Më 18 mars 2023, shefi i atëhershëm për Politikë të Jashtme i BE-së, Josep Borell, me entuziazëm postoi në Twitter: “Kemi marrëveshje”, duke njoftuar se Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshje për Rrugën drejt Normalizimit, që më vonë u njoh si Marrëveshja e Ohrit.
Marrëveshja e Brukselit më 2013 u pa për një kohë të gjatë si korniza kryesore për normalizim, por tani Marrëveshja e Ohrit po shihet si pika kryesore e referencës në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
Marrëveshja e Ohrit përmban 11 nene. Megjithatë, tre vjet më pas, zbatimi i tyre ka qenë, thënë më së miri, minimal, me asnjërin nga nenet të zbatuar plotësisht. Vetëm tre nga 11 nenet janë zbatuar pjesërisht nga të dyja palët, dy të tjerë vetëm nga Kosova, teksa pjesa tjeter mbesin në masë të madhe të pazbatuar.

- Marrëdhëniet e mira fqinjësore
Marrëdhëniet Kosovë-Serbi, gjatë tre vjetëve të shkuar, kanë qenë larg nga ato të fqinjësisë së mirë. Kosova e ka akuzuar Serbinë për përpjekje për aneksim të komunave veriore në mes të tensioneve të vazhdueshme, ndërsa pas takimit në shtator të 2023-tës në Bruksel, nuk ka pasur më takime të nivelit të lartë politik të të dyja palëve. Ndonëse Serbia, në dhjetor të 2023-tës, i njohu letërnjoftimet e Kosovës dhe targat e veturave, marrëdhëniet e përgjithshme mes Beogradit dhe Prishtinës mbeten të kufizuara.
- Barazia sovrane
Serbia akoma nuk e pranon barazinë sovrane të Kosovës dhe vazhdon të ketë pretendime mbi tërë territorin e saj. Ndonëse verbalisht e ka mbështetur Marrëveshjen, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më pas u shpreh me rezerva. Si rezultat i kësaj, Serbia akoma nuk e trajton Kosovën si shtet sovran dhe të barabartë. Për më shumë, në dhjetor të 2023-tës, gjatë Samitit BE-BP (Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor), kryeministrja e atëhershme, Ana Brnabiq, i dërgoi letër BE-së, duke shprehur rezerva mbi sovranitetin e Kosovës, anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara dhe njohjen de facto dhe de jure. Edhe pse përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Lajçak, deklaroi më vonë se kjo letër ishte tërhequr, duket se pozicioni i Serbisë nuk ka ndryshuar.
- Mjetet paqësore
Zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve, në kontekst të Nenit 3, mbetet e kontestueshme nën dritën e sulmeve terroriste në Banjskë dhe Ibër-Lepenc, duke rritur shpenzimet ushtarake dhe mprehjen e shpatave. Për më shumë, prania e njësive speciale të policisë në veri të Kosovës, me baza të shumta të fortifikuara policore që janë duke u ndërtuar në këtë rajon, jep mesazh të gabuar. Ndërkohë, Serbia po zhvillon ushtrime ushtarake pranë kufirit, me ushtarët që po praktikojnë sulme ajrore. Pa dyshim, ka paqe mes Kosovës dhe Serbisë, por kjo paqe është e brishtë.
- Përfaqësimi ndërkombëtar
Serbia ka vazhduar të kundërshtojë dhe bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, veçanërisht në Këshillin e Europës, në shkelje të neneve 4 dhe 5 të Marrëveshjes. Gjithashtu, ajo ka mbajtur një rezervë kyçe kundër anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara.
- Parimi i mosbllokimit për integrimin në BE
Sipas Marrëveshjes së Ohrit, Serbia nuk duhet as ta bllokojë, as t’i inkurajojë të tjerët ta bllokojnë progresin e Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së, dhe anasjelltas. Megjithatë, teksa Serbia nuk mund ta bllokojë formalisht anëtarësimin e Kosovës, ajo është kënaqur duke i parë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, duke e bllokuar kandidaturën e Kosovës që nga aplikimi i saj për anëtarësim më 2022.
