Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Votën jua kërkojmë, por juve s’ju kandidojmë

Votën jua kërkojmë, por juve s’ju kandidojmë

“Në diskursin tonë të përditshëm politik jemi mësuar të dëgjojmë shpesh artikulime që fillojnë me “Ka ardhur koha…” Po! Ka ardhur koha. Koha që gratë të mos mjaftohen me të qenët vetëm temë apo pjesëmarrëse pothuajse pasive në zgjedhje. Ato, si në perspektivën demografike, ashtu edhe në ato vlerore e meritore, kanë gjithë të drejtën dhe potencialin e nevojshëm për t’u përfshirë në vendimmarrjen e nivelit lokal, duke qenë jo thjesht pjesë e listave zgjedhore, por prijëse të tyre.”

Në mars të këtij viti, Kosova përmbylli një prej proceseve më të mira zgjedhore të saj. Këto zgjedhje paraqesin pikë kthese në kuptimin e asaj se cili ishte “prodhimi” përfundimtar i tyre. Jo vetëm në aspektin partiak. Jo vetëm që një subjekt politik arriti që për herë të parë të fitojë i vetëm mbi 50% të votave, ndonëse sigurisht edhe kjo përbën zhvillim të jashtëzakonshëm. Këto zgjedhje prodhuan një legjislaturë të Kuvendit, në përbërjen e së cilës kishte 43 gra, prej të cilave plot 34 me votë meritore. Si për koincidencë, numri i grave të zgjedhura me votë meritore është i barabartë me numrin e përgjithshëm të grave të zgjedhura 20 vjet më parë, në zgjedhjet e para parlamentare të organizuara në Kosovë. Gratë që u zgjodhën në saje të kuotës gjinore përbëjnë vetëm një të pestën e grave që kanë fituar mandat, që ironikisht është poshtë pragut të zakonshëm prej 30%. Përveç kësaj, kandidatja më e votuar e këtyre zgjedhjeve ishte një grua – Vjosa Osmani – ndërsa mes dhjetë kandidatëve më të votuar, 40% ishin gra, që sërish ishte dukshëm mbi nivelin e zakonshëm prej 30% apo edhe më pak.

Kështu, edhe pse ende jo në nivelin e dëshiruar të përfshirjes së barabartë gjinore, niveli qendror ka shënuar avancime të konsiderueshme në këtë drejtim. Megjithatë, një pasqyrë krejt e ndryshme, e shumë më e zymtë, është në nivelin lokal. Ndonëse edhe për zgjedhjet e 17 tetorit subjektet politike do ta kenë gojën plot me “përfshirje dhe pjesëmarrje të grave”, “çështje të  grave” e “barazi gjinore”, përvoja e deritanishme me to tregon se këto shprehje përkthehen shumë rrallë në veprime konkrete. Kjo pasi në nivelin lokal përfshirja dhe pjesëmarrja e grave vijon të jetë margjinale. Për pasojë, në këtë mandat nuk kemi asnjë grua kryetare të komunës. Madje, e kemi pasur vetëm një herë një të tillë, në vitin 2013, kur Mimoza Kusari-Lila fitoi Gjakovën. Përbërja e gati secilit kuvend komunal është refleksion i kuotës gjinore prej 30% (apo diku edhe më pak), si standard minimal ligjor. Për më keq, edhe në mesin e atyre afër 350 grave që janë zgjedhur në nivelin lokal, vetëm një e treta janë zgjedhur me votë meritore, ndërsa të tjerat përmes kuotës gjinore. Pra, një lloj kuote brenda vetë kuotës gjinore.

Edhe pse zakonisht thuhet se faji është jetim, kësaj here ai nuk është i tillë. Sidomos në nivelin lokal, situata ka një fajtor, të paktën për shkak të mosveprimit. Fajtore janë vetë subjektet politike që nuk kanë arritur të shkëputen nga realiteti i të qenët struktura gati se mono-gjinore. Subjektet politike kanë faj sepse, thënë më së thjeshti, nuk u kanë ofruar grave hapësirë të barabartë garimi në asnjë dimension.

