Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Në kujtim të Sergio Viera de Mello dhe misionit të tij në Kosovë

Ilustrimi nga: BigEye

Kanë kaluar më tepër se dy dekada prej kur lufta në Kosovë ka përfunduar. Fundi i luftës shënoi fillimin e një epoke të re për Kosovën.

Me tërheqjen e trupave militare dhe paramilitare serbe në Kosovë zbarkuan trupat e para të misionit paqësor të OKB-s dhe NATO-s. Kjo shënoi një fazë të re në historinë e Kosovës, e cila ishte e rrënuar ekonomikisht, politikisht, në aspektin humanitar dhe të sigurisë gjatë aparteidit serb.

Sekretari i OKB, Kofi Annan kishte përzgjedhur pikërisht Sergion Viera De Mellon për të deleguar të posaçëm (SRSG) në Kosovë, sepse Kosovës i duhej krijimi urgjent i institucioneve civile, rendit dhe ligjit të cilat Serbia i kishte rrënuar për vite të tëra.

Sjellja në jetë e kujtimeve për veprën dhe jetën e Sergio Viera de Mellio bazuar në librin e shkruar nga Samantha Power (ish Ambasadorja e SHBA në OKB) është edhe arsyeja pse vendosa të shkruaj për kohen kur Sergio kishte ardhur në Kosovë. Pavarësisht se qëndroi për më pak se dy muaj si i deleguar special i Sekretarit Gjeneral të OKB-se (SRSG), koha dhe ngjarjet e atëhershme e bëjnë Sergion të paharrueshëm.

Ishte mesi i qershorit i vitit 1999, kur fillova punën në kabinetin e tij me rekomandimin e Samantha Power, me të cilën njihesha, dhe e cila kishte qëndruar disa herë në Kosovë para luftës dhe njihej me Sergion personalisht.

Zyrat e UN në atë kohë ndodheshin në hotelin “Dea” në Velani në Prishtine. Kosova e asaj kohe nuk mund të paramendohet me Kosovën e ditëve të sotme. E shkatërruar ekonomikisht, politikisht dhe e zbrazur nga njerëzit e saj. Në një ndër takimet e para me stafin e UN-it në këtë lokacion, Ambasadori austriak Wolfgan Petrich, duke u munduar ta shpjegojë situatën në Kosovë, në mes tjerash pat thënë: “Në Kosovë, çdo gjë është e shkatërruar dhe çdo gjë duhet filluar nga zero”.

Dy javë më pas, në fillim të korrikut 1999, OKB-ja u vendos në selinë kryesore të Shtabit të Përgjithshëm të APJ-s, ku sot është Prokuroria e Kosovës. Në ato ditë të pasluftës në hapësirën në mes të objektit, ende gjendeshin mbetjet e dokumenteve të shpërndara në të gjitha anët që ushtria jugosllave nuk kishte arritur t’i marrë me vete apo t’i djegë.

Për Kosovën çdo gjë ishte e re. Nga një vend i izoluar u bë qendra e botës. Vizitat e Gjeneralit Wesley Clark, Sekretarit të NATO-s Havier Solana ishin gjëra të rëndomta që pasuan edhe me vizita të profileve të larta politike nga gjithë bota, më vonë. Kosova po jetonte një transicion të shpejtë. Ne kishim jetuar të përjashtuar, të segreguar dhe diskriminuar nga Milosheviqi dhe regjimi serb për një dekadë. Tani ishte koha që duhej nxënë hapin sa më pare që ishte e mundur. Kosova ishte njësia e fundit konstituive, që mbyllte ciklin e shpërbërjes së Jugosllavisë.

Në mes të dhimbjes dhe të hutisë, ardhja e Sergio Viera de Mellos ishte energjia që i duhej vendit, që ta tejkalonte sa më shpejt atë fazë në mënyrë që të krijoheshin institucionet e para demokratike, institucione që Kosova nuk i kishte pasur deri atëherë.

Pozicioni që kishte Sergio u bashkëdyzua/amallgamizua për mrekulli me personalitetin e tij. Përvoja e tij nga misionet e mëparshme e bënte shpejt të adaptueshëm ne mjedisin e ri, ishte shumë komunikues, energjik, pa protokoll  dhe i vendosur për të arritur qëllimin për të cilin kishte ardhur, vënien e themeleve te institucioneve të para, të përkohshme, deri në krijimin e shtetit.

Duke qenë se theksi i veçantë ishte te rendi dhe ligji, ai menjëherë filloi me emërimin e gjyqtarëve të parë dhe abrogimin e të gjitha ligjeve të ish Jugosllavisë, që ishin diskriminuese për shqiptarët.

