Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Fati i mirë i mësimit elektronik në kohë të COVID-19

Që në fillim duhet thënë se është për tu vlerësuar angazhimi i ministrës Hykmete Bajrami për të praktikura mësimi elektronik, duke ndjekur kështu, shembullin e shumë vendëve të botës në rrethanat e pandemisë. Pas pandemisë, ky angazhim dhe kjo qasje do të krijojë lehtësira, që vetë Ministria të prijë me këtë politikë, e cila si iniciativë ka ekzistuar për një kohë të gjatë por asnjëhere brenda ministrisë dhe qeverive nuk ka gjetur përkrahje.

Përndryshe ofrues të ndryshëm privatë, përmes donacioneve të shumta, kanë krijuar për publikun platforma të ndryshme të mësimit elektronik, të cilat shpesh nuk kanë pasur qëndrueshmëri zhvillimore. Njëra nga arsyet, mund të jetë për shkak të anashkalimit të përgjegjësisë institucionale, respektivisht të ministrisë. Gjithashtu ndërhyrjet nga të gjitha palët, për të udhëhequr me procesin e mësimit elektronik, sikurse me shumë procese të tjera, e kanë lënë përgjegjësinë të qëndrojë pezull dhe pa titullar.

Me këtë rast dëshiroj të ndaj me të gjithë arsimdashësit, në veçanti me mësimdhënësit e të gjitha niveleve, konceptet që janë zhvilluar nga shtete që udhëheqin me zhvillimin e të mësuarit elektronik, si nevojë e domosdoshme e të mësuarit në shekullin XXI. “Mësimi elektronik është transmetimi i dijeve dhe kthimi i tyre në aftësi përmes përdorimit të teknologjisë. Ai i referohet përdorimit të pajisjeve elektronike dhe teknologjive të sotme në proceset e mësimdhënies dhe nxënies.” [1]

Kërkimet në fushën e teknologjisë arsimore, shpesh janë kritikuar në mungesë të bazës teorike. Një histori e zhvillimit të përfshirjes së teknologjisë në mjedisin e të nxënit është mbështetur në teorinë e Shulman (1986), i cili i shpjegon komponentët e njohjes së përmbajtjes dhe njohjes së pedagogjisë për realizimin e përmbajtjes si të lidhura ngushtë njëra me tjetrën.

Shulman në teorinë e tij e kishte vërtetuar se dy fushat e njohurive të mësimdhënësve ajo e njohjes së lëndës (përmbajtjes) dhe e pedagogjisë janë trajtuar si dy fusha të njohurive të mësimdhënësve nuk mund të ekzistonin bashkë. Ai besonte se programet e përgatitjes së mësuesve duhet t’i ndërthurin këto dy fusha të njohurive. Për ta adresuar këtë ndarje në mes njohurive të përmbajtjes (lëndës) dhe njohurive pedagogjike, ai prezantoi pikëpamjet dhe idenë e “Njohurive Pedagogjike të Përmbajtjes (NjPedP)”, që përfshijnë njohuritë pedagogjike të konteksteve edukativo-arsimore dhe njohuritë mbi përmbajtjen dhe kurrikulën.

Cili është roli i teknologjisë në “Njohjen Pedagogjike të Përmbajtjes”?

Një numër i madh i studiuesve vazhdimisht plotësojnë aspektin teorik dhe praktik të rolit të teknologjisë në realizimin e përmbajtjeve, duke argumentuar se njohuritë për teknologjinë duhet të trajtohen në kontekst të lidhjes me pedagogjinë dhe përmbajtjen. Korniza e “Njohjeve Teknologjike, Pedagogjike dhe të Përmbajtjes” (NjTPedP) (“Technology Pedagogy &Content Knowledge” TPACK) po fiton popullaritet në mes studiuesve. Edhe pse ndjekja e zhvillimit të teknologjisë është një tjetër dimension në dinamikat zhvillimore, përshkrimin kryesor të NjTPPed (TPACK) e gjejmë sot tek Mishra dhe Koehler, 2006. Ato propozojnë një kornizë konceptuale për teknologjinë arsimore duke u mbështetur në formulimin e Shulman për “Njohuritë e Përmbajtjes dhe Pedagogjisë”. Kjo kornizë shtrihet në faktet që kanë mësimdhënësit për integrimin e teknologjisë në pedagogjinë e tyre për zhvillimin e përmbajtjeve (lëndëve ose kurrikulës). Korniza e “Njohjes së Teknologjisë, Përmbajtjes dhe Pedagogjisë” (NJTPedP), (ang:“Technological, Pedagogical and Content Knowledge” TPACK) shtrihet mbi “Njohuritë Pedagogjike të Përmbajtjes dhe (NJPPed)” të Shulmanit.

