Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Analizë

Duke votuar për frustrimet e tyre: logjika e politikës së serbëve të Kosovës

Përgjatë viteve të kaluara, ndryshimi më i thellë në Kosovë nuk ka qenë ekonomik, as social, as institucional, por politik – më saktësisht ndryshimi në politikëbërjen dhe perceptimin e politikës. Dikur e bazuar në një grup të qartë të rregullave formale dhe joformale, tani, përherë e më tepër, politika në Kosovë po pasqyron trendet më të gjera rajonale dhe botërore: populizmin, mazhoritarizmin (shumicën) dhe polarizimin e thellë.

Këto ndryshime kanë riformësuar mjaft shumë dinamikat etnike në Kosovë, më së shumti në perceptimet publike dhe qëndrimet politike ndaj lidhjeve midis serbëve të Kosovës dhe Serbisë. Modeli tradicional i organizimit politik në mesin e serbëve të Kosovës, bazuar në bashkëpunim të ngushtë me Beogradin, tani po vëzhgohet me kujdes, po delegjitimohet institucionalisht dhe, herë pas here, po trajtohet si i dyshimtë.

Natyrisht, natyra autokratike, korruptive dhe manipuluese e qeverisë aktuale në Beograd bën që kjo dinamikë të mirëmbahet më lehtë. Megjithatë, me gjasë, ky model do të vazhdonte edhe nën një qeveri demokratike në Serbi, sepse, thjesht, në Kosovën e sotme, ai gjeneron mbështetje elektorale.

Në vend se të mbroj atë që shumë serbë të Kosovës, përfshirë edhe veten time, e shohin si lidhje të natyrshme me Serbinë, do të provoj të shpjegoj logjikën pas kësaj, shkakësinë historike dhe kompleksitetin e marrëdhënies politike midis serbëve të Kosovës dhe Serbisë, marrëdhënie kjo, dinamikat themelore të së cilës mund të jenë befasuese për një pjesë të publikut kosovar.

Për të filluar, një nga realitetet politike më së paku të kuptuara në Kosovë është rritja e opozitës në mesin e serbëve të Kosovës kundrejt qeverisë së SNS-së së Vuçiqit në Serbi. Madje, do të thosha se një shumicë e heshtur e serbëve të Kosovës i kundërshtojnë shumë nga politikat e saj edhe për vetë Serbinë, por edhe ato që lidhen me Kosovën.

Natyrisht, rezultatet zgjedhore ku subjektet politike të mbështetura nga Beogradi vazhdimisht marrin mbi 90% të votave, duket se janë në kundërthënie me një pretendim të tillë. Megjithatë, rënia e mbështetjes për qeverinë në Beograd është përherë e më dukshme dhe më e përhapur. Atëherë, pse serbët e Kosovës vazhdojnë të votojnë për ta në shumicë dërmuese?

Përgjigja nuk qëndron, siç thuhet shpesh, vetëm te ndikimi politik, por edhe te modeli politik i konsoliduar qe një kohë të gjatë. Ky model tregon se, pavarësisht orientimit ideologjik, historikisht serbët e Kosovës kanë mbështetur partitë në pushtet në Serbi, nga Milosheviqi te Gjingjiqi, Kostunica, Tadiqi, dhe tani Vuçiqi.

Një spektër i tërë i ideologjive politike ka ardhur dhe ka shkuar në Beograd, dhe secila është shoqëruar me një mbështetje të jashtëzakonshme nga serbët e Kosovës.

Aryseja e kësaj qëndron në faktin se zgjedhjet elektorale të serbëve të Kosovës, në radhë të parë, bëhen me syrin e konfliktit etnik me shqiptarët e Kosovës. Ekonomia, përparimi shoqëror, demokracia dhe faktorët e zakonshëm që i formësojnë preferencat e votuesve janë çështje dytësore. Në vend të tyre, përparësi kanë çështjet e sigurisë kolektive, përfaqësimit politik dhe mbrojtjes institucionale, realitet ky në të cilin serbët e Kosovës, si minoritet në Kosovë, historikisht kanë kërkuar dhe janë mbështetur në mbrojtjen nga Beogradi.

Kjo dinamikë mund të fillojë të ndryshojë vetëm kur Prishtina nuk perceptohet më si kundërshtar politik dhe politikat e saj si kërcënim për serbët e Kosovës. Ndonëse veprimet e fundit të Prishtinës po shihen përherë e më shumë si të dëmshme, ato po prodhojnë efekt të kundërt, duke mbajtur gjallë mbështetjen për Beogradin dhe varësinë nga ai. 