Nëse do të mund ta përkufizonim në një fjali, qasja e deritanishme e subjekteve politike në raport me gratë ka qenë përafërsisht “Votën jua kërkojmë, por juve s’ju kandidojmë”. E di që subjektet mund të argumentojnë se kjo është e paqëndrueshme, sepse janë kandiduar gratë. Po, subjektet kandidojnë gra. Veçse problemi është se subjektet janë mjaftuar me respektimin selektiv të kritereve minimale të përfshirjes së grave, madje ekskluzivisht vetëm atyre që parashihen në legjislacionin zgjedhor, duke anashkaluar tërësisht Ligjin për Barazinë Gjinore. Është respektuar 30%-shi vetëm sa u përket listave të kandidatëve për kuvende komunale. Në pjesën dërrmuese të rasteve, bartësit e këtyre listave të kandidatëve kanë qenë burra. Në dy palë zgjedhjet e fundit lokale (2017 dhe 2013) kemi pasur vetëm 38 bartëse të listave, nga rreth 450 të tilla sa kanë qenë gjithsej. Pra, më pak se 10%. Duke ditur që sipas sistemit zgjedhor vota për subjektin politik përkthehet me automatizëm në votë për bartësin e listës – që indirekt shton mundësinë e zgjedhjes – kjo i ka vendosur gratë në pozitë të disfavorshme garuese.

Sa u përket kandidaturave për kryetarë komunash, anashkalimi i grave është edhe më evident. Që nga viti 2007, kur kryetari i komunës zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, ka pasur afërsisht 30 gra kandidate nga pothuajse 900 kandidatë për kryetarë komunash sa ka pasur gjithsej. Kjo i bie që vetëm rreth 3% e kandidatëve kanë qenë gra, apo dhjetëfish më pak se vetë kuota gjinore prej 30%. Vetëm 19 prej komunave të Kosovës kanë pasur ndonjë grua kandidate për kryetare të tyre. Megjithatë, në shumicën dërrmuese të tyre, ka pasur pothuajse gjithnjë vetëm një, eventualisht dy kandidate gra.

Subjektet politike kanë anashkaluar edhe aspektin demografik, si në situatën e përgjithshme – me gratë që përbëjnë gjysmën e popullsisë, si në nivel konkret të daljes në zgjedhje, ku sipas zbërthimit gjinor të statistikave, shihet se gratë kanë prirje më të madhe për të votuar në zgjedhje lokale.

Në tërë këtë mes, krejt pa faj nuk janë as votuesit, e në veçanti gratë. Me votën e tyre, ato kanë përligjur një qasje mospërfillëse të subjekteve politike në relacion me to. Një qasje që më shumë i largon, sesa i afron nga politika. Kjo për shkak se zgjedhja e grave kryesisht në saje të kuotës përdoret pastaj si pretekst nga kandidatët burra që në formatin e një fushate negative ndaj grave ta thellojnë edhe më shumë hendekun në përfshirjen e të dy gjinive në vendimmarrje, posaçërisht në pozita udhëheqëse.

Në diskursin tonë të përditshëm politik jemi mësuar të dëgjojmë shpesh artikulime që fillojnë me “Ka ardhur koha…” Po! Ka ardhur koha. Koha që gratë të mos mjaftohen me të qenët vetëm temë apo pjesëmarrëse pothuajse pasive në zgjedhje. Ato, si në perspektivën demografike, ashtu edhe në ato vlerore e meritore, kanë gjithë të drejtën dhe potencialin e nevojshëm për t’u përfshirë në vendimmarrjen e nivelit lokal, duke qenë jo thjesht pjesë e listave zgjedhore, por prijëse të tyre.

Përfshirja e barabartë gjinore në pozita vendimmarrëse, që paraqet refleksion të strukturës reale së popullsisë, garanton legjitimitet të institucioneve, e për rrjedhojë edhe të politikave që nxirren nga to.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.