Mishra dhe Koehler realizuan një hulumtim pesëvjeçar në fakultetet për përgatitjen e mësuesve dhe zhvillimin e tyre professional, ku shpjegojnë për disa njohuri themelore të mësimdhënësve në integrimin e teknologjisë në mësimdhënie. Ky hulumtim gjithashtu adreson natyrën komplekse të dijes dhe të njohjeve të mësimdhënësve. Përdorimi i menduar pedagogjik i teknologjisë për realizimin e përmbajtjeve mësimore u quajt Njohje e Teknologjisë, Përmbajtjes dhe Pedagogjisë”( NJTPedP). Shumë mësimdhënës, hulumtues, studiues, ekspertë të fushave të pedagogjisë, teknologjisë dhe përmbajtjeve vazhdojnë të zhvillojnë kornizën NJTPedP (TPACK) në mënyrë konceptuale, teorike dhe empirike.

Ndërtimi i kuptimit të ri dhe dijes gjatë realizimit të përmbajtjes shkencore, çdo ditë e më shumë po mbështetet në njohjen e pedagogjisë dhe teknologjisë. Integrimi efektiv i teknologjisë për pedagogjinë e lëndëve specifike kërkon zhvillimin e marrëdhënieve ndërvepruese në mes këtyre faktorëve të vendosura në kontekste specifike si për çdo mësimdhënës, çdo lëndë mësimore ose secilën pikpamje të mësimdhënies, nivel të klasës, faktorët specifikë të shkollës, demografia, kultura dhe faktorë tjerë.

Kjo është paraqitur shumë thjesht dhe kuptueshëm në formën e prerjes së këtyre tri komponentëve, të cilët mund t’i quajmë, për arsye praktike, bashkësitë e Teknologjisë, të Përmbajtjes dhe të Pedagogjisë. Elementet e përbashkëta në qendër të prerjes së bashkësisë së Teknologjisë, të Përmbajtjes, dhe të Pedagogjisë krijojnë qendrën ose zemrën e ndërtimit të Njohjes së Teknologjisë për Përmbajtjen dhe Pedagogjinë (NJTPPed). Siç mund të shihni në figurën e më poshtme prerja e tri bashkësive krijon shtatë kombinime, të cilat luajnë rol në ndërtimin e përmbajtjes dhe të përdorimit të pedagogjisë me teknologji të reja.

Prerja e tyre për arsye praktike do të duket sikurse në Figurën 1.

 

∩ P  Ped = ( T ∩ P ) ∩ Ped = T ∩ ( P ∩ Ped)

Prerja e bashkësive TPPed krijon qendrën e prerjes, e cila përfaqëson elementet e domosdoshme për aftësitë e reja të mësimdhënësve, në realizimin e mësimit cilësor, mbështetur në nevojat e nxënësve dhe aftësitë e mësimdhënësve.

Çfarë duhet të dimë për shtatë elementet e NJTPPed?

Njohja e Teknologjisë (NJT) përfshin njohuri për të punuar me teknologji, mjete dhe burime të caktuara të teknologjisë informative. Mësimdhënësit duhet ta mësojnë dhe ta kuptojnë teknologjinë e informacionit, për ta zbatuar në mënyrë sa më produktive, në punën e përgjithshme dhe të përditshme, si njërën nga instrumentet e rëndësishme të mësimdhënies dhe të nxënit. Duke e njohur dhe e ditur teknologjinë e informacionit, mësimdhënësit ndihmojnë në arritjen e qëllimeve. Këto njohuri u ndihmojnë mësimdhënësve të përshtaten dhe t’i përcjellin vazhdimisht ndryshimet e teknologjisë së informacionit, në interes të cilësisë së mësimdhënies dhe krijimit të ambientit të të nxënit miqësor dhe në harmoni me kërkesat e nxënësve.

Njohja e Përmbajtjes (NJP) për realizimin e përmbajtjeve shkencore, kërkohet përgatitje akademike dhe profesionale e mësimdhënësve. Ata, duhet t’i zbatojnë njohuritë e tyre për t’i realizuar kurrikulat. Sistemet arsimore në botë, por edhe ato të Bashkimit Evropian, hartojnë standarde të arritjes, kurrikula, të cilat çdo ditë e më shumë janë të integruara dhe kanë pak kufi gjeografik e politik. Edhe Kosova si shtet i ri, pas shumë përpjekjeve ka miratuar bazën ligjore të standardeve të arritjes dhe kurrikulën e re. Mësimdhënësit i zbatojnë njohuritë shkencore të përmbajtjes për lëndën që duhet të shpjegohet e të zhvillohet. Përmbajtja që do të përfshihet në shkencën dallon nga niveli në nivel, nga klasa në klasë, nga lënda në lëndë. Këto njohuri do të përfshijnë njohuri të koncepteve, teorive, ide, korniza organizative, njohuri për provat [2] si dhe praktika të mira për zhvillimin e njohurive të reja. [3]

Njohja e Pedagogjisë (NJPed) e mësimdhënësve duhet të jetë e thellë për proceset, praktikat dhe metodat e mësimdhënies dhe të nxënit. Mësimdhënësit duhet t’i njohin qëllimet e përgjithshme arsimore, vlerat dhe objektivat. Njohja pedagogjike vlen për të kuptuar sesi mësojnë nxënësit, aftësi të përgjithshme të menaxhimit të klasës, planifikimin e mësimit dhe vlerësimin e studentëve. Marrja e njohurive pedagogjike dhe aftësimi i mësimdhënësve është i rregulluar me bazë ligjore, sikurse për studentët që janë para shërbimit po ashtu edhe për mësimdhënësit gjatë shërbimit. Ato kërkojnë zbatim me përgjegjësi institucionale në të gjitha nivelet.