- Bashkëpunimi në të ardhmen
Marrëdhëniet bilaterale janë në pikën më të ulët qëkur ka filluar dialogu për normalizim, me asnjë progres të shënuar në thellim të bashkëpunimit, sipas Nenit 6. Marrëveshja parasheh bashkëpunim të zgjeruar nëpërmjet marrëveshjeve specifike në fusha, ndër të tjera, si ekonomia, shkenca dhe teknologjia, transporti, drejtësia, telekomunikacioni, shëndetësia, kultura, si dhe mbrojtja e ambientit. Megjithatë, zhvillimi i vetëm konkret deri tani ka qenë një takim i vetëm i Komisionit për personat e zhdukur.
- Autonomia
Ky nen përcakton qartë obligimin për të ofruar një “nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit” për komunitetin serb në Kosovë, bazuar në Marrëveshjen e Brukselit dhe hartuar sipas modeleve europiane për qeverisjen e pakicave. Në praktikë, ky angazhim është i lidhur ngushtë me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, i cili mbetet i parealizuar. Progresi ka ngecur për shkak të rezistencës politike brenda Qeverisë së Kosovës.
- Misionet e përhershme
Nuk është shënuar ndonjë progres drejt themelimit të misioneve të përhershme, siç parashihet në Nenin 8. Komunikimet diplomatike vazhdojnë të kryhen nëpërmjet zyrtarëve ndërlidhës. Duhet përmendur se më 2023 dhe 2025, Qeveria e Serbisë, për herë të parë, refuzoi ta lejojë një zyrtar ndërlidhës të Kosovës ta vizitojë një shtetas të Kosovës të arrestuar në Serbi.
- Mbështetja financiare
Marrë parasysh mungesën e përgjithshme të progresit në zbatimin e Marrëveshjes, BE-ja e ka shtyrë krijimin e një pakoje të veçantë të investimeve dhe mbështetjes financiare (Neni 9). Kjo u dërgon një mesazh të fortë të dyja palëve: mospërmbushja e detyrimeve dhe lejimi i stagnimit të procesit, mbartin pasoja. Ngjashëm, Plani i Rritjes, një instrument i veçantë financiar, përfshin progresin në dialog si parakusht kyç për shpërndarje të fondeve.
- Komiteti i Përbashkët
Komiteti i Përbashkët i Monitorimit u themelua më 2023, 30 ditë pas takimit në Ohër, siç parashihet në Nenin 10. Tri palët (BE-ja, Serbia dhe Kosova) i kanë deleguar përfaqësuesit e tyre, teksa ky komitet kryesohet nga përfaqësuesi i posaçëm i BE-së. Ndonëse ky komitet u themelua, mbetet e paqartë se sa shpesh është mbledhur ky komitet dhe cilat ishin rezultatet e punës së tij. Nuk ka të dhëna të qasshme për këtë.
- Udhërrëfyesi i zbatimit (Aneksi i zbatimit)
Neni 11 përcakton se Udhërrëfyesi i Zbatimit ose Aneksi i Zbatimit është obligativ për të dyja palët. Aneksi i qartëson nenet ekzistuese dhe vendos detyrime shtesë. Zbatimi i tij është diçka më pozitiv sesa i pjesëve tjera të Marrëveshjes, edhe pse disa pika mbesin të papërmbushura.
Detyrimi më i rëndësishëm, që daton nga viti 2013, është që Kosova të fillojë negociatat për aranzhimet që sigurojnë vetëmenaxhim për komunitetin serb. Asnjë nga marrëveshjet e mëparshme në dialogun e lehtësuar nga BE-ja nuk ka pasur një zbatim kaq të dobët. Kjo ngre një pyetje të rëndësishme: A është problemi me vetë Marrëveshjen e Ohrit, lehtësimin nga BE-ja, apo thjesht një mungesë e vullnetit politik në Beograd dhe Prishtinë?




























