Le ta marrim, për shembull, rritjen e mbështetjes për Listën Serbe përkundër fiaskos së politikave të saj gjatë viteve të fundit. Në mes të politikave gjithnjë e më të ashpra që vijnë nga Prishtina, serbët e Kosovës po fillojnë ta shohin Listën Serbe si vijën e tyre të vetme të mbrojtjes, pavarësisht të gjitha të metave dhe manipulimeve të saj.

Në këtë kuptim, qeveria Kurti, me apo pa qëllim, e ka përshpejtuar homogjenizimin politik të serbëve të Kosovës, saktësisht në momentin kur filluan të shfaqeshin shenjat e para të pluralizmit politik. Një mundësi e humbur.

Një tjetër element i rëndësishëm që duhet të kuptohet është rëndësia politike e serbëve të Kosovës brenda zhvillimeve politike në vetë Serbinë.

Për dekada të tëra, Kosova ka qenë, nëse jo çështja kryesore politike, sigurisht një nga temat që e ka dominuar jetën politike në Serbi, duke bartur simbolikë të fortë nacionale dhe kapital të rëndësishëm politik. Në një kontekst të tillë, përkundër numrit të tyre relativisht të vogël, serbët e Kosovës, si mishërimi më i drejtpërdrejtë i vetë çështjes së Kosovës, ushtrojnë ndikim jashtëzakonisht të madh joproporcional në opinionin publik dhe vendimmarrjen në Serbi.

Kështu, kontrolli mbi hapësirën politike të serbëve ka qenë i rëndësishëm për qeveritë në Beograd, herë i ruajtur përmes interesave të përputhshëm politikë dhe herë të tjera përmes formave të ndryshme të privilegjeve të problematikës dhe varësisë.

Në një konstelacion të këtillë, interesat e vërtetë të komunitet serb shpesh u janë nënshtruar interesave të partisë në pushtet në Beograd. Besnikëria partiake shpesh ka pasur përparësi kundrejt interesave të komunitetit dhe llogaridhënies demokratike, duke krijuar kështu një tokë të plleshme për korrupsionin endemik, nepotizmin dhe mosfunksionimin demokratik. Kjo ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë dhe afatgjatë në vitalitetin e komunitetit serb të Kosovës.

Hendeku midis propagandës politike dhe realiteteve në terren po bëhet përherë e më vështirë i injorueshëm. Duke gjykuar nga shifrat zyrtare dhe ndarjet buxhetore që vijnë nga Serbia, lehtësisht mund të arrihet në përfundimin se serbët e Kosovës jetojnë në kushte prosperiteti dhe bollëku. Megjithatë, në realitet, një pjesë e madhe e këtyre resurseve nuk arrin kurrë në mënyrë kuptimplotë te vetë komuniteti, duke u bllokuar në shtresat e korrupsionit, klientelizmit dhe keqpërdorimit politik. Një fshat Potemkin në tabela të Excel-it.

Kjo paraqet një tjetër mundësi të humbur të Prishtinës, për ta zvogëluar distancën në rritje me serbët e Kosovës. Në vend se të mbështetej kryesisht në politika ndëshkuese dhe populiste, Prishtina, për shembull, do të mund të ofronte mbështetje konkrete ekonomike dhe institucionale për serbët e Kosovës.

Në vend të kësaj, investimet nga buxheti i Kosovës në komunitetin serb të Kosovës janë sporadike dhe tërësisht joproporcionale me zotimet e deklaruara, por edhe me nevojat reale. Për më shumë, ato përherë e më shumë duket se ndjekin të njëjtin model: të motivuara politikisht dhe të drejtuara pothuajse ekskluzivisht drejt akterëve brenda komunitetit serb që e mbështesin partinë në pushtet në Prishtinë.

I njëjti model përsëritet: besnikëria politike shpërblehet më shumë se llogaridhënia dhe abuzimet shpesh anashkalohen për sa kohë që sjellin përfitime politike. Demokracia nuk është një bufe politike për serbët e Kosovës. Rrallëherë zgjedhja është në mes të opsioneve të mira dhe të këqija, por në mes të atyre që perceptohen si më shumë ose më pak të dëmshme. Dhe pikërisht kjo është mënyra se si votojnë shumë serbë të Kosovës.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.