Në misionin e tij ishte edhe krijimi i Këshillit të Përbashkët Administrativ (Joint Advisory Committee), qëllimi i të cilit ishte avancimi i bashkëpunimit mes UNMIK-ut dhe qytetarëve të Kosovës dhe po ashtu krijimin e mirëbesimit mes komuniteteve me qëllim të krijimit të strukturave të përkohshme administrative, në të gjitha nivelet e Kosovës.

Edhe sot e kujtoj takimin e parë ne zyrën e Sergios, e cila deri para pak ditëve kishte qenë zyra e ndonjërit nga gjeneralët e ushtrisë serbe, e cila zgjoi kërshëri dhe debat mes pjesëmarrësve se cili nga gjeneralët do te kishte urdhëruar dhe operuar nga kjo zyrë.

Në korrikun e vitit 1999 u takuan të gjithë së bashku, përfaqësues politikë të krahut të luftës, të paqes, personalitete nga jeta publike e asaj kohe në Kosovë, gazetarë të huaj si dhe klerikët serbë. Hapësira ishte e vogël për t’i akomoduar të gjithë dhe në ajër ndjehej tension dhe paqartësi.

Mbaj mend pjesëmarrjen e Blerim Shalës, Edita Tahirit, Veton Surroit, Bilall Sherifit por edhe të Peshkopit Irinej dhe Sava Janjiqit. Në takimet e mëvonshme do të merrte pjesë edhe vetë Presidenti Rugova, që kishte ardhur nga Italia.

Në më pak se një muaj nga mbarimi i luftës, takoheshin në të njëjtën dhomë, përfaqësuesit e krahut të luftës, të krahut të paqes si dhe përfaqësues të komunitetit serb. Një situatë dhe një takim i tillë në ato rrethana ishte e vështirë për t’u paramenduar e le më për t’u realizuar me një kompozicion të tillë të profileve politike dhe etnike.

Por, ishte insistimi i Sergios që në këtë takim të merrnin pjesë të gjithë së bashku. Ishte përkushtimi i tij, energjia dhe vullneti, pasioni për punën që e bënte, por edhe përvoja e një njeriu që kishte kaluar disa misione më parë dhe jo më të lehta se Kosova.

Takimet që zgjasnin me orë të tëra dhe vendosmëria e tij se do të dalin nga zyra të gjithë së bashku vetëm pasi të jetë arritur marrëveshja për krijimin e JAC. Ai asnjëherë nuk e humbiste durimin, ishte shumë komunikues, e ruante qetësinë dhe nuk zmbrapsej nga qëndrimet e veta. Ai i dha kuptim pozitës, e cila i ishte besuar nga Kofi Annan.

E nuhaste dhe e kuptonte sa vibrante dhe dinamike ishte shoqëria kosovare. Duke qenë se kishte kaluar misione të ndryshme deri në Kosovë, ai arrinte t’i shihte dallimet, përparësitë dhe mundësitë që shoqëria kosovare kishte. Në lidhje me këtë, gjatë një bisede mbaj mend komentin e tij se: “Shoqëria kosovare ka potencial të pafund për t’u zhvilluar, por do të avancojë vetëm atëherë kur vërtet do të ketë barazi gjinore dhe femrat kosovare të kenë të drejta të plota sikurse edhe meshkujt’’.

Sergio qëndroi më pak se dy muaj në Kosovë, për t’u pasuar nga Bernard Kouchner, por la gjurmë të pashlyera. Një pjesë e ekipit të bashkëpunëtorëve të tij si Nadia Younes, përgjegjëse për mediat në Kosovë dhe e cila e hapi RTK pas luftës si dhe Jean Selim Kanaan, vazhduan të punojnë edhe me pasuesin e Sergios, Bernard Kouchner. Më pas ata u bashkuan sërish me Sergion në Irak, ku edhe përfunduan tragjikisht.

Jo rastësisht mediat ndërkombëtare, shkuarjen e tij nga Kosova në Timorin Lindor e kanë vlerësuar si lajm të keq për Kosovën dhe të mirë për Timorin Lindor.

Pas shkuarjes së Sergios, Timori në një periudhë trevjeçare e fitoi pavarësinë, gjate kohës sa Sergio ishte i deleguar special i OKB-së.

Bashkëpunimi me të në kohën e pasluftës në Kosovë ishte ndër përvojat më të mira, që kam pasur ndonjëherë dhe prej të cilit kam mësuar shumë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.