Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Vallëzimi i fundit i Bellës

Bella (Emma Stone) në rolin kryesor në Poor Things. Foto: Atsushi Nishijima/Searchlight Pictures

“Poor Things” dhe realiteti i dhunës sistematike ndaj grave në Kosovë

Në filmin ‘Poor Things,’ (Yorgos Lanthimos) ringjallja e figurës së Bella Baxter-it (Emma Stone) paraqitet si metaforë e fuqishme për rilindjen dhe sfidimin e roleve të paracaktuara gjinore. Rilindja e saj paraqet një tregim që shkon përtej fantashkencës. Ajo përfaqëson një luftë të vazhdueshme për autonomi dhe ri-definim të identitetit të saj si grua, në një botë të dominuar nga strukturat patriarkale e klasore. Kërkesa e saj për autonomi më së miri shfaqet në skenën kur Bella fillon të kërcejë me Duncan Wedderburn-in (Mark Ruffalo) në mes të një turme njerëz-kukullash viktoriane. Duncan-i, si burrë më i vjetër se ajo e me më shumë përvojë, përpiqet me çdo kusht ta udhëheq Bellën. Por ajo refuzon përpjekjet e tij të kota për ta shtyrë në drejtimet që ai do, duke e bërë që përfundimisht të largohet nga krahët e tij, për të vallëzuar e vetme në mes të një turme njerëzish, që vështrojnë të mahnitur performancën e saj. 

‘Grua nuk lind, por bëhesh’ thotë Simone de Beauvoir, duke nënvizuar kështu procesin e ndërtimit konceptual e historik të gjinisë dhe sfidave që e shoqërojnë. Me fjalë të tjera, është shoqëria ajo që dikton rolet gjinore, që na detyron të performojmë akte të caktuara për ta konfirmuar mënyrën sesi na sheh ajo [shoqëria], në bazë të premisës së identitetit gjinor. 

Ky dialog midis identitetit personal dhe strukturave shoqërore që imponojnë kufizime të caktuara, që materializohet në personazhin e Bellës, është veçanërisht i pranishëm në kontekstin e Kosovës, ku normat patriarkale dhe konservatore vazhdojnë ta formësojnë dhe sfidojnë udhën e grave drejt pavarësisë dhe barazisë së plotë gjinore. 

Bella ngadalë mëson se çfarë është të jesh grua, se si një grua duhet të vishet jashtë shtëpisë, si duhet të sillet në familje e shoqëri, si duhet t’i mbajë këmbët e mbyllura kur ulet, e deri te mënyra se si duhet të ushqehet. Ajo mëson se çfarë pritet prej saj të flasë, e më e rëndësishme, çfarë të mos flasë. Mëson se të tjerët e shohin jetën e saj të lidhur me atë të burrave, fillimisht babai (apo Zoti/Krijuesi, siç e quan ajo), që e ringjalli e i dha jetë, e pastaj dashnorët e saj. Të gjithë këta burra duan t‘ia imponojnë një imazh të caktuar të gruas ideale në shoqëri. Ose të paktën një imazh të pranueshëm për ta. 

Për disa nga ne kjo është fare ‘normale’, fundja rrethi na mëson normat dhe vlerat (të shkruara e të pashkruara), qysh kur jemi fëmijë. Por kjo bëhet problematike pikërisht për shkak të presionit shtesë e hipokrizisë vlerore ndaj të cilave vajzat e gratë nënshtrohen. Në Kosovë, për shembull, gratë ende vazhdojnë t’i kryejnë shumicën e “punëve të shtëpisë” dhe kjo pranohet si tërësisht “normale”, e në fakt as që konsiderohen si punë, ndonëse globalisht njihet si punë e papaguar por realiteti është që gratë në Kosovë shpenzojnë 44% më shumë kohë në punë të papaguara të shtëpisë se sa burrat. 

Edhe në film, karakteri i vetëm grua në jetën e Bellës për një kohë të gjatë është ndihmësja, e cila duket se e urren Bellën pikërisht për shkak të natyrës “rebeluese” të saj dhe lehtësisë me të cilën Bella thotë Jo. Sikur ajo, edhe shumë gra të tjera, mbase krejt nënvetëdijshëm, ushtrojnë presion të jashtëzakonshëm ndaj vajzave e grave për t’u përshtatur me normat patriarkale.

Dhuna ndaj grave nuk është çështje private

Ndonëse Bella arrin t’i luftojë, deri diku suksesshëm, këto barriera, jeta e saj është pasqyrim i jetës së shumicës së grave në Kosovë e gjetiu. Ajo e kupton shumë shpejt që në këtë luftë është pothuasje e vetmuar. Njëjtë si gratë në Kosovë. Ato janë gati të vetme duke u përballur me një sistem institucional shoqëror, i cili është vendosur aty për t’i mbrojtur, të paktën në letër, por që shumë shpesh dështon ta kryejë këtë funksion. 

Duke reflektuar mbi dy ngjarjet e fundit të femicidit në Kosovë, ku jetët e dy grave u shuan në akte të tmerrshme dhune brenda vetëm një jave, ne detyrohemi të pyesim vetën, e të tjerët, cilat jetë vlejnë më shumë e cilat më pak. Judith Butler na sfidon t’i shqyrtojmë këto hierarki të vlerësimit, duke na bërë të mendojmë rreth pabarazive të thella që qëndrojnë në themel të kësaj heshtjeje mbytëse karshi dhunës gjinore. Si mund ta ndërtojmë një shoqëri ku çdo jetë vlerësohet njëjtë dhe ku strukturat e pushtetit që e mbështesin dhunën ndaj grave ndryshojnë? 

