Fushata u shënua me raportime për intimidim, presion mbi votuesit, blerje të votës, përfshirje të zyrtarëve shtetërorë, si dhe disa incidente të dhunës.

Rezultatet preliminare tregojnë se lëvizja studentore nuk ia doli të fitojë në ndonjërën nga 10 komunat. Megjithatë, këto zgjedhje tregojnë për një peizazh politik që po ndryshon, me studentët që po shfaqen si forcë në ngritje dhe SNS-në që po përjeton një rënie graduale të mbështetjes.

SNS-ja vazhdon trendin e rënies në vota

Ndonëse SNS-ja ia doli të fitojë në të dhjetë komunat, rezultatet tregojnë për rënie të mbështetjes. Përqindja e votave për SNS-në u ul në tetë nga dhjetë komunat.

Rënia më e madhe u vërejt në Knjazevaq, ku mbështetja pësoi rreth 20% rënie krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

Për shembull, në Arandjelovaq, Bor dhe Kula, SNS-ja siguroi vetëm një fitore të ngushtë, duke treguar më tej një erozion të bazës elektorale:

Arandjelovaq, koalicioni i udhëhequr nga SNS-ja fitoi 50.12%, teksa Studentët për Arandjelovaqin siguruan 46.08%. Studentët do t’i kenë 20 ulëse, krahasuar me 21 të SNS-së dhe partnerëve të saj, duke i bërë ata grupin më të fuqishëm si të vetëm politik në asamblenë lokale.

Bor, koalicioni i udhëhequr nga SNS-ja fitoi 48.08%, teksa lista opozitare e mbështetur nga studentët siguroi 39.76%. Përveç kësaj, në Kula, diferenca ishte nën 2% (rreth 400 vota), me 49.49% për SNS-në dhe 47.5% për opozitën.

Duhet thënë se këto janë komuna më të vogla dhe më periferike që tradicionalisht kanë anuar kah SNS-ja, ku partitë në pushtet më parë fitonin mes 60% dhe 80% të votave.

Sipas Qendrës për Hulumtim, Transparencë dhe Llogaridhënie (CRTA), mjedisi i fushatës elektorale ishte shumë i polarizuar dhe u karakterizua me tensione në rritje.

Vëzhguesit, aktivistët dhe gazetarët u sulmuan nga persona të armatosur, teksa votimi masiv, blerja e votës, dhuna afër qendrave të votimit dhe listat paralele të votuesve, i kontribuuan vlerësimit se zgjedhjet nuk ishin të drejta.

CRTA-ja gjithashtu vuri në pah dobësi sistemike në administrimin e zgjedhjeve, ngriti dyshime për autenticitetin e listës së votuesve, përfshirë “listat e rreme” që supozohej se kishin qëllim t’i hutonin votuesit e opozitës, si dhe theksoi dominimin e autoriteteve, keqpërdorimin e burimeve publike, dështimin e institucioneve, përfshirë policinë dhe komisionin zgjedhor për të reaguar ndaj parregullësive dhe veprimtarisë kriminale.

Teknikisht, zgjedhjet ishin të lira, por aspak të drejta. Marrë parasysh kontrollin e fortë të Qeverisë, propagandën dhe taktikat e intimidimit, rezultatet e lëvizjes së studentëve janë më shumë sesa të respektueshme.

Lëvizja studentore kalon në një nivel më të lartë

Duket se lëvizja studentore ka konsoliduar mbështetjen politike për të, duke qenë afër të bëhet një akter i rëndësishëm politik, me një shpërndarje të votave prej 30% deri në 50% në komunat ku u mbajtën zgjedhjet.

Ndonëse një matje e opinionit publik, publikuar në mars, para zgjedhjeve, e radhiti “Listën Studentët në Bllokadë” rreth 24% në nivel nacional, ata ia dolën ta rrisin mbështetjen e tyre dhe të arrijnë rezultate të fuqishme në zgjedhjet lokale.

Këto rezultate tregojnë se lëvizja studentore po shfaqet si një alternativë kredibile ndaj një qeverie përherë e më autoritare dhe i ofron Serbisë një rrugë të mundshme për kthim në qeverisjen demokratike.

Ndonëse SNS-ja dhe Vuçiqi u shfaqën fitues, kjo ishte, sikur në zgjedhjet lokale më 2025, një fitore e Pirros, që tregon qartë trendin e rënies për partinë në pushtet që nuk mund të injorohet më.

Njëkohësisht, lëvizja studentore i ka bërë zgjedhjet në Serbi më konkurruese, një dinamikë që s’është parë prej vitesh, teksa brenda udhëheqësisë së partisë në pushtet po vazhdon të rritet shqetësimi për zgjedhjet e mundshme të përgjithshme.

Zgjedhjet lokale të mbajtura më 29 mars 2026 konfirmuan një realitet të dyfishtë në Serbi. SNS-ja e ruajti pushtetin në të dhjetë komunat, por me rënie të votës dhe margjina më të ngushta. Ndërkohë, lëvizja studentore u shfaq si një akter politik kredibil dhe konkurrues, duke arritur rezultate të fuqishme në një mjedis zgjedhor të pabarabartë.

Shikuar së bashku me ato të vitit 2025, rezultatet tregojnë një skenë politike përherë e më konkurruese, me SNS-në që po e mban pushtetin përmes fitoreve të Pirros, teksa opozita po vazhdon të forcohet.

Mbetet e pasigurt se sa gjatë mund të vazhdojë kjo trajektore, por modelet e zgjedhjeve të vitit 2025 dhe 2026 tregojnë se dominimi i partisë në pushtet po dobësohet gradualisht.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.