Njohja e Teknologjisë për Përmbajtjen (NJTP) shpjegon të kuptuarit sesi teknologjia dhe përmbajtja ndikojnë në njëra tjetrën, por edhe e kufizojnë njëra tjetrën. Mësimdhënësit duhet ta zotërojnë shumë teknologjinë si dhe duhet ta mësojnë sesi me aplikimin e teknologjive të reja lënda mund të ndryshojë. Ata duhet të mësojnë dy aspekte të ndikimit të teknologjisë:

a) Cilat teknologji specifike janë të përshtatshme për shpjegimin e lëndës dhe të përmbajtjes?

b) Si përmbajtja dhe lënda e caktuar ndikojnë, madje edhe e ndryshojnë, teknologjinë dhe anasjelltas?

Njohja e Pedagogjisë për Përmbajtjen (NJPedP) shpjegon idenë e Shulman për zbatimin e përmbajtjeve specifike të lëndëve të ndryshme dhe se njohuritë pedagogjike kanë rëndësi të veçantë. Për realizimin e këtij koncepti, rol kryesor ka transformimi dhe ndërlidhja e lëndës me përmbajtjen për realizimin sa më të kuptueshëm të mësimdhënies. Mësimdhënësit duke e shpjeguar lëndën, respektivisht përmbajtjen e caktuar, gjejnë mënyra dhe materiale të shumta të cilat u përshtaten njohurive paraprake të nxënësve. Njohja pedagogjike e përmbajtjes (NJPedP) mbulon aktivitetet kryesore të mësimdhënies dhe të nxënit, kurrikulës dhe vlerësimit. Kjo njohje dhe aftësi e mësimdhënësve promovon lidhjen në mes mësimdhënies, kurrikulës ose përmbajtjes, vlerësimit dhe pedagogjisë.

Njohja Pedagogjike e Teknologjisë (NJPedT) përfshin njohjen e mundësive pedagogjike por edhe të kufizimeve pedagogjike e të mjeteve teknologjike. Këto mjete teknologjike duhet të lidhen me strategjitë e duhura pedagogjike për realizimin e lëndës dhe të përmbajtjes shkencore. Ky aspekt njohës i pedagogjise teknologjike, shpjegon dhe ndihmon mësimdhënësit sesi të kuptojnë, sesi mësimdhënia dhe të nxënit ndryshojnë me përdorimin e teknologjive të ndryshme dhe të veçanta për mënyra të veçanta të shpjegimit.

Njohja e Teknologjisë për Përmbajtjen dhe Pedagogjinë (NJTPPed)

Të kuptuarit e thellë dhe të shkathët të realizimit të mësimdhënies me teknologji, ndryshon nga tri elementet kryesore (teknologjia, përmbajtja dhe pedagogjia). Qendra e prerjes së tri bashkësive është baza e mësimdhënies efektive me teknologji dhe kërkon të kuptuarit e përdorimit të teknologjisë. Kjo njohje kërkon teknika e strategji pedagogjike të cilat e përdorin teknologjinë në mënyrë konstruktive për të reaalizaur përmbajtjen. Kjo lehtëson që konceptet e vështira të mësohen më lehtë. Taknologjia ndihmon në korrigjimin e problemeve me të cilat ballafaqohen studentët. Gjithashtu teknologjia e bën sistemimin e njohurive paraprake të studentëve si dhe mbështet njohuritë ekzistuese, mbi të cilat zhvillohen njohuritë e reaj në bazë epistemologjike.

Nga aspekti konstruktivist njohja e teknologjive të reja, është vegël e të mësuarit me teknologji dhe jo prej saj. Nxënësit janë aktivë, konstruktivë, mësojnë me qëllimin për të mësuar, janë sa autentikë po aq edhe bashkëpunues. Teknologjia nuk është thjesht mjet transportues i përmbajtjeve, përkundrazi përdoret si lehtësues i të menduarit dhe i ndërtimit të njohurive.

Me fat praktikat e të mësuarit elektronik!

—–

[1] Gjokutaj, M.; Hoti, I.; Kadriu, D., Fjalor termash në edukim, Shtëpia Botuese “Dukagjini”, Prishtinë, 2016.

[2] Mishra, P. & Koehler, M.J. (2006). Technological Pedagogical Content Knowledge: A Framework for Teacher Knowledge.

[3] Shulman, L.S. (1986). Those who understand: Knowledge growth in teaching. Educational Researcher, 15(2), 4-14.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.