Lufta për të mbrojtur të drejtat themelore dhe për të arritur një jetë të lirë nga dhuna përcillet nga mungesa e mbështetjes prej strukturave që duhet të na mbrojnë—nga sektorët e sigurisë e deri tek ata të drejtësisë—të cilët jo rrallë herë ngurrojnë të ndërhyjnë duke e parë dhunën në bazë gjinore si çështje ‘private’ ose ‘të brendshme të familjes’. 

Por, ashtu siç na kanë mësuar feministet privatja është thellësisht publike/politike. Është shteti ai i cili e ka të drejtën “legjitime për të ushtruar dhunë”(Max Webber). Me fjalë të tjera, shteti ekziston aty për të na mbrojtur neve, qoftë edhe nëpërmjet mekanizmave te vet të dhunës. Strukturat institucionale janë deri diku reflektim i shoqërisë por ato e kanë fuqinë dhe mundësinë unike edhe për ta ndryshuar atë. Siç shihet në rastet e debatit rreth ligjeve për riprodhimin dhe IVF në Kosovë, ku projektligjet që prekin drejtpërdrejt trupat dhe të drejtat riprodhuese të grave debatohen në mënyrë të hapur dhe shpeshherë me tone thellësisht misogjene. Kësisoj këtu kemi një paradoks: kur bëhet fjalë për kontrollin e trupave të grave, çështja bëhet menjëherë publike, por kur vjen puna për t’i mbrojtur këto të njëjta trupa nga dhuna, institucionet ngurrojnë t’i pranojnë dhe ushtrojnë përgjegjësitë e tyre. 

Në rastet e fundit të femicidit në Kosovë, paraqitet sërish një mungesë dështim institucional për ta trajtuar seriozisht dhunën e paraqitur qysh më parë. Në të paktën njërin nga rastet, i dyshuari për vrasje, ka pasur histori të dhunës në familje. Vrasësi i Gjyljeta Ukellit ishte i dënuar për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje.  Madje, sipas medieve, ky i fundit ishte dënuar me vetëm 400 euro gjobë. Se sa vlen jeta e grave në Kosovë flet ky dënim. Në fakt, dënimet e vogla, nën minimale për dhunën në bazë gjinore duket se janë rregulli e jo përjashtimi i sistemit tonë gjyqësor. 

Në këtë drejtim, filmi dështon të reflektojë mbi përgjegjësinë shoqërore dhe institucionale për mbrojtjen e grave sepse mesazhi që ofrohet aty është se liria dhe barazia fitohen individualisht, kryesisht nëpërmjet çlirimit seksual. Por në kontekstin e tanishëm, përvec luftës individuale karshi normave shoqërore, grave iu duhet mbështetje e plotë institucionale, përtej fjalëve, drejt ndërtimit të një  jete në liri dhe barazi të plotë.  

Klasa shoqërore 

Në sfond të filmit, jo në mënyrë shumë të dukshme, ka edhe një përballje klasash. Protagonistja jonë vjen nga klasa borgjeze, ose e mesme e lartë, me një “krijues” [babai] të suksesshëm e “intelektual”, dhe me mundësi të shumta për të udhëtuar. Por shumë shpejt rrëzimi nga borgjezia në klasë të varfër ia paraqet jetën ashtu siç është për shumicën prej nesh. Për Bellën, ky rrënim i papritur nga një jetë relativisht e sigurt në një të pasigurt, tregon se si ndikimi i klasës shoqërore lidhet ngushtë me qasjen në burime dhe mbrojtje nga dhuna. 

Sipas medieve, Gjyljeta Ukelli, gruaja që u vra në Pejë nga bashkëshorti i saj, punonte si asistente stomatologu në Poliklinikën Stomatologjike në Pejë. Ajo po ashtu ishte nënë e tre fëmijëve. Gratë punëtore, veçanërisht ato që janë të detyruara t’i mbajnë disa vende të punës për t’i mbuluar nevojat bazë, gjenden shpesh në situata ku janë më të ekspozuara ndaj abuzimit dhe më pak të mbrojtura nga strukturat ligjore dhe sociale. Kjo i bën ato më të cenueshme ndaj dhunës së partnerit, si dhe dhunës strukturore si rezultat i një sistemi pabarazie të thellë dhe të institucionalizuar. Ndërsa lufta për të drejta dhe siguri nuk njeh kufij klasorë, realiteti i ashpër i jetës së përditshme për gratë në klasën punëtore dhe të varfër në Kosovë thekson nevojën për një qasje më të gjerë dhe të ndërgjegjshme nga shteti e shoqëria për t’i adresuar këto pabarazi dhe për të ofruar mbështetje reale dhe efektive.

Në anën tjetër, pas një periudhe të rëndë, Bella arrin të triumfojë përballë abuzuesve të saj. Ajo kështu përfundon duke u shëndrruar në Zotin/Krijuesin e saj. Besnike ndaj klasës që i takon, ajo arrin ta marrë timonin e jetës në duart saj, e kontrollon vet trupin dhe mendjen e saj. 

Si pjesëtarë të kësaj shoqërie, kemi përgjegjësi të vazhdueshme për të luftuar kundër injorancës, indiferencës dhe inercisë që ushqejnë cikle dhune ndaj grave. Përndryshe do të mbesim duke pritur femicidin e rradhës, e të shohim vetëm nëpër filma gra që jetojnë në liri e barazi. Poor Things tenton ta bëj pikërisht këtë gjë; nëpërmjet rilindjes së Bellës, ai na fton për një diskutim më të thellë drejt zhvendosjes së normave të tanishme patriarkale.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.