Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

“Të shkosh a të mos shkosh” (jashtë vendit) – kjo është pyetja (për kryeministrin)

Vizitat e liderëve jashtë vendit përdoren për të përçuar mesazhe, forcuar aleanca dhe për ta thelluar bashkëpunimin bilateral dhe multilateral mes shteteve.

Vizitat jashtë vendit karakterizohen me precizitet protokollar dhe ofrojnë një mundësi unike për ta vlerësuar substancën e marrëdhënieve mes shteteve, duke filluar nga pesha që i jepet vizitës e deri te niveli i takimeve që shteti pritës i akordon liderit të huaj.

Pas kritikave të shumta për mungesë takimesh dhe vizitash zyrtare, kryeministri Albin Kurti filloi turneun e tij të parë ndërkombëtar me 4 maj. Kurti kaloi disa javë jashtë vendit dhe zhvilloi vizita në shtete të ndryshme.

Mirëpo, vizitat e tij u karakterizuan me dy veçori kryesore: vizitat ishin të gjata dhe të varfra nga niveli i takimeve. Në shumicën e rasteve, Kurti nuk u prit nga homologët e tij apo nga zëvendësit e tyre. Performanca më e dobët padyshim mund të konsiderohet vizita e tij dyjavore në ShBA.

Dallimi mes vizitave shtetërore, zyrtare, të punës dhe private

Ligjet në fuqi, përkatësisht Ligji për Protokollin e Shtetit, vizitat e liderëve jashtë vendit i ndajnë në vizita shtetërore, vizita zyrtare, vizita të punës, dhe vizita kurtuazie/private.

Vizitat shtetërore rezervohen për kreun e shtetit (që në rastin e Kosovës është presidenti) dhe bëhen me ftesë nga homologu i tij/saj. Megjithatë, nuk nënkuptohet që çdo vizitë e presidentit jashtë vendit është vizitë shtetërore. Mund të jetë edhe njëra nga vizitat e tjera të përmendura më sipër.

Ndërsa vizitat e liderëve të tjerë institucionalë (kryeparlamentarit, kryeministrit dhe ministrave) mund të jenë çfarëdo lloj tjetër i vizitës, por jo vizita shtetërore.

Vizitat shtetërore karakterizohen me protokoll më rigoroz: pritje me nderime ushtarake, takime të nivelit të lartë, pritje ceremoniale, drekë dhe darkë gala.

Ndërsa, vizitat zyrtare dhe ato të punës janë më pak formale dhe rëndom më të shkurtra. Ato janë shpeshherë edhe më efikase dhe mund të përmbyllen të gjitha brenda ditës, për dallim nga vizitat shtetërore, të cilat rëndom zgjasin më shumë se një ditë.

Pavarësisht se sa kohë të zgjasë vizita, përgatitjet për të janë shumë të rëndësishme dhe marrin shumë kohë deri në finalizim. Gjatë kësaj periudhe të planifikimit, në ekuacion hyjnë edhe misionet diplomatike të të dyja shteteve respektive, për të siguruar nivelin më të lartë të përfaqësimit në takime.

Për të qenë e suksesshme, një vizitë zyrtare duhet të paktën ta ketë një takim zyrtar me homologun e vendit të cilin lideri e takon.

“Udhëtimet zyrtare” të kryeministrit Kurti

Më 4 maj, kryeministri udhëtoi për në Berlin dhe aty u prit nga kancelari gjerman, Olaf Scholz. Kjo në fakt është ajo që pritet nga secila vizitë e kryeministrit të Kosovës jashtë vendit: të takohet me homologët e tij.

Pas kritikave të shumta për mungesë vizitash e takimesh zyrtare jashtë vendit, pritja nga kancelari gjerman u duk si një mundësi e artë për ta përçuar mesazhin se kryeministri Kurti nuk është i izoluar ndërkombëtarisht.

Nga Gjermania, kryeministri udhëtoi drejt ShBA-së, për një vizitë e cila zgjati hiç më pak se 16 ditë. Normalisht, nga një vizitë kaq e gjatë do të pritej që niveli i takimeve të ishte tejet i lartë, nga lidershipi i Shtëpisë së Bardhë, Departamentit të Shtetit, e deri te Kongresi.

