Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Pse duhet të gëzohemi që Shqipëria mbledh ende pak të ardhura publike?

Një ndër indikatorët që trumpetohet shpesh si dëshmi e suksesit në qeverisje është kapaciteti i mbledhjes së të ardhurave publike. Pavarësisht nëse formalisht i përkasin të djathtës apo të majtës, në Shqipëri ekonomistët janë të ngjashëm i takojnë kryesisht mentalitetit intervencionist të ekonomisë së fokusuar tek kërkesa. Për ta dhe një pjesë të mirë të opinionit publik, rritja ekonomike gjenerohet prej qeverisë dhe për rrjedhojë ata hamendësojnë se duke mbledhur më shumë të ardhura qeveritë do të kenë mundësi të bëjnë shpenzime më të mëdha publike e nëpërmjet tyre të zhvillojnë ekonominë. Ky pretendim i fundit është në vetëvete problematik e ha shumë diskutim e mospajtim ideologjik. Megjithatë thelbi ku dua të dal është se ka një lloj konsensusi dominues që e sheh si sukses të qeverisë shtimin e të ardhurave në buxhetin e shtetit në përqindje përkundrejt Produktin e Brendshëm Bruto, pa e vrarë mendjen se çfarë bëhet me këto para.

Gjatë vitit të kaluar qeveria aktuale e proklamoi si një sukses të madh faktin që do të kishte zgjerim të nivelit të të ardhurave totale publike përkundrejt viteve pararendës. Konkretisht qeveria është krenuar se këto të ardhura kanë kapur nivelin 27.8% të PBB-së nga 27.7% që ishin në vitin 2017 duke shënuar një rritje me 0.1%. Shifra jonë është ende më e ulët se e vendeve fqinje të cilat e kanë konkretisht Bosnje Hercegovina 43.3, Kroacia 46.7, Mali i Zi 42.7, Maqedonia 29.1 dhe Serbia 42.7. Mbrapa Shqipërisë është vetëm Kosova me 26.8%. Pretendimi është se shtimi i të ardhurave të shtetit do të përkthehet në më shumë financim të shpenzimev publike në infrastrukturë, arsim, shëndetësi etj. Mirëpo ajo që i shpëton debatit publik e që nuk vihet në pikëpyetje si pasojë e mentalitetit të çimentuar etatist shqiptar, është pyetja se cili është impakti tek qytetari i shtimit të taksave gjatë viteve të fundit, pra e shtimit të buxhetit të shtetit apo thënë ndryshe zmadhimi i pjesës që kafshon shteti nga Prodhimi i Brendshëm Bruto?

Me pak fjalë përpara se të gëzohemi që shteti po fut më shumë para në xhep, duhet të pyesim veten çfarë ka bërë deri tani me paratë tona që ka pasur në buxhet? Pra përpara se të gëzohemi që i ka shtuar të ardhurat që merr nga sektori produktiv privat, duhet të pyesim njëherë se çfarë është bërë me paratë e mbledhura deri më tani? E vërteta është se po të analizohen destinacionet e shpenzimeve të parave të qeverisë, del se kjo rritje nuk e justifikon veten dhe nuk përkthehet medoemos në përmirësim të jetës së qytetarit.

Kështu një ndër zërat kryesor të shpenzimeve buxhetore janë rrogat dhe pensionet të cilat ngelen të mjeruara krahasuar me vendet fqinje. Gjatë viteve të fundit nuk ka pasur ndonjë rritje domethënëse të rrogave apo pensioneve. Po ashtu nuk është se ka ndonjë investim domethënës në kompensimin e pronave apo në subvencione specifike të ndonjë sektori si bujqësia. Një ndër zërat e shpenzimeve është shlyerja e borxhit por edhe aty ne ngelemi në nivele alarmante ndër më të lartat në rajon. Nëse shikohet një shërbim i rëndësishëm ku shkojnë paratë publike, si sistemi shëndetësor, del se rezultati aty është i pakënaqshëm. Sipas indeksit të Health Consumer Powerhouse Shqiperia renditet në fund të listës së Evropës. Për arsimin është e kot të nisim të flasim sepse mjafton të shikojmë rezultatet për vitin 2018 të Programit Ndërkombëtar të Vlerësimit të Studentëve (Pisa) të organizuar nga OECD për të kuptuar që gjendemi në fund të Evropës në të tre komponentët e testit krahasues.

Në shërbimin e sigurisë, ngjarjet e fundit të kriminale, vrasjet, grabitjet lënë të kuptohet se nuk ka ndonjë përmriësim kushedi se çfarë. Nuk shihet ashtu ndonjë investim domethënës në polici ta zëmë në ndonjë sistem survejimi kamerash apo radarësh për monitorim trafiku sikurse i kanë të gjitha vendet  e zhvilluar. Policia jonë ende vendoset me radarë dore fshehur si gjuetarë për të peshkuar ndonjë kundërvajtës tinëz.  Po ashtu uniformat janë dhuratë e qeverisë turke ndërsa kur vjen fjala për armatimin situata është edhe më qesharake. Kështu në Shqipëri policia përdor ende pistoleta heroinë e Luftës së Dytë Botërore TT  (Tula Tokarev 33) të cilën  Fedor Tokarev e ka shpikur në 1931 por Bashkimi Sovjetik e ka hequr nga përdorimi e zëvendësuar si armë ordinance të institucioneve të sigurisë prej vitit 1954.  Në shërbimin kyç the të pazëvendësueshëm të shtetit, atë të drejtësisë ne sot gjendemi në një gjendje të mjeruar pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë funksionale si dhe me një kryeprokurore të përkohshme që është bërë permanente se ka një vit e gjysëm si ushtruese detyre.

Meqënëse nuk ka pasur ndonjë ndryshim cilësor në shërbimet themelore të shtetet, atëhere shpresa që ngelet është se paratë tona të administruara nga qeveria, kanë shkuar në infrastrukturë. Mirëpo edhe aty nuk është se ka ndonjë ndryshim cilësor apo arritje domethënëe gjatë viteve të fundit. Në trasnsportin rrugor Shqipëria ende ngelet e prapambetur krahasuar me fqinjët dhe përveç rrugës së Arbrit nuk po shikohet ndonjë projekt i ri i nisur viteve të fundit.  Autostradat aktuale janë disfunksionale se epërsinë në shpejtësi  e humbasin me të afruar ndaj zonave urbane ku trafiku bllokohet si në hinkë apo si në një grykë shisheje.  Për rrugë rurale as që po flitet më, mjafton të shikohet harta e Shqipërisë për të vënë re se zona të tëra të Shqipërisë Lindore nuk kanë fare rrugë të asfaltuar. Sipas Eurostat rrjeti rrugor shqiptar (pa përfshirë autostradat) është më i shkurtri në rajon, respektivisht me 3.947 kilometra në total ndërkohë që vende fqinje me sipërfaqje më të ulët se yni kanë më shumë. Konkretisht Mali i Zi ka  8.614 kilometra ndërsa Maqedonia 14.256 kilometra rrugë. Vetëm Kosova numëron më pak kilometra rrugë se Shqipëria, me vetëm 2000 në fund të vitit 2016.  Por indikatori më i dukshëm është ai i dendësisë së rrugëve ku në Shqipëri ka 137 metra rrugë për kilometër katror ndërkohë që Kosova e ka 185m për km²  , Serbi, Maqedoni apo Mali i Zi e kanë rreth 500 metra për km² ndërsa Bashkimi Evropian mesatarisht 1.1 km për km².

Në transportin hekurudhor në faktikisht mund të krahasohemi vetëm me Afrikën ose Azinë. Në vitin 2000 mesatarja e dendësisë së hekurudhave të Bashkimit Evropian ishte diku tek 48.3 kilometra hekurudhë për 1000 kilometra katrorë çka do të thotë se në Shqipëri do duhej të ishin 1388 kilometra. Mirëpo aktualisht ne kemi diku tek 447 km hekurudhë (sa gjysma e Maqedonisë së Veriut) dhe një pjesë e saj është jashtë përdorimit. Sipas shifrave të Eurostat-it, rezulton se Shqipëria ka vetëm 13.2 metra  hekurudhë për km² ndërsa Maqedonia 27.2 metra hekurudhë për km², Kosova 30m për km²,   dhe Serbia 48.6 metra për km².  Për mos të folur mandej që jemi ende të izoluar  sepse kemi lidhje me rrjetin ndërkombëtar vetëm nëpërmejt Malit të Zi e skemi lidhje me Kosovën, Maqedoninë Veriore apo Greqinë.

Të njëjtin problem hasim në transportin ajror ku aeroporti i Rinasit është një ndër më të shtrenjtët në rajon dhe një pjesë e mirë e pasagjerëve shqiptarë po detyrohen të shkojnë në Shkup apo Podgoricë për të gjetur oferta më të mira biletash. Konçesionarët nuk i kanë kryer investimet e parashikuara në kontratë dhe e kanë lënë ende një aeroport relativisht të pazhvilluar që është parakaluar në trafik prej rivalët fqinj. Portet tona ende lënë për të dëshiruar dhe në to është e pamundur ankorimi i anijeve me tonazh të rëndë çka i vë në pozitë inferiore me portet e vendeve fqinje.

Po të vazhdojmë të analizojmë të tjerë sektorë ku derdhen paratë e buxhetit, gjasat janë të njëjta që të shohim se nuk kanë sjellë ndonjë përmirësim apo ndryshim thelbësor. Kjo do të thotë që ne duhet të rehatohemi që kemi nivel të ulët të mbledhjes të të ardhurave publike përkundrejt PBB,  për sa kohë taksat e mbledhura prej nesh e që menaxhohen nga qeveria nuk po përkthehen në investime apo përmirësime të shërbimeve publike por në abuzime apo punësime partiake. Gjithashtu do të thotë, që ne duhet ta bëjmë kulturë që të fokusohemi më shumë tek mënyra se si shteti menaxhon taksat e mbledhura dhe të kërkojmë llogari e transparencë për çdo qindarkë të shpenzuar se çfarë impakti ka pasur. Në kushtet kur shtimi i të ardhurave të shtetit përkundrejt PBB-së nuk ka ndonjë impakt pozitiv tek qytetari por thjesht largon më shumë kapital nga sektori produktiv privat, atëhere ne duhet të gëzohemi që shteti ynë e ka ende të kufizuar mundësinë dhe efikasitetin për të zhvatur para nga sektori privat.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.