Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Rregullimi i pushimit të lehonisë në Kosovë

Ilustrimi nga Big Eye.

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë. Gjashtë muajt e parë  me pagesë nga punëdhënësi me kompensim prej 70% të pagës  bazë sipas kontratës, pastaj tre muaj (muajt 7-9 pas lindjes) me mbulueshmëri nga Qeveria e Kosovës me kompensim prej 50% të pagës mesatare në Kosovë dhe  po ashtu mundësinë e shfrytëzimit të tre muajve pa pagesë (muajt 10-12 pas lindjes).  Përkundër faktit që Ligji i Punës ka hyrë në fuqi për të mbrojtur të drejtat e grave lehona, i njejti ka ndikuar që  barra e rritjes së fëmijëve të porsalindur në Kosovë kryesisht të ju bie grave pasi që ligji e parasheh vetëm pushimin e lehonisë dhe nuk e rregullon lejen prindërore.

Për pasojë,  grave u është vështirësuar  balancimi i përgjegjësive profesionale dhe private dhe kanë përfunduar si të pabarabarta me burrat në tregun e punës.  Për më tepër, termi “pushim” i përdorur në ligjin aktual nuk është në përputhje me terminologjinë e përdorur nga vendet e rajonit të cilat e kanë përdor termin “leje” si më adekuat pasi që koha e dedikuar për rikuperim të gruas lehone dhe përkujdesje të foshnjës së porsalindur nuk mund të konsiderohet si pushim por leje e lehonisë dhe leje për përkujdesje ndaj foshnjës.

Sa i përket financimit, barra e kompensimit të pushimit të lehonisë u bie kryesisht punëdhënësve. Kjo gjë ka rezultuar në rritjen e stimujve nga ana e kompanive private për të diskriminuar gratë gjatë procesit të punësimit. Bazuar në hulumtimet e Insitutit Riinvest, një nga arsyet e diskriminimit në punësimin e grave është barra e lartë e kostos që punëdhënësit në sektorin privat do të duhet të marrin në rast se gratë e punësuara marrin pushimin e lehonisë gjatë kohës së punësimit.

Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë kanë raportuar për diskriminim të theksuar  ndaj grave nga sektori privat dhe për mos implementim të ligjit  aktual të punës.  Më konkretisht, punëdhënësit i  privojnë gratë nga e drejta e pushimit të lehonisë duke mos i pajisur ato me kontrata te rregullta, duke u ndërprerë kontrata e punës grave shtatzëna dhe në raste ekstreme duke mos u punësuar gratë të cilat kanë predispozita për të qenë shtatzënë ose për të mbetur shtatzënë në një të ardhme të afërt.

Si pasojë e mënyrës së rregullimit të pushimit të lehonisë dhe mungesë së rregullimit të lejes prindërore janë krijuar pabarazi në mes të burrave dhe grave në tregun e punës. Një situatë e tillë mund të ndryshohet nëse barra e kompensimit të lejes së lehonisë dhe përkujdesjes ndaj foshnjës ndahet në një mënyrë më të ekuilibruar midis sektorit publik, sektorit privat dhe familjeve. Për të arritur një qëllim të tillë, skema e propozuar rekomandohet të mbetet 12 muaj (6+3+3). Gjashtë muajt e parë  të konsiderohen si Leje e Lehonisë për nënën. Por, brenda periudhës së parë gjashtë mujore të lejes së lehonisë, babai të gëzoj të drejtën e një muaji Leje të Atësisë të paguar pas lindjes së fëmijës. Gjashtë muajt në vijim (muajt 7-12) të konsiderohen leje prindërore.

Për të inkurajuar një marrje më të barabartë të lejes nga të dy prindërit, të paktën një nga tre muajt (muajt 7-9) do të merren nga babai dhe nuk do te mund t’i transferohen nënës. Gjithashtu, gjatë tre muajve e fundit (muajt 10-12), të paktën një nga tre muajt do të merren nga babai dhe nuk do te mund t’i transferohen nënës. Në këtë mënyrë barra shpërndahet në mënyrë më të barabartë ne mes të dy prindërve dhe si rezultat mund të bie diskriminimi ndaj grave.

Gjithashtu, duhet të bëhet modifikimi i strukturës së kompensimit, duke liruar punëdhënësin jo publik nga 6 mujori i parë dhe duke ua kaluar pagesën atyre në 3 mujorin e dytë, e duke e obliguar shtetin të marrë përgjegjësi për kompensimin e lejes së lehonisë në 6 mujorin e parë.  Më konkretisht, gjashtë muajt e parë të Lejes së Lehonisë për nënën me kompensim prej 50% të pagës bazë dhe pagesa të bëhet nga Buxheti i Republikës së Kosovës. Më konkretisht, propozohet të themelohet Fondi për Sigurime Shëndetësore ose Fondi për Mbrojtje Shoqërore.

Shuma e pagës bazë e vlerësuar për kompensim nuk mund të jetë më e lartë se trefishi i pagës mesatare në Kosovë. Brenda periudhës së parë gjashtë mujore të lejes së lehonisë babi të gëzojë të drejtën e një muaj Leje të Atësisë të paguar pas lindjes së fëmijës me kompensim nga Buxheti i Republikës së Kosovës. Tre muajt në vijim (muajt 7-9) të konsiderohen leje prindërore me kompensim prej 50% te pagës sipas kontratës të cilin e paguan punëdhënësi. Tre muajt vijues (muajt 10-12) mund të merren pa pagesë. Në këtë mënyrë bëhet shpërndarja e barrës së kompensimit të lejes së lehonisë dhe lejes prindërore në mes të sektorit publik dhe atij privat dhe si rezultat mund të bie diskriminimi ndaj grave.

__________

Ky editorial është pjesë e projektit “Mbështetje në zbatimin e Agjendës Kombëtare për Fuqizimin e Grave përmes përpjekjeve të avokimit” i implementuar nga Instituti Riinvest dhe i mbështetur nga Projekti Human Rightivism i financuar nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim e Zhvillim (SIDA), zbatuar nga Fondi për Zhvillim të Komunitetit (CDF)

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.