Megjithatë, nuk ndodhi ashtu. Vizita në ShBA doli të ishte më shumë një vizitë për shuarjen e kureshtjes së kryeministrit në lidhje me funksionimin e disa prej gjigantëve të teknologjisë që ndodhen në Silicon Valley, si dhe takime me një pjesë të komunitetit shqiptar atje, sesa një vizitë e mirëfilltë zyrtare.

E në rastet kur kryeministri do t’i takojë bizneset jashtë shtetit, është e nevojshme që me vete të ketë edhe përfaqësues të bizneseve kosovare. Qeveria e ka për obligim t’ua ofrojë kushtet bizneseve të bëjnë biznes, e jo të bëjë biznes për to.

Madje, këtë gjë do të mund ta bënte cilido ministër i linjës, pa qenë nevoja që vendi të funksionojë në mungesë të kryeministrit për një kohë aq të gjatë.

Nga takimet me zyrtarë të Administratës Biden, kryeministri Kurti ka arritur ta takojë vetëm këshilltarin për Siguri Kombëtare të presidentit Biden, Jake Sullivan, i cili nuk është as zyrtar i zgjedhur në ShBA, por i emëruar politik nga ana e presidentit amerikan.

Megjithatë, kryeministri Kurti nuk arriti që të takohet as me presidentin Joe Biden, e as me zëvendësen e tij, Kamala Harris. Në këtë vizitë, as sekretari i Shtetit nuk e priti në takim kryeministrin e Kosovës, por madje as emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili gjatë atyre ditëve sa Kurti po qëndronte në vizitë në ShBA, e priti në takimin ish-kryeministrin Haradinaj.

Padyshim, ky është tregues i ftohjes së marrëdhënieve të Uashingtonit me Qeverinë Kurti. Megjithatë, Kurti, gjatë vizitës në ShBA, takoi disa kongresistë amerikanë, mirëpo si kreu i ekzekutivit kosovar nga ai pritet që të zhvillojë takime me zyrtarë të ekzekutivit, e jo vetëm me ata të legjislativit.

Gjatë qëndrimit të Kurtit në ShBA, presidenti Biden ka pritur në Zyrën Ovale, kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakiszëvendëspresidentja Harris ka udhëtuar në Abu Dhabi për varrimin e presidentit të ndjerë të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Khalifa Bin Zayed Al Nahyan, ndërsa një javë pas kthimit të Kurtit, sekretari i Shtetit Blinken priti në takim zyrtar në Departamentin e Shtetit ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Problemi pra nuk ishte se në 16 ditë askush nuk ka arritur të gjejë pak kohë për kryeministrin e Kosovës. Problemi ishte që kryeministrit Kurti iu përçua një mesazh indirekt se për një arsye ose për një tjetër, Uashingtoni zyrtar ka një notë proteste, e që për rrjedhojë aktualisht nuk kanë çka të bisedojnë me të. Dhe ky fakt përbën problem serioz për Kosovën duke marrë parasysh se ShBA-ja kanë pasur një rol kyç në çlirimin, pavarësimin dhe shtetndërtimin e Kosovës.

Menjëherë pas vizitës në ShBA, pa u kthyer fare në Kosovë, Kurti u ndal në Zvicër. Edhe atje ai takoi biznese zvicerane dhe anëtarë të diasporës, por jo edhe homologun e tij zviceran. E javën e kaluar Kurti e bëri edhe një vizitë në Mbretërinë e Bashkuar, ku takoi sekretaren e Jashtme dhe ministrin për Forcat e Armatosura, si dhe mbajti një ligjëratë para studentëve në Oxford. Por, as atje nuk u prit në takim nga homologu i tij Boris Johnson.

Vizitat që Kryeministri Kurti po i zhvillon jashtë vendit janë më shumë për efekt të shuarjes së zërave kritikë. Prandaj, kur ballafaqohemi me këtë realitet, se kryeministri i vendit tonë i ka dyert e mbyllura në disa nga qeveritë më të rëndësishme në botë, padyshim dilema me të cilën ballafaqohemi është e ngjashme me dilemën me të cilën hapet tragjedia e Hamletit, por në vend të “Të jesh a të mos jesh”, në rastin tonë duhet shtruar “Të shkosh a të mos shkosh”.

Për ta ruajtur dinjitetin e vendit dhe pozitës që mban, kryeministri Kurti nuk duhet të shkojë askund sa për t’i shuar zërat kritikë, pa pasur të konfirmuar takime të nivelit të lartë me homologët e